TIRANE - Pas akuzave të forta që deputet i përjashtuar nga grupi i PS, Tom Doshi artikuloi kundër kreut të Kuvendit Ilir Meta, se ka paguar njerëz për vrasjen e tij, A1 Report u interesua pranë Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit, për vërtetësinë e deklaratës së Doshit.
 
I kontaktuar me telefon nga A1 Report, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se do të flasë në momentin e duhur.  Tom Doshi e akuzoi ministrin se ka pasur dijeni për atentatin që sipas tij do kryhej me urdhër të Ilir Metës. Po sipas deklaratës së Tom Doshit, personi që ishte porositur për të kryer krimin, i ka rrëfyer në zyrë ministrit Tahiri emrin e personit që e ka paguar për vrasjen. Madje, Doshi tha se ka edhe video per te deshmuar kete akuze.
 
Po ashtu, sipas Doshit, edhe Didi ka qenë në dijeni të përgatitjes së këtij atentati. I kontaktuar nga A1 Report, Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi thotë se komentet për këto akuza ja lë Tom Doshit.
 
Në akuzat e forta për të cilat Doshi kishte deklaruar më herët se do të trondisnin themelet e mazhorancës, deputeti i kërkojë prokurorisë që të nisë hetimet.
 
E kontaktuar me telefon nga A1 Report, zyra e shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme nuk jep asnjë koment për deklaratat e Tom Doshit.
 
Deputeti Tom Doshi e komentoi përjashtimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, një vendim pas të cilit fshihet kryeparlamentari Ilir Meta, të cilin e quajti gjithashtu tutor të kryeministrit Rama. Doshi tha se Meta ka paguar jo vetëm për vrasjen e tij, por edhe për eliminimin fizik të deputetit demokrat të Lezhës Mëhill Fufi.
 
Prononcimet per A1Report

Tahiri:
Do flas në momentin e duhur
Didi: Nuk pranoj të bëjë koment, pyesni Tom Doshin
Zyra e Shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme: S’kemi asnjë koment
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)