Akuzat e Enverit: “Kiço Ngjela mban në Tregtinë e Jashtme, katër njerëz me gra sovjetike”/ Plenumi i majit të ’75, kur Hoxha “zbuloi grupin armiqësor” të naftës

Akuzat e Enverit: “Kiço Ngjela mban në Tregtinë e Jashtme, katër njerëz me gra sovjetike”/ Plenumi i majit të ’75, kur Hoxha “zbuloi grupin armiqësor” të naftës

Pjesa e parë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në Plenumin e VII-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ai morri në analizë dhe foli për problemet që kishin dalë në sektorin  e naftës, ku ai për herë të parë kritikoi dhe hodhi akuza të rënda, jo vetëm ndaj drejtuesve të atij sektori, duke filluar nga drejtori i përgjithshëm i Naftës, Lipe Nashi, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, (ku ishte përqendruar pjesa më e madhe e industrisë së naftës), Piro Gusho, inxhinierëve dhe specialistëve si: Andrea Manço, Zenel Hamiti, Koço Plaku, Protoko Murati, Beqir Aliaj, Milto Gjikopulli, et., por edhe ndaj kryeministrit Mehmet Shehu, anëtarëve të Byrosë Politike e ministrave, si Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati etj. Fjala e plotë e diktatorit Enver Hoxha dhe akuzat e panjohura që ai bëri ndaj Abdyl këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit, Dashnor Mamaqit, Ramadan Xhangollit etj, të cilët i quajti sabotatorë që kishin bërë punë armiqësore, duke i krahasuar ata me “veprimtarinë armiqësore” që kishte bërë Beqir Balluku me Petrit Dumen, Hito Çakon etj. Propozimet e Enver Hoxhës për shkarkimin e tyre nga të gjitha postet dhe funksionet partiake dhe shtetërore që ata kishin mbajtur deri në atë kohë dhe zgjedhjen dhe emërimin e “disa shokëve të rinj” në vend të tyre në Byronë Politike dhe Komitetin Qendror të PPSh-së, siç ishin: Pali Miska, Hekuran Isai, Qirjako Mihali etj., biografitë e të cilëve, Enveri i bërë publike në atë plenum!

Fjala e mbylljes në Plenumin e 7-të të KQ të PPSH

29 maj 1975

Duke u bazuar në punimet e këtij Plenumi të rëndësishëm të Komitetit Qendror për naftën, duke pasur parasysh diskutimet dhe vendimet e mbledhjeve të Byrosë Politike për këtë çështje, ku edhe unë kam folur dhe ju jeni në dijeni, dëshiroj të shfaq mendimet e mia jo vetëm për çështjen e naftës, por edhe për një sërë problemesh të tjera që gjithë Partia është duke i diskutuar dhe duke i zgjidhur me sukses. Duke studiuar protokollet e mbledhjeve të Kryesisë dhe të Këshillit të Ministrave, për të metat e gabimet që janë vërtetuar në aparatet shtetërore dhe në disa sektorë të ekonomisë, ku janë zhvilluar shumë burokratizmi e teknokratizmi, që na kanë çuar në mbylljen e syve deri në sabotime të rënda, siç është ai i naftës, konstatoj se, krahas Mehmet Shehut, i cili ka përgjegjësinë e tij për këtë, nga disa ministra autokritika në përgjithësi është e sipërfaqshme dhe kritika në mes tyre e druajtur dhe e përmbajtur.

Te shokët e mësipërm dhe te disa të tjerë më duket se druajtja vjen nga komprometimi në fajin ose në gabimin dhe në këto raste nga ata që kanë kryer gabime dhe faje të rënda, si Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, bëhen orvatje që faji të shpërndahet, duke thënë: “Të kam pyetur”, “të kam vënë në dijeni”, “vendimin e kemi marrë tok” etj. Natyrisht, njerëzit që vuajnë nga disa komplekse, nuk u rezistojnë si duhet këtyre stratagjemave. Autokritika e disa shokëve të Qeverisë, nuk është sa duhet e thellë politikisht dhe ideologjikisht, theksi nga ana e tyre vihet më tepër në raportimin teknik të çështjeve dhe këndej bëhen përpjekje për njëfarë autokritike, që s’del nga kuadri teknik i problemit. Ata vënë në dukje rrezikshmërinë e zhvillimit jonormal të një sërë çështjesh, por largohen nga thellimi t problemeve dhe nuk shohin pasojat politiko-ideologjike të këtij zhvillimi.

Kështu bën, për shembull, Abdyl Këllezi për ato që thotë; ai duhej t’u përgjigjej në mbledhjen e Qeverisë një sërë pyetjeve, duhej të bënte autokritikë serioze, e jo të dredhonte, duke i’u përgjigjur shkarazi vetëm pyetjeve. Shokët, natyrisht, thonë se i vret edhe ndërgjegjja. Kjo është e kuptueshme, po jo e mjaftueshme. Një analizë ideologjike të këtyre problemeve në vetvete dhe të shtrembërimeve që janë vërtetuar tek Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, nuk shoh të bëhet si duhet. Kjo ka rëndësi të madhe të kryhet, ndryshe shtrembërimet dhe devijimet do të përsëriten, siç po përsëriten. Duhet të dalim me konkluzionin se ka shokë, dhe kjo është më e keqe, që hiqen sikur ideologjikisht dhe politikisht i kuptojnë të gjitha gjërat. Por kjo nuk është kështu në shumë raste. Punët na vërtetojnë se problemet i vëmë në binarë të drejtë, por ka njerëz që duan dhe luftojnë t’i devijojnë dhe që mendojnë se edhe teorinë, edhe politikën e problemit e kanë të qartë një herë e përgjithmonë, kurse për anën organizative, që ka edhe kjo një rëndësi të madhe, ata thonë: «Jemi specialistë të mbaruar» për këtë çështje.

Këto që po them i vërtetojnë ndodhitë e njëpasnjëshme që po analizojmë. Më 1966 morëm masa politike, shpjeguam “ideologjikisht thellë” dhe organizuam punët “aq mire”, saqë u kujtua se u kuptua me baza ç’është burokratizmi dhe si duhet luftuar ai. Mirëpo faktet vërtetojnë se nga disa asgjë nuk ishte kuptuar dhe organizuar si duhej. Pas atij operacioni, që u konsiderua i rëndësishëm, ç’na rezultoi? Diçka shumë më e rëndë, shumë më e rrezikshme. Dhe pse shumë më e rrezikshme? Sepse kjo ndodhi pas operacionit të parë që u tha se u kuptua rrezikshmëria e burokratizmit, të cilit po i vihej fre. Mirëpo, në fakt, ky fre ishte prej kashte dhe më në fund u hoq fare. Pse? Po na thuhet: “Na shkau nga dora, s’e parashikuam, u entuziazmuam”, etj. Jeta vërtetoi se rreziku i burokratizmit jo vetëm që politikisht dhe ideologjikisht nuk ishte kuptuar, por nga disa u morën masa të atilla organizative që të fryheshin aparatet, që burokratizmi të bëhej një gangrenë në administratat drejtuese të ekonomisë, të tregtisë, të Komisionit të Planit të Shtetit, të kulturës, të ushtrisë etj., të bëhej kështu një gangrenë për shtetin.

Njerëzit që hiqen sikur i dinë këto gjëra edhe teorikisht, edhe politikisht, në fakt nuk dinë mirë ç’është shteti i proletarëve, ç’është demokracia e proletariatit dhe ç’është, nga ana tjetër, administrata shtetërore,. nuk i kuptojnë teorikisht rëndësinë e njërës dhe të tjetrës, lidhjet dhe vartësitë në mes tyre, por këta njerëz arrijnë në konkluzionin e gabuar teorik të identifikojnë administratën me shtetin. Sipas tyre, po përmende termin administratë, me këtë duhet nënkuptuar shteti i proletarëve dhe këndej është fare lehtë të kalohet në praktikën që administrata të sundojë mbi shtetin dhe jo shteti mbi administratën. Shteti i proletarëve, ‘Diktatura e proletariatit’, nuk është vetëm administrata, por, në radhë të parë, është pushteti shtetëror i klasës punëtore ngadhënjimtare në revolucionin socialist që udhëhiqet nga Partia. Ky shtet ekziston për të shtypur armiqtë e klasës punëtore. Këtë gjë e kemi kuptuar, thonë.

Jo, nuk është plotësisht kështu, derisa nuk kuptohet dhe nuk ushtrohet si duhet nga ana e klasës punëtore dhe e masave të gjera të popullit pjesëmarrja aktive dhe e drejtpërdrejtë në qeverisjen e vendit, duke përfshirë sferën legjislative dhe ekzekutive në tërë gamën që ka përcaktuar Partia, që bazohet në leninizmin; në qoftë se këshillat popullorë nënvleftësohen dhe lihen formalë; në rast se në aparatet nuk vijnë njerëz të klasës dhe të masave punonjëse, ku të punojnë me temp revolucionar; në rast se çdo gjë nuk kontrollohet sipas normave të demokracisë proletare. Në qoftë se ne nuk do të mbështetemi fort në të gjitha tezat leniniste për këto probleme kapitale, atëherë mund të futemi në rrugën oportunisto-liberale. Nuk mjafton vetëm të flitet me terma marksistë dhe në praktikë të lejohet të zhvillohen pikëpamje borgjeze, liberale, revizioniste. T’i themi hapur këto mendime, të mos na vijë rëndë, t’i thellojmë ideologjikisht këto çështje, pse ka shokë që nuk i kuptojnë dhe s’bëjnë përpjekje t’i kuptojnë, prandaj thonë: «Na vret ndërgjegjja» dhe mjaftohen me kaq.

Çështja e shtetit është një problem kapital për Partinë dhe ka shumë rëndësi për klasën punëtore. Kuptimi i drejtë i rolit dhe i funksioneve të shtetit socialist është një çështje teorike e dorës së parë. Duhet ta kuptosh atë mirë teorikisht, që të mund të veprosh drejt edhe në praktikë. Deformimet teorike të fuqisë shtetërore të çojnë në një numër qorrsokaqesh që Marksi, Engelsi dhe Lenini, i kanë theksuar me forcë, duke demaskuar deri në fund rrymat antimarksiste për shtetin. Për ne komunistët dhe për klasën punëtore duhet të jetë e ngulitur mirë në kokë teoria marksiste-leniniste për shtetin. Të ruhemi nga deformimet mikroborgjeze, anarkiste, liberale etj. për teorinë tonë bazë. Ka njerëz që shumë herë hiqen sikur e njohin si duhet këtë çështje, por praktika ka vërtetuar shpesh boshllëqet në kuptimin e saj.

Ne dimë që shteti, në përgjithësi, është një organ i sundimit klasor, ai, siç thotë Engelsi, “…është produkti i shoqërisë” në një shkallë të caktuar te klasa jonë punëtore, në aleancë me fshatarësinë, fitoi me luftë dhe me violencë mori pushtetin, ua rrëmbeu atë çifligarëve e borgjezisë dhe, mbi gërmadhat e shtetit të vjetër feudo-borgjezo-fashist, krijoi shtetin e saj, diktaturën e proletariatit, që është një shtet, një forcë speciale për shtypjen e klasave shfrytëzuese nga klasat e të shfrytëzuarve. Kjo diktaturë e proletariatit krijon edhe aparatin e fuqisë së shtetit. Shteti, pra, siç na mësojnë klasikët tanë, është organizimi i violencës për zhdukjen e klasave të shfrytëzuesve. Shteti do të thotë proletariati i organizuar në klasë sunduese. Këtë mendim të madh të Marksit e kemi zbatuar në jetë dhe duhet ta kuptojmë thellë. Të kuptojmë mirë se klasa punëtore organizon edhe mjetet për ta ushtruar violencën kundër armiqve të saj dhe në interes të punonjësve, që do të thotë në interesin e gjithë popullit.

Derisa ekziston shteti, të kuptohet qartë se antagonizmat e klasave janë të papajtueshëm dhe nga kjo është e domosdoshme të kuptojmë si duhet rolin revolucionar të proletariatit, i cili është organizuar në një klasë sunduese, që do të thotë shteti. Po insistoj në këto parime marksiste-leniniste për rolin e proletariatit dhe të diktaturës së tij, sepse në praktikë po na shpëtojnë deformime në kuptimin dhe në zbatimin e prerogativave të saj. Po të marrim kuptimin teorik dhe praktik të funksionarëve të aparateve të shtetit, do të konstatojmë se ka funksionarë, si pjesëtarë të organeve të shoqërisë, që disa herë vihen mbi shoqërinë, mbi klasën; këta harrojnë se shoqëria dhe klasa janë mbi ta. Është gjetur si diçka e drejtë, edhe teorikisht, edhe praktikisht, që funksionarët e lartë dhe të mesëm të shtetit e të aparateve, të marrin rroga të larta. Po pse? Mësuesit tanë të mëdhenj, Marksi e, më pas, Lenini, kanë vënë në dukje se diferencat në paga duhet të jenë të vogla. Këtë mësim të vlefshëm për pagat, oportunistët e kanë konsideruar si një kërkesë të demokracisë primitive.

Këto mësime u harruan fare në Bashkimin Sovjetik, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore. Po edhe te ne, në Shqipëri, ka mbetur njëfarë fryme dhe mentaliteti i gabuar, sipas të cilit: “funksionarë të shtetit duhet të jenë vetëm ata me shkollë të lartë, ata duhet të drejtojnë dhe të kenë rrogat më të larta”. Kjo është në kundërshtim me atë që thotë Lenini. Ne i kemi dhënë arsim, qoftë edhe të mesëm, një shumice të madhe punëtorësh që mund të drejtojnë fare mirë çfarëdo pune shtetërore me një pagë normale të punëtorit, prandaj të zhdukim mentalitetin e kastës së njerëzve të privilegjuar, në mes të të cilëve kultivohen prepotenca dhe arroganca, prirja që aparatet të vihen mbi shtetin e të marrin kështu nëpër këmbë parimet marksiste-leniniste dhe normat e Partisë. Ne flasim kundër burokratizmit, por janë këta njerëz që e ushqejnë këtë të keqe; ne flasim kundër vënies së interesit personal mbi interesin e përgjithshëm, por me diferencat e mëdha të rrogave, e nxitim këtë interes personal; ne flasim kundër arrogancës dhe prepotencës, por hierarkia në administratat shtetërore (jo në funksionet organizative dhe në detyrat, por në rrogat e larta dhe në kuptimin mikroborgjez për vendin që mbahet në administratë), i krijon këto; ne flasim për mendjemadhësinë e njerëzve, por duhet të dimë se këtë e ushqen edhe mendimi borgjez i epërsisë në shoqëri dhe në pushtet i “njerëzve të mësuar”.

 

Të gjitha këto pikëpamje e të tjera të tilla spikatin në mjaft nga nëpunësit tanë që luftojnë për pozita në shtet, për rroga të larta, që luftojnë të ngjiten dhe zemërohen kur ulen në përgjegjësi, që e kanë shumë zët transferimin, qarkullimin dhe punën në bazë e konsiderojnë si një ofendim, si një padrejtësi, sikur puna dhe prodhimi i madh nuk janë në fabrika ose në fusha, por në ministri apo në zyra. Të gjitha këto botëkuptime filozofike jo të drejta, natyrisht, duhen ndrequr me një edukatë të shëndoshë politike dhe ideologjike, por kjo edukatë, po nuk u shoqërua edhe me masa praktike, nuk ka vlerë. Teoria duhet të gjejë zbatim në jetë. Gjithë këto aparate të fryra shtetërore dhe të kooperativave bujqësore, me këto mentalitete dhe botëkuptime që krijojnë te njerëzit, u kushtojnë shumë shtrenjtë nga ana politike dhe ekonomike shoqërisë sonë, punëtorëve dhe fshatarëve. Këto dy klasa mike, që janë baza shoqërore e shoqërisë sonë, të jemi më se të sigurt se janë në kundërshtim me aparatet e fryra dhe të kushtueshme.

Ato duan aparate revolucionare, kompetente, që ne i kemi krijuar, por i kemi fryrë, pa llogaritur as botëkuptimin e sëmurë që krijojnë stimujt, ditët e punës për gjëra pa bukë në kooperativa, orët pa punë në fabrika, lejet për të dhënë provimet ose për t’i marrë ato dhe për të mos i dhënë fare këto provime etj. Të gjitha këto janë bërë me lehtësi në kurriz të shoqërisë, sikur shteti ynë i proletarëve të notonte në bollëk. Dyqanet ia kemi çuar popullit deri te dera e shtëpisë dhe prapë ka njerëz që qahen, i kemi fokusuar ato me shitëse, të cilave ua kemi shtuar përqindjet e të ardhurave, gjoja që të mos vjedhin, kurse ato që duan të vjedhin, prapë do të vjedhin, po të mos ushtrohet kontroll nga masat dhe nga shteti. Prura një shembull në mes shumë të tjerëve, por ka gjëra edhe më serioze se këto. Prandaj, pa hezituar, çështjet që s’janë drejt, t’i vëmë në rrugë të drejtë. Duke u mbështetur në mësimet e klasikëve tanë, që përbëjnë një thesar të madh, të pashtershëm, të pazbuluar sa e si duhet nga ne dhe të pazbatuar me këmbëngulje, del detyrë t’u futemi thellë të gjitha këtyre problemeve që po analizojmë dhe të mos i konsiderojmë si çështje thjesht teknike.

Të mos luftojmë burokratizmin me forma dhe metoda burokratike, për të kuptojmë mirë, në radhë të parë ne, dhe t’ua bëjmë të qartë edhe të tjerëve, rëndësinë politike dhe ideologjike të problemeve dhe shembullin më parë ta japim ne se i kemi kuptuar ato dhe i kemi zbatuar drejt në jetë. Kur bëhen gabime, disa thonë: “Na vret ndërgjegjja”. Po pse? Kjo nuk shpjegohet thellë. Po pse nuk shpjegohet? Sepse ai që ka gabuar s’guxon të thellohet në shkaqet e vërteta të gabimit, se ai nuk ka marrë mundimin të studiojë thellë leninizmin dhe veprën e Partisë sonë. Dhe ka nga ata që tregohen shumë fodullë në këtë drejtim, domethënë në “pjekurinë e tyre politike”, derisa nuk u ka dalë kallaji. Abdyl Këllezi hiqet si “ekonomist i madh”, por si marksist, ai është shumë i dobët, bën gabime shumë të rënda. Derisa atij “i kanë shpëtuar këto gjëra”, sikurse deklaron vetë, ai ka dëmtuar ekonominë, ai nuk është ekonomist i mirë, pse nuk i kupton çështjet politikisht drejt, pse ideologjikisht jo vetëm është i përciptë, por i shikon edhe gabim, derisa lejon dhe ndihmon rrugën oportuniste, liberale e revizioniste të depërtojë në aparatet e shtetit.

Janë vërtetuar, në fakt, faje në këto drejtime, të cilat anëtarë të tjerë të Qeverisë, anëtarë të komiteteve ekzekutive të këshillave popullorë dhe sekretarë të Patisë të rretheve kanë bërë gabim që të tilla prirje nuk i kanë luftuar me kohë. Është e vërtetë se shumë gjëra nuk kuptohen drejt prej tyre: nga një sektarizëm i tepruar, nga një centralizëm burokratik i rreptë, kalojnë në një liberalizëm dhe në një decentralizëm burokratik të shfrenuar. Të tilla luhatje, që e kanë burimin në moskuptimin si duhet të teorisë së Partisë dhe të politikës së saj, nuk flasin për pjekuri marksiste. Po të thellohej autokritika në këto çështje dhe t’u bëhej një analizë e shëndoshë ideopolitike shkaqeve dhe pasojave të prirjeve negative, atëherë me të vërtetë «do ta vrasë ndërgjegjja» atë që ka gabuar. Partia na ka besuar vende të rëndësishme, prandaj çdo gjë që bëjmë ta mendojmë mirë, por të mos kujtojmë se pa ne shteti i proletarëve nuk mund të ecë përpara. Me njerëz të sëmurë dhe të pazotë, në rast se i lë të livadhisin, ky shtet mund të dobësohet dhe të shkatërrohet. Po pse mund të shkatërrohet? Disa mund të thonë: “Çfarë pyetje!? Këtë kush nuk e di”? E dinë, por jo të tërë e dinë dhe nuk luftojnë të tërë si duhet kundër të tillë njerëzve.

Atëherë duhet t’ua themi: Të sëmurët duhet të shërohen, duke ua vënë hapur në dukje fajet e tyre, t’i shërojnë Partia dhe klasa, por t’i shërojnë seriozisht, t’i dërgojnë në “spitale” dhe të sjellin në vend të tyre njerëz të shëndoshë nga çdo pikëpamje. Ky kontroll i sëmundjes dhe i të sëmurëve nuk duhet lejuar të bëhet i përciptë vetëm nga disa zyrtarë, nga drejtori ose shefi i kuadrit, por nga gjithë Partia, përpara gjithë Partisë, klasës dhe masës së punonjësve. Deri tash disa zyrtarë të mëdhenj dhe të mesëm të sëmurë i kanë shpëtuar në njëfarë mase “dajakut”, siç quan Lenini shtetin e proletarëve. Kemi demaskuar dhe kemi dënuar plot armiq dhe kryesorë, por shumë njerëz të tjerë, që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë gabime, shumë funksionarë që nuk punojnë ose që punojnë keq, i lëmë të drejtojnë, të zvarriten. Pse? Duhet të njohim një të keqe të madhe: këtu ka komprometim dhe sentimentalizëm të sëmurë. Duhet prerë me shpatë ky “komb Gordian”. Këta të komprometuar, liberalë, oportunistë e karrieristë, ‘Diktaturën e proletariatit’ e konsiderojnë si “një republikë shokësh” dhe kështu këta “gjeneralë” civilë, mendojnë se bëhen të paprekshëm.

Kiço Ngjela është bërë një i tillë. Ç’nuk janë mbledhur në Ministrinë e Tregtisë, ku drejton ai! Pesë nëpunës kryesorë dhe jo të shëndoshë të asaj ministrie, kanë gra të huaja, sovjetike etj. A nuk është e habitshme që këta i mban Kiço Ngjela në Tregtinë e Jashtme? Pse i mban dhe i mbron Kiço Ngjela këta njerëz? E dini ç’i tha Vasil Kati, ndihmësi kryesor i Kiço Ngjelës, Lipe Nashit, kur ky u pushua dhe ishte në pragun e arrestimit? “Mos u mërzit, se të marrim ne në Ministrinë e Tregtisë”. “Ky ministri ynë (Kiço Ngjela), vazhdoi t’i thoshte Vasil Kati Lipe Nashit, i mbron kuadrot e ministrisë, kurse ai juaji (Koço Theodhosi) nuk i mbron”. Ky është mendimi i Vasil Katit, por në fakt që të dy ministrat i mbrojnë kuadrot e tyre edhe kur s’duhen mbrojtur. Me gjithë dënimet që i’u dhanë Lipe Nashit, vete Zenel Hamiti dhe i thotë: “Pse mërzitesh, do të të emërojmë drejtor të Rafinerisë së madhe të Ballshit”. I venin edhe në shtëpi dhe e mbanin me “gajret” këtë armik, këtë sabotator! Pse tentojnë të na e fshehin, siç bëri Koço Theodhosi, pjekjen misterioze me Pirro Gushon e Lipe Nashin, kur ky i fundit u kthye nga Gjermania Perëndimore?

Pse vajti Lipe Nashi në Gjermani? Pse caktuat Lipen dhe jo ndonjë specialist? Më parë, siç na tha Koçoja këtu, kishin vajtur 4-5 specialistë të tjerë për atë problem, të cilët bënë dhe tratativat për çmimin. Pastaj ju i thatë Lipe Nashit: “Shko ta blesh ti”! Këtë deshëm të dinim ne: Pse e dërguat Lipe Nashin, kur atë pajisje mund ta blinte dhe specialisti? Ç’do të na thoni për dy inxhinierët që kanë vajtur jashtë të shoqëruar nga njerëzit e firmave perëndimore dhe shoqëritë e huaja u kanë hapur dyert këtyre “bukuroshëve” tanë dhe u kanë treguar se si i bëjnë puset në thellësi të mëdha? Po për atë rastin e “specialistit” tjetër të huaj, i cili tha që të shfrytëzojmë gëlqerorët, dhe që pasi Lipja ta thotë ty, ti jep urdhër që të zbatohet porosia e tij?! Ti, Koço, je anëtar i Byrosë Politike. Kështu i kupton e i zbaton vendimet e Partisë? Kështu, në tym, dëgjon gjërat që të thuhen? Nuk mund të na i thoni dhe të na i analizoni një çikë qëllimet e errëta dhe misterioze të këtyre takimeve? Këto qëndrime të dyshimta të mos na i mbyllni kalimthi me një “e kam ndërgjegjen të vrarë”.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

'UFO-t' në qiellin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, misteri i dronëve që Pentagoni nuk mund ta shpjegojë (VIDEO)

'UFO-t' në qiellin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, misteri i dronëve që Pentagoni nuk mund ta shpjegojë (VIDEO)