Sipas kësaj të fundit që i referohet pjesëtarëve të familjes së Indrit Veliut, autorit të dyshuar të vrasjes së mbetur në tentativë të Hoxhës, krimi ka pasur si motiv një konflikt për motive nderi mes Hoxhës dhe ish- bodigardi të tij ka ndodhur për shkaqe femrash. Ky është së paku versioni që japin pjesëtarët e familjes së Veliut, në lidhje me plagosjen e rëndë të Hoxhës.
Kreu i INUV-it të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha, nga ana tjetër gjatë një bisede telefonike me gazetën “Shekulli” mohoi që ai të kishte pasur një konflikt të tij, apo të kishte kryer veprime të tilla dhe të kishte pasur ndonjë konflikt për motive nderi me ish- bodigardi e tij. Ndërkaq babai dhe vëllezërit e të dyshuarit për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Hoxhës, gjatë dhënies së deklarimeve të tyre në komisariatin e policisë nr.4, kanë dhënë versionin se sipas tyre Indriti kishte tentuar të vriste Hoxhën, pasi ky ky i fundit sipas tyre kishte ngacmuar gruan Indritit. Sipas pretendimit të tyre disa ditë më parë, Florenc Hoxha kishte bërë një thirrje në telefonin celular të bashkëshortes së Indritit.
Gruaja sipas tyre ia kishte dhënë telefonin bashkëshortit të saj, duke kërkuar që ai t’i fliste personit që kishte telefonuar pasi po e ngacmonte. Sipas rrëfimit të të afërmve të Veliut, kur Indriti e kishte marrë më pas në telefon kishte kërkuar të fliste me të, personi kishte mbyllur telefonin. Më pas po sipas rrëfimit të të afërmve të të kërkuarit në polici, Veliu kishte telefonuar në të njëjtin numër telefoni personi, por duke përdorur një telefon tjetër . Gjatë komunikimit me këtë person në telefon ka kuptuar në zë se personi ishte ish- shefi i tij, Florenc Hoxha, por ky i kishte mbyllur telefonin. Më pas sipas policisë, ish- bodigardi i Hoxhës ka telefonuar djalin e tezes së tij, duke i kërkuar që kreu i INUV-it t’i dilte në telefon Mirë po edhe në këtë rast Hoxha, sipas pretendimit të familjarëve nuk është përgjigjur në telefon. Kjo situatë sipas tyre ka shkaktuar edhe acarimin e Indritit çka ka bërë që ai të shkonte të debatonte me Hoxhën, ndërsa ata janë konfliktuar së bashku, duke shkuar deri në goditjen me thikë të Hoxhës së paku tri herë, në shpatull dhe në ije.
Ky është shkaku i konfliktit sipas burimeve të policisë, së paku sipas versionit të dhënë nga të afërmit e autorit të dyshuar të vrasjes së mbetur në tentativë. Nga ana tjetër hetuesit thanë se veç këtij versioni ata po verifikojnë edhe pista të tjera lidhur me ngjarjen siç është mundësia që ngjarja të jetë një hakmarrje lidhur me faktin se së paku një muaj e gjysmë më parë, Hoxha kishte larguar nga puna si shoqërues të tij që e mbante. “E largova sepse abuzonte në emrin tim dhe në emrin e institucionit që unë drejtoj tha Hoxha”. Nga ana tjetër hetuesit e policisë kanë dyshime se plagosja e të enjtes mund të ketë lidhje me ngjarjen e muajit gusht të këtij, ku mbeti i plagosur një person në fshatin Priskë. Edhe në këtë rast, Hoxha mohoi që ky person të ketë qenë i përshirë, duke pohuar se Veliu nuk ka qenë i pranishëm në ngjarje dhe as në listën e personave të shoqëruar nga policia në Komisariatin e Policisë nr.4. Florenc Hoxha, Drejtor Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) të bashkisë së Tiranës, mbeti i plagosur mbrëmjen e të enjtes në një lokal në fshatin Farkë të Komunës së Dajtit, pasi u godit tri herë me thikë në shpatull dhe në ije. Pas plagosjes, Hoxha u përcoll për në spital, ku edhe i është nënshtruar ndërhyrjes mjekësore duke kaluar rrezikun për jetën. Policia pas ngjarjes shoqëroi në polici të afërmit e autorit të dyshuar të krimit si dhe persona të tjerë që sipas hetuesve kanë qenë dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes.
Florenc Hoxha: Alibia e familjes së autorit e pavërtetë
Në lidhje me plagosjen e ndodhur të enjten kreu i INUV-it të bashkisë së Tiranës, reagoi duke pohuar se personi që e kishte goditur në momentin e ngjarjes kishte qenë në gjendje të droguar. “Është një version që nuk qëndron aspak dhe nuk është fare e vërtetë”,- tha Hoxha. Nëpërmjet linjës telefonike Hoxha tha se ky është një version i sajuar mbase nga policia apo nga familja e Veliut. “Nuk di se çfarë apo kush mund ta ketë shtyrë këtë person të bëjë atë veprim. Di që në atë moment ai ka qenë totalisht i droguar. Nuk di ndonjë arsye që mund të ketë pasur ai për të më goditur mua, por di se ai ka qenë i droguar”,- tha Hoxha për “Shekullin”. Sipas tij, ai ka qenë në lokal, kur në mënyrë të befasishme ai erdhi dhe e goditi në shpatull dhe në ijë. “Kam qenë në lokal, kur ai në mënyrë të papritur ka ardhur në mënyrë të befasishme kur ai është afruar dhe më ka goditur shpinë dhe në ije.
Kam tri plagë në shpatull dhe në ije. Sa për pretendimin e ngritur nga familja se unë kam pasur konflikt për çështje nderi me këtë person mund t’ju them se numrat e mi të telefonave janë të verifikueshëm, janë lehtësisht të faktueshme, për të zbuluar se me cilët numra apo persona kam komunikuar unë me numrat e mi. Është një sajesë për motive të cilat nuk i di, por se kjo nuk qëndron. Unë mendoj se ai mund të jetë shtyrë nga dikush tjetër për arsye që nuk i di”,- tha Hoxha.
Ai pohoi se nuk ka pasur konflikte me këtë person, ndonëse ka dyshime se tentativa e vrasjes ndaj tij e kryer nga ish- bodigardi mund të ketë ardhur jo vetëm se ishte shtyrë nga ndonjë person, por edhe se ai mund ketë tentuar të hakmerret ndaj tij për faktin se ai e kishte larguar nga puna. Sa për Albert Isufin ai tha se nuk ka konflikte pronësie me të.
Marrë nga "Shekulli"
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)