Pas kërkesës së dorëzuar në Kuvend nga Partia Demokratike e cila kërkon mbarimin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Rakip Suli, për konfliktin e interesit me OSHEE për shkak të marrjes nga ky i fundit me qera të një godine në pronësi të djalit të deputetit, siç pretendon PD, ka reaguar Suli.
 
Akuzave të PD-së për përfitime nga fondet publike të OSHEE, Suli i është përgjigjur, duke thënë se nuk ka asnjë konflikt interesi pasi ai i ka shkëputur të gjitha lidhjet me shoqërinë ku i biri është aksioner.
 
“Në lidhje me aktivitetin që kam patur para marrjes së mandatit, jam çliruar plotësisht nga interesat e mija ekonomike që lidhen me shoqërinë “Aurora Group”, sipas ligjit të mësipërm, këto të reflektuara në QKR. Djali im madhor dhe i ndarë nga unë, është një ndër aksionerët e shoqërisë. Në ushtrim të aktivitetit të shoqërisë nga ana e administratorit Njazi Marku, është lidhur një kontratë qeraje me OSHEE-në për një afat provizor, e cila është në varësi të ekzekutivit dhe jo të Kuvendit të Shqipërisë pjesë e të cilit jam si deputet,” sqaron Suli.
 
Ja reagimi i plotë i deputetit Rakip Suli
Në respekt të opinionit publik po përcjell reagimin tim ligjor lidhur me pretendimet e ngritura në deklaratën për shtyp të Partisë Demokratike të datës 16.12.2015:
Unë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Rakip Suli, nga momenti i marrjes së mandatit të deputetit nuk kam asnjë konflikt ligjor që ka të bëjë me kufizimet për deputetin, kjo bazuar në nenin 28 të Ligjit Nr.9367 datë 07.04.2005 “ Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.
Në lidhje me aktivitetin që kam patur para marrjes së mandatit, jam çliruar plotësisht nga interesat e mija ekonomike që lidhen me shoqërinë “Aurora Group”, sipas ligjit të mësipërm, këto të reflektuara në QKR.

Djali im madhor dhe i ndarë nga unë, është një ndër aksionerët e shoqërisë. Në ushtrim të aktivitetit të shoqërisë nga ana e administratorit Njazi Marku, është lidhur një kontratë qeraje me OSHEE-në për një afat provizor, e cila është në varësi të ekzekutivit dhe jo të Kuvendit të Shqipërisë pjesë e të cilit jam si deputet.
Në nenin 21 pika 3 gërma “a” të Ligjit të lartpërmendur, është përcaktuar në mënyrë shterruese se, ndalimi i lidhjes së kontratave përfshin vetëm zyrtarët që ushtrojnë funksionet në institucionin publik dhe që ka për kompetencë thelbësore dhe përcaktuese në vendimmarrjen e procesit të vlerësimit të ofruesve dhe të ofertave apo në përcaktimin e termave të kontratës. Thënë ndryshe, funksioni i deputetit në rastin konkret është jashtë ndalimeve të ligjit për konfliktin e interesit.

Kjo bëhet më evidente, parë edhe në këndvështrim të nenit 35 paragrafi i katërt i këtij Ligji, i cili bën fjalë për praninë e interesave tek personat e lidhur me zyrtarin, sipas të cilit, këta të fundit nuk mund të ushtrojnë veprimtari si person fizik, tregëtar, ose ortakëri personash fizik, tregëtar të cdo lloj forme, nëse veprimtaria përputhet ose pritet me sferën e juridiksionit të zyrtarit dhe të kompetencës së tij, për të vepruar me akte individuale apo normative të nxjerra nga ai, ose kur zyrtari ka rol thelbësor dhe përcaktues në nxjerrjen e këtyre akteve të cilat krijojnë pasoja juridike, përfitime ose kosto mbi këtë person fizik apo mbi shoqëritë tregëtare e persona të tjerë fizikë, që bashkëpunojnë ose konkurojnë me personin e lidhur. Qartësisht pozita ime si deputet nuk ka asnjë lloj lidhje me përcaktimet ligjore të cituara në këtë paragraf.

Tendencioziteti duket edhe ne faktin se, vlera vjetore për të cilën bëhet fjalë në këtë kontratë është më e vogël se kufiri i vendosur në nenin 35, paragrafi 4, gërma “b” të Ligjit Nr. 9367 datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar.

Duhet të sqaroj se shoqëria ku është aksioner djali im nuk ka pozita dominuese ne treg sipas kërkesave të nenit 28 germa “c” dhe 34 të Ligjit të sipërcituar dhe veprimtaria e shoqërisë “Aurora Group”, nuk ka lidhje fare me objektin e kontratës së qerasë në fjalë .

Për kontratën e qerasë unë si deputet nuk kam asnjë atribut, s`jam pjesë e organeve vendimarrëse për të ndikuar apo për të lidhur kontrata sipas përcaktimeve të neneve 4/1; 4/2; 21 dhe në tërsi me frymën e Ligjit për konfliktin e interesit i ndryshuar.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)