Në Kosovë largimi i kapitenit Amir Rrahmani ka bërë shumë përshtypje, pasi mbrojtësi pjesë e Napolit, akuzoi Federatën e Futbollit të Kosovës, se e sulmon vazhdimisht prej 2 vitesh. Madje Rrahmani nuk e la me kaq, por njoftoi se do ta ndjekë çështjen në rrugë gjyqsore. Për këtë temë foli sot trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, i cili kërkoi më shumë qetësi e vëtëpërmbajtje.

“Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahamani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë. Por të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj do të jenë atje të hënën dhe do të përgatiten për ndeshjet së bashku me mua.

Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë,”-u shpreh Foda.

Më herët u fol edhe për faktin se disa lojtarë me peshë te Kosova do ta bojkotinin përfaqësuesen për t’i dalë në krah Rrahmanit. Në shumë media është shkruar se futbollistët kanë pakënaqësi ndaj drejtuesve të federatës.

E ndërkohë që kjo vijon të flitet ndeshjet e ardhshme të Kosovës në Ligën e Kombeve po afrohen. ‘Dardanët’ do të përballen me Irlandën në Prishtinë me 24 shtator, me Austrinë në transfertë me 27 shtator, me Izraelin në transfertë me 1 tetor dhe kundër Austrisë me 4 tetor në Prishtinë.