TIRANË- “Britania synon shqiptarët për të justifikuar dështimet e politikave, thotë kryeministri i vendit” është titulli i prestigjiozes ‘The Guardian’.

“Kriza e migrantëve/ Kryeministri shqiptar i thotë Britanisë që 'të mos fajësojë njerëzit tanë punëtorë'”, shkuan ‘The Times

“Ndaloni së diskriminimi ndaj shqiptarëve”, i thotë qeverisë britanike kryeministri i vendit Edi Rama”, është titulli i ‘Sky News’...janë këto disa nga titujt e mediave prestigjioze ndërkombëtare, të cilat kanë pasqyruar përgjigjen e kryeministrit Edi Rama ndaj politikanes britanike Suella Braverman kundër emigrantëve shqiptarë.

‘The Guardian’e ka nisur shkrimin e saj duke thënë se Rama ka akuzuar qeverinë e Rishi Sunak se “po përdor shqiptarët si koka turku” për të justifikuar politikat e dështuara të emigracionit.

“Kryeministri shqiptar ka akuzuar qeverinë e Rishi Sunak se po përdor qytetarët e vendit të tij si koka turku për politikat e dështuara të emigracionit pas komenteve kritike të Suella Braverman për azilkërkuesit shqiptarë. Edi Rama shkroi se Britania e Madhe po sulmonte në mënyrë të rremë shqiptarët “si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare”. Në një seri postimesh në Tëitter, ai i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar që “të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin [kundër] shqiptarëve”, shkruan ‘The Guardian’.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ‘The Times’.

“Kryeministri i Shqipërisë ka dënuar retorikën kundër emigrantëve të Suella Braverman dhe tha se Britania duhet ta trajtojë vendin e tij me "respekt" nëse dëshiron të arrijë një marrëveshje kthimi. Edi Rama tha se ishte “çmenduri” të fajësosh emigrantët shqiptarë si shkakun e krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare. Ai e sulmoi Braverman-in për gjuhën që ajo përdori këtë javë kur ajo e përshkroi krizën e emigrantëve në Channel si një "pushtim" dhe e akuzoi atë duke përdorur "retorikë të lehtë" për të fshehur dështimet e politikave”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e tyre.

Mediat britanike kanë shkruar sot se emigracioni masiv i të rinjve shqiptarë është kthyer në problematikë të madhe dhe se ministrat britanikë po hartojnë plane për të deportuar mijëra azilkërkues shqiptarë pothuajse menjëherë pasi ata mbërrijnë me gomone në Britaninë e Madhe. Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman tha dy ditë më parë se vendi përballet me një "pushtim" nga njerëzit që përshkojnë me varka kanalin anglez, ndërsa reagoi ndaj presionit në rritje për shkeljet e saj të përsëritura të sigurisë. Pikërisht për këto akuza, kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke dhënë shifra e duke thënë se shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Ai kritikoi qëndrimin e Britanisë, sipas së cilit po përdor një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit.