Dosja 339/ PD akuza Dakos: Rama ka kyçur provat për masakrën elektorale në Durrës. Kryebashkiaku: Padi edhe për Vokshin, zonjë gënjeshtare

Partia Demokratike përmes deputetes Albana Vokshi, vijoi ditën e sotme akuzat ndaj qeverisë duke deklaruar se ajo po mban kyçur në zyrat e prokurorisë provat, në lidhjen me dosjen ‘339’, që sipas saj dërgojnë në burg Kryetarin e Bashkisë së Durrësit , Vangjush Dakon.   

Në emrin e PD-së, deputetja Vokshi tha se  Vangjush Dako duhet arrestuar sa më parë pasi, sipas saj përgjimet e dosjes “339”, janë një provë e qartë që tregojnë se ky i fundit, ka kryer një krim elektoral në kohën e zgjedhjeve duke vjedhur votat në bashkëpunim me bandat e drogës dhe se prej atëherë ai është në komunikim të vazhdueshëm me to, ndaj meriton të jetë në burg.   

Dosja “339” që Edi Rama po e mban te kyçur në sirtarët e Prokurorisë është prova që çon në burg Vangjush Dakon si autor i masakrës elektorale në qarkun e Durrësit, në bashkëpunim me bandat. Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blera për tepsinë e Edi Ramës. Dosja “339-a” është faktimi i asaj që panë vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, kur raportuan se vota në Shqipëri u ble, se qytetarët nuk votuan të lirë dhe votuesit u kërcënuan dhe u shtrënguan nga bandat, siç është rasti i Durrësit.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi

Ndërkohë, nuk ka vonuar përgjigjia e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, i cili përmes një statusi në faqen e tij në Facebook e ka cilësuar atë një zonjë të papërmbajtur dhe një politikane të pandershme që as nuk skuqet, as nuk zverdhet kur gënjen para elektoratit të saj. Dako ka deklaruar se përveç padisë për Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn dhe Sali Berishën do të ngrejë me kënaqësi do të ngrejë padi për shpifje edhe ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi.

Postimi i plotë i Vangjush Dakos:

Me shumë kënaqësi do të ngre padinë për shpifje edhe për zonjën Vokshi, të cilën kam pasur rastin ta ndjek nga afër në fushatat e saj të ulëta si deputete e Durrësit jo shumë kohë më parë! Një zonjë e papërmbajtur në fjalor, në gënjeshtra dhe në injorancën e saj ekstremiste. Një politikane që e bën të bardhën të zezë dhe anasjelltas dhe që as nuk skuqet as nuk zverdhet, kur gënjen elektoratin. Aq gënjeshtare është kjo politikane sa që akoma sot nuk mbarojnë barcaletat për të në katundet ku kujtoi se gjeti budallenj për t'ju marrë votën! Mori atë që meritonte dhe sot vazhdon po njësoj, tamam njeriu që krijoi Saliu. Në gjykatë e panderuara zonja Vokshi, aty silli provat e fajësisë time ose pastaj dihet, lekët për Fondin e Edukimit!

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako

Por sërish ka reaguar Vokshi, e cila i është kundërpërgjigjur sërish Dakos.  Përmes një postimi në Facebook, Vokshi i cilëson deklaratat e Kryebashkiakut të Durrësit, Dako vetëm “barcaleta monotone” që sipas saj, shumë shpejt do e dërgojnë atë në burg bashkë me bashkëpunëtorët e tij, të krimit. Sipas Vokshit, statuset e rëndomta të shkruara në dëshpërim, as kërcënimet me padi, nuk e shpëtojnë dot nga destinacioni i rradhës burgu.

Postimi i plotë i Albana Vokshit:

DOSJA Nr. 339 "BËRTET" SHUMË FORT

Më vjen mirë që Zoti Dako ka filluar të mbledhë barcaleta.

Thuhet, se ditët në burg janë monotone, e të fortët i shtyjnë me barcaleta dhe me anekdota.

Është përgatitje e mirë për të ardhmen që e pret. Banditët politikë dhe banditët e rrugës do të përfundojnë në burg që të clirohet Durrësi dhe gjithë Shqipëria nga krimi, betoni dhe xhuxhëria njerëzore dhe mendore.

Dosja nr. 339 "bërtet" shumë fort.

As statuset e rëndomta të shkruara në dëshpërim, as kërcënimet me padi, nuk e shpëtojnë dot z. Dako nga destinacioni i rradhës: burgu.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi

 

Vijojnë akuzat dhe kundër-akuzat mes deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi dhe Kryebashkiakut të Durrësit. Pas një reagimi të Vokshit në faqen e Facebook-ut , ka ardhur edhe reagimi i dytë brenda ditës i Kreut të Bashkisë së Durrësit ,Vangjush Dako.

“Kollaj të bërtasësh fort kur s'ke gjykatësin mbi kokë, po hajde ta shofim njëherë sa do bërtasesh kur të jesh në këmbë atje”, i përgjigjet Dako deputetes demokrate, e cila pak më parë shkruante në postimin e saj se dosja 339 “bërtet fort”.

Postimi i plotë i Vangjush Dakos:

“Shih shih, më qenka pergjigjur Albana Vokshi bo bo bo!.. Tamam siç është dhe sic e tregojne, tallagjare që s’i ndahet tjetrit.. Bërtet fort dosja thotë! Po shumë mirë, hajde në gjyq të të shohin edhe gjykatësit kur të bërtasësh fort! Vetëm për kërcënim mos akuzo se kjo nuk pranohet. Padia është qytetari jo kërcënim. Kollaj të bërtasësh fort kur s’ke gjykatësin mbi kokë, po hajde ta shofim njëherë sa do bërtasesh kur të jesh në këmbë atje”.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako

 Ndërkohë, prej kohësh Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, se është i lidhur me bandën e Avdylajve. Akuzat e PD, lidhen me disa përgjime që kanë dalë në media, ku Dako komunikon me njërin nga anëtarët e bandës së Avdylajve, Altin Avdylaj. Sipas PD, Dako bashkëpunoi me Avdylajt për të blerë votat në Durrës, por këto akuza janë hedhur poshtë nga kryebashkiaku, i cili ka thënë se komunikimet me Avdylajt kanë qenë në kuadër të fushatave elektorale dhe pa asnjë prapavijë kriminale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:18
Vokshi ‘replikën’ e fundit me Dakon: Intimidim verbal dhe vulg i koduar, kam vetëm një pyetje

Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka vijuar replikat në distancë me kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Në një postim në Facebook, Vokshi thotë se Dako flet me kode dhe përdor intimidimin verbal, siç bëjnë politikanët që janë të lidhur me mafien në Itali.

Replika e Vokshit, vjen pas paralajmërimit të Dakos për një padi për shpifje, pas akuzave që demokratja drejtoi për krim elektoral dhe lidhje me bandën e Avdylajve.

Vokshi shkruan:

E folura me kode dhe intimidimi verbal I z. Dako është një tregues shumë I rëndësishëm. Në të njëjtën mënyrë kundërpërgjigjeshin ndaj atyre që thonin fakte e të vërtetat, politikanët që rezultuan të lidhur me mafian në shtetin Italian, ku z. Dako ka qenë emigrant dikur. Vulgu I koduar dhe shantazhi në emër të ligjit, janë dy karakteristika të kësaj rrace politikanësh.

Kjo është replika ime e fundit. 

Kam vetëm një pyetje për z. Dako: 

Mirë mua do më cosh në gjyq, po dosjes hetimore "339" cfarë do t'i bësh??

Reagimi i Albana Vokshit në Facebook
//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elbasani: 11/11/2018 01:34

    Ça eshte kjo Sekretarja e Prokuroria qe permend numra dosjesh?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja