Në një prononcim për mediat, Braçe tha se hetimi kërkohet në mbështetje të dyshimeve për praktika korruptive në procedurën e ndjekur për dhënien e këtij koncesioni dhe në tregtimin e kuotave të kuotave përgjegjëse për menaxhimin e këtij koncesioni. “Vlera e kontratës koncesionare pavarësisht ndërhyrjeve që ne kemi bërë vazhdon të jetë e lartë dhe është një vlerë prej gati 250 milionë eurosh e cila rëndon drejtpërdrejt mbi kompanitë apo individët”, tha Braçe.
Braçe hodhi dyshime mbi mënyrën e lidhjes së kontratës si dhe shitjen e 49% të aksioneve për një vlerë 490 lekë, në kushtet kur sipas tij, këto kuota për në periudhë të gjatë kohore kanë qenë peng në një bankë të nivelit të dytë, në Shqipëri, për shkak të një kredie të marrë që shkon në vlerën e 2 milionë eurove. “Të lesh peng kuotat e një kompanie që vlejnë 490 lekë për një kredi në vlerë 2 milionë euro është e pabesueshme”, tha Braçe, ndërsa shtoi se “besoj se ka qenë detyrim për të shpërblyer favoret”.
Autoritetet respektive duke nisur nga ministria e Financave e deri te Prokuroria, deklaroi Braçe, të hetojnë këtë dyshim. “Unë do të vendos në dispozicion të tyre të gjithë dosjen”, u shpreh ai. Kreu i komisionit të Ekonomisë, Braçe duke siguroi se maxhoranca në komision është e vendosur të çojë deri në fund hetimin për këtë kontratë. “Në dijeninë time janë ndërmarrë disa hapa nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për të administruar faktet e reja që kanë dalë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe ky akt i sotëm vlen për nxitjen e mëtejshme të autoriteteve për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje”, u shpreh Braçe.
Braçe po ashtu, apeloi ish ministrin e Financave në qeverisjen e djathtë që ka firmosur kontratën, Ridvan Bode të flasë lidhur me këtë kontratë, pasi vijoi Braçe, në memon e tij drejtuar ish-kryeministrit Sali Berisha e vinte në dijeni të këtyre fakteve. “Në mënyrë të qartë i thotë se ka diferenca të mëdha në terma financiare nga propozimi i pa kërkuar deri te kontrata. I thotë se edhe konsulenti i kontraktuar nga qeveria shqiptare vëren këtë fakt dhe çmimet shumë të larta. Ish ministri i Financave duhet të flasë tani”, tha Braçe. Rapiscan Systems Inc. me bazë në Kaliforni dhe kompania bijë e regjistruar në Shqipëri, S2 Albania fituan një kontratë koncesionare 15-vjeçare për skanimin e kontenierëve nga qeveria e e djathtë nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha në vitin 2011. Kontrata u miratua në Parlament dy vjet më vonë dhe hyri në fuqi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Pak muaj më vonë, në shtator 2013, Rapiscan Systems Inc. shiti 49% të aksioneve të kompanisë koncesionare te kompania shqiptare ICMS shpk. Sipas kontratës së depozituar në QKR, shitja e 49 për qind të aksioneve u bë për vetëm 490 lekë. Kur ishte në opozitë, Partia Socialiste e denoncoi koncesionin e skanimit si aferë korruptive të qeverisë “Berisha” dhe me të ardhur në pushtet në vitin 2013, nisi procedurat për prishjen e kontratës por u përball shpejt me një padi në arbitrazh.
Në vitin 2015 qeveria shqiptare u tërhoq nga vendimi për anulimin e koncesionit të skanimit të konteinierëve në dogana. Rinegociimi i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë, sipas autoriteteve qeveritare mundëson ofrimin e shërbimit kundrejt disa kushteve të reja, sipas të cilave, biznesi do të paguajë më pak për shërbimin e skanimit të konteinierëve. Ndryshimi i kushteve të kontratës për kompaninë sjell jo vetëm shmangien e një gjyqi në arbitrazhin ndërkombëtar, por mundëson edhe uljen e kostos së kontratës me 108 milion euro. Në Gjykatën e Arbitrazhit, kompania “Rapiscan” kishte kërkuar dëmshpërblim 350 milionë euro nga pala shqiptare.
Ka një diskordancë të thellë mes termave financare të paraqitur nga Rapiscan, drejtuar qeverisë së kohës, të Sali Berishës. Koncesioni është nisur nga një ofertë e pakërkuar nga qeveria. Në mënyrë të qërtë është favorizuar Rapiscan nga dokumenti i parë, nga propozimi i pakërkuar deri në kontratën finale, që është nënshkruar pas një gare ku i vetmi konkurrent ka qenë Rapiscan. Jemi të vendosur për të çuar përpara këtë hetim.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO







