Në një deklaratë për shtyp Partia Demokratike, shkruan se përbuz të gjitha akuzat që janë bërë në drejtim të kreut demokrat Lulzim Basha në lidhje me rolin e tij në raportin e Dick Marty kur punonte në UNMIK.

Sipas deklaratës së selisë blu, Basha në asnjë ditë punës së tij në UNMIK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të UÇK-së. Po sipas PD, ky është një fakt i konfirmuar edhe nga ish- Kryeprokurori i EULEX, Williamson.

Kësaj deklarate i është kthyer përgjigje menjëherë nga kryeministri Edi Rama, i cili i ka bërë thirrje Bashës të dalë vetë të flasë për akuzat dhe jo të përdorë partinë, të cilën shkruan se e ka bërë leckë për këpucët e tij. Pas Ramës, reagoi edhe vetë Basha, i cili ka përsëri ka ndërruar temë dhe teksa thotë se Rama po gënjen i bën thirrje të kujdeset për qytetarët me COVID.

"Partia Demokratike përbuz me neveri maskaradën e orkestruar nga Edi Rama dhe Top Channel kundër kreut të opozitës Lulzim Basha. Deklaratat e fabrikuara  janë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës dhe të pasurimit të paligjshëm të mercenarëve të tij, të fshehur pas incineratorëve. Në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK, Lulzim Basha nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të UÇK-së. Ky është një fakt i konfirmuar edhe nga ish- Kryeprokurori i EULEX, Ëilliamson. Deklaratat e rreme të orkestruara nga Edi Rama nuk dëmtojnë aspak Lulzim Bashën. Ato shkojnë kundër interesit kombëtar, duke dëmtuar imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë", thotë PD.

 Këto akuza sipas PD janë skenarë për të dëmtuar në zgjedhje kreun demokrat.

"Sa herë është para humbjes së zgjedhjeve, Edi Rama zbaton të njëjtin skenar shpifjesh kundër Lulzim Bashës. E bëri atë në 2005-ën, në 2011-ën dhe po riciklon sërish skenaret e denja për Sigurimin e Shtetit. Të tillë skenarë imagjinarë kundër Lulzim Bashës do të dëgjoni pa ndërprerje deri në 25 Prill! Rama nuk ka asnjë alternativë dhe nuk ka me çfarë ta mbulojë tjetër dështimin e 8 vitëve në pushtet. Përbuzeni Edi Ramën dhe mercenarët e tij", thuhet më tej në deklaratë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:38
Basha: Rama thotë gënjeshtra kundër meje, të investojë kohën në shërbim të qytetarëve që po vdesin nga COVID

Kreu demokrat Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pasi kryeministri Edi Rama i tha të dalë të tregojë të vërtetën pas akuzave që i janë bërë nga dëshmitarët e masakrave në Kosovë.

Basha ka ndërruar "pllakë" dhe ndërsa thotë se Rama po hedh gënjeshtra ndaj tij, i kërkon që t'u kushtojë vëmendje qytetarëve që po humbin jetën nga COVID.

"Nëse Rama do kishte investuar kohën e tij sot, në shërbim të qytetarëve në vend që të cicëronte gënjeshtra kundër meje, mbase do të kishte arritur të shpëtonte disa nga 8 qytetarët që humbën jetën nga Covid-19 sot.

Ndërsa vendi po thyen rekordet e infeksioneve, Rama merret vetëm me sulme politike dhe gënjeshtra. Bashkë do të sjellim shpresë të re për Shqipërine me një qeveri që do të punojë vetëm për njerëzit", shkruan Basha.

Ora 21:09
Rama i kthehet Bashës: E ke bërë partinë si leckë për këpucët e tua! Dil fol vetë për akuzat që nuk t'i bëj unë, po dëshmitarë të masakrave

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës të bërë nga PD e cila hidhte poshtë të gjitha akuzat e bëra ndaj kreut demokrat Lulzim Basha në lidhje me përfshirjen e tij në raportin e Dick Marty apo në hetimin e drejtuesve  të UÇK-së.

Rama i thotë Bashës se e ka bërë partinë leckë, ndërsa i bën apel të dalë e të flasë vetë për akuzat. Këtu shton se ai ka bërë rolin që i takon duke i kërkuar të sqarojë publikisht rolin e tij.

"Lulëzim e bërë atë parti si leckë për këpucët e tua! Dil fol vetë për akuzat që nuk t'i bëj unë, po dëshmitarë të masakrave e të betejave për liri në Kosovë, që as i njoh as i kam takuar kurrë! Sharjet e akuzat ndaj meje nuk janë as argumenta, as shpjegime, po thjesht bishtnime!

Në këtë mes unë kam vetëm rolin që më takon: Të të kërkoj t'i sqarosh publikut kush je ti në këtë mes dhe pse të kërkojnë ty dëshmitarët e nuk kërkojnë fjala vjen Stamo Dumon? Dhe lëri dokrrat me konspiracione parazgjedhore, se një kundërshtar si ti është një lule që s'këputet", shkruan Rama.