Akuzohet për keqpërdorim të fondeve të BE-së, arrestohet kryebashkiaku bullgar Valentin Dimitrov

Akuzohet për keqpërdorim të fondeve të BE-së, arrestohet kryebashkiaku bullgar Valentin Dimitrov

Valentin Dimitrov

Kryebashkiaku bullgar, Valentin Dimitrov është arrestuar ditën e djeshme me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, pas një hetim mbi një mashtrim të dyshuar që përfshin fondet e BE-së të destinuara për një projekt për të rritur efikasitetin e energjisë në ndërtesat e banimit.

Valentin Dimitrov, kryebashkiak i qytetit Gjeneral Toshevo në Bullgarinë verilindore, u arrestua më 9 gusht me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik Evropian. Ministria e Brendshme e ka konfirmuar arrestimin për Radion Evropa e Lirë.

Dimitrov ka qenë nën hetim për mashtrim që përfshin subvencione nga Bashkimi Evropian për projektin e efiçiencës së energjisë së banesave, tha Zyra e Prokurorit Publik Evropian në një njoftim për shtyp . Shkeljet e supozuara kanë ndodhur në vitet 2017-19.

Gjenerali Toshevo mori një grant nga BE për të financuar projektin në shumën prej 169,000 euro (185,000 dollarë), sipas zyrës së prokurorit. Projekti i është caktuar një kontraktori privat.

Sipas provave të mbledhura, zyrtarët e përfshirë në projekt, përfshirë edhe kryetarin e komunës, kanë paraqitur informacione të rreme për realizimin e punimeve, të cilat nuk kishin përfunduar në kohë, tha prokuroria.

Arrestimi i Dimitrov është i pari në Bullgari me kërkesë të zyrës së kryeprokurores evropiane Laura Kovesi.

Kovesi tha në mars 2022 pas një takimi me kryeministrin bullgar Kiril Petkov se zyra e saj kishte marrë një numër rekord raportimesh për keqpërdorim të fondeve të BE-së në Bullgari. Në bazë të raportimeve, prokuroria ka nisur hetimet për më shumë se 120 raste.

Dimitrov, i zgjedhur për herë të parë në 2015 dhe i rizgjedhur në 2019, është përfaqësues i Partisë Socialiste Bullgare, ish Partia Komuniste. Partia pro-ruse është në opozitë në parlamentin bullgar.

Kontrollet u kryen edhe më 9 gusht, përfshirë zyrat e zyrtarëve të dyshuar për bashkëpunim në krimet nën hetim. Disa dëshmitarë dhe të dyshuar ende nuk janë marrë në pyetje.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian është një shërbim publik i pavarur i BE-së. Zyra është përgjegjëse për hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të krimeve kundër interesave financiare të BE-së./REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!