VLORË- Gjykata e Vlorës ka nxjerr sot nga qelia efektivin e “Delta Force” Lisien Myrtaj, i cili pesë ditë më parë u përfshi në një konflikt me armë në qytetin bregdetar. Ky vendim ka ardhur pas hetimeve të kryera ku është dokumentuar me prova se efektivi i policisë ka qëlluar për vetëmbrojtje. Burime nga seanca gjyqësore, kanë konfirmuar për gazetarin Armand Xhelili se nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur një gëzhojë e plasur dhe disa të tjera të paplasura, që i përkasin pistoletës së të riut tjetër, që është në kërkim e që dyshohet se bëhet fjalë për Juxhino Todi, (me mbiemër të ndërruar) djali i kryeplakut të Kaninës, Astrit Aliajt, megjithatë nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Nga sa raportohet, Myrtaj i është kundërpërgjigur më pas me armën e shërbimin, nga një distancë 5-10 metra me qëllim për ta trembur dhe jo për ta ekzekutuar. Ky përfundim del edhe nga fakti se në karikatorin e armës janë gjetur 8 fishekë, që sipas hetuesve, i ka pasur mundësitë nëse ka pasur si qëllim për ta ekzekutuar. Gjithashtu, mësohet se ka qenë vetë Lisien Myrtaj që ka njoftuar policinë se është përfshirë në një konflikt. Fillimisht, numri i policisë i ka dalë i zënë, por më pas i ka informuar uniformat blu, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes dhe e gjetën autorin pikërisht aty duke i pritur. Nisur nga këto prova, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ më Lisien Myrtaj.
Si ndodhi ngjarja
Në datë 29 prill, në qytetin e Vlorës në lagjen ’10 Korriku’, dyshohet se Juxhino Todi, (me mbiemër të ndërruar) djali i kryeplakut të Kaninës, Astrit Aliajt u përplas me armë me Lisien Myrtajn, me detyrë efektiv policie pranë repartit ‘Delta’ pas sherrit për një vajzë me Lisien Myrtajn. Makina ishte në pronësi të kryeplakut Astrit Aliaj, dhe dyshohet se në atë moment përdoret nga djali i tij. Policia thotë se ka gjetur 7 gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat thuhet se janë qitur nga arma e zjarrit pistoletë, e efektivit.