Konfirmohet rasti i parë me Ebola në Europë. Ai është 75-vjeçari, Miguel Pajares, një prift misionar që ka punuar në Liberi për 5 dekada. Pajares është sjellë mbrëmë në Spanjë bashkë me një murgeshë e cila edhe pse nuk ka rezultuar e prekur, ka qenë gjatë gjithë kohës e ekspozuar ndaj virusit vdekjeprurës. 

Lajmi është konfirmuar nga ministria spanjolle, e cila ka siguruar trajtimin më të mirë të tij si dhe kanë siguruar popullatën dhe profesionsitët mjekësorë. Mësohet se gjendja e 75-vjeçairt është përkeqësuar shumë gjatë natës së mbrëmshme. 

Ndërkaq, Liberia ka shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme. Përveç saj, Ebola ka goditur edhe Guinenë, Sierra Leonen, dhe Nigerinë duke vrarë deri tani më shumë se 930 persona. Organaizata Botërore e Shëndetësisë thotë se deri më tani janë 1711 persona të prekur nga virusi për të cilin nuk ka asnjë vaksinë shëruese. 

Ekspertë të OBSH po mbajnë një takim 2-ditor në Gjenevë, në të cilin pritet të vendoset nëse do të shpallet gjendja e emergjencës globale. 

Ebola, një ethe hemoragjike virale, është një sëmundje vdekjeprurëse me shkallë vdekshëmrie rreth 60% dhe përhapet nëpërmjet kontaktit me pacientët.
 
Redaksia Online