Pak orë para ndeshjes së fundit çerekfinale mes Francës dhe Islandës, policia është vendosur në gatishmëri maksimale, pasi është njoftuar për parkimin e një makine të dyshimtë pranë stadiumit ‘Stade de France” ku sonte në 21:00 do të luhet sfida.
 
Në makinën e parkuar jashtë stadiumit u dyshua se mund të kishte eksploziv, ndërsa forcat franceze rrethuan zonën duke vendosur perimetrin e sigurisë për të kryer shpërthimin e kontrolluar.
 
Tifozët përmes rrjeteve sociale njoftuan se zhurma nga shpërthimi i kontrolluar ishte shumë e madhe, ndërsa Reuters raporton se policia nuk ka gjetur asgjë në makinën e dyshimtë.
 
Në momentin e alarmit dhe shpërthimit të kontrolluar zona rreth stadiumit ka qenë e mbushur me tifozët, të cilët prisnin që të fillonin hyrjen në stadium për të qenë gati në 21:00.
 
Franca ndodhet në gatishmëri pas sulmeve terroriste të nëntorit që morën jetën e 130 personave, ndërsa shumë mbetën të plagosur.
 
Tensioni në Francë është i lartë pas paralajmërimeve të ISIS për sulme terroriste