TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka bërë një paralajmërim serioz ndaj individëve dhe bizneseve në vend, duke thënë se kohët e fundit është konstatuar një rritje e rasteve të mashtrimeve me ndërhyrje nëpërmjet komunikimeve elektronike. Kjo ndërhyrje kryhet ndaj individëve apo bizneseve, klientë banke, nga individë të panjohur, me qëllim devijimin e transfertave bankare në llogari të personave të përfshirë në mashtrim.
Rruga e mashtrimit
Nëpërmjet ndërhyrjeve të jashtë ligjshme në postën elektronike të klientëve të bankës (e-mail), këta të fundit udhëzohen me pretekste të ndryshme si auditimi, probleme me organet fiskale, etj, që të ndryshojnë të dhënat e përdorura për transfertat, duke filluar nga numri i IBAN-it. Ata e bëjnë këtë kërkesë duke u paraqitur si përfaqësues legjitimë të kompanive, me të cilët personat e dëmtuar kanë marrëdhënie biznesi në nivel ndërkombëtar. Në këto raste, klienti e merr të mirëqenë këtë mesazh dhe kryen pagesën në një llogari tjetër bankare, e cila kontrollohet nga personat e përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.
Vjedhja
Në momentin kur klienti kontakton me kompaninë përkatëse për arsye të ndryshme, të tilla si mosdorëzim malli, shërbim i munguar etj., ai e kupton që ka qenë viktimë mashtrimi. Por tanimë ai nuk ka më mundësi rikuperimi të fondeve, pasi ato tërhiqen menjëherë nga mashtruesit.
Shqipëria
Këto skema mashtrimi, thekson Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, kanë prekur individë dhe biznese në vendin tonë, të cilët kanë pësuar humbje në vlera të konsiderueshme monetare. Kështu që këshillohet që, sa herë që konstatohen ndryshime në rrjedhën normale të procesit të pagesave në nivel ndërkombëtare, është e nevojshme që të ketë një komunikim direkt paraprak, me telefon, faks, e-mail, me kompanitë partnere, për t’u siguruar se ndryshimet janë bërë për arsye legjitime, duke kërkuar që të miratohen prej tyre paraprakisht, përpara se të vijohet me transferimin e vlerave monetare.