Në analizën time të publikuar më 23 tetor 2025, ngrija një pyetje thelbësore për dinamikat e brendshme të Partisë Demokratike: a mundet Ervin Salianji të përsërisë në PD atë që Edi Rama realizoi dikur në PS? Sot, kjo pyetje jo vetëm që mbetet aktuale, por ka marrë një dimension të ri pas deklarimit të tij për të garuar për kreun e partisë.
Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme. Deri dje, Salianji dukej si një figurë në reflektim, ndërsa sot ai ka formalizuar ambicien për lidership, duke hyrë drejtpërdrejt në një përballje politike që, në dukje, është e pabarabartë.
Në aspektin formal, kandidimi i tij nuk përballet me pengesa statutore. Megjithatë, “artificet” politike mund të përdoren për të kufizuar ose delegjitimuar këtë garë. Paradoksalisht, çdo përpjekje për ta penguar Ervin Salianji rrezikon të prodhojë efektin e kundërt: ta forcojë atë. Narrativa e tij si i “persekutuar” nga pushteti mund të zgjerohet, duke e shndërruar në një disident edhe brenda vetë Partisë Demokratike – një profil që historikisht ka prodhuar kapital politik.
Por zhvillimi më i rëndësishëm dhe njëkohësisht më problematik lidhet me fragmentarizimin e kampit kritik ndaj lidershipit aktual. Kandidatura të tjera përballë Sali Berisha, që vijnë nga radhët e kritikëve të tij, rrezikojnë jo ta dobësojnë, por ta forcojnë atë. Në vend që të krijojnë një alternativë të bashkuar dhe konkurruese, ato mund të legjitimojnë një garë formale, duke i dhënë asaj pamjen e pluralizmit, por jo substancën e sfidës reale.
Në mënyrë konkrete, hyrja në garë e disa figurave nga i njëjti kamp kritik e dobëson drejtpërdrejt mundësinë që ka Salianji për një përballje të fortë. Fragmentimi i votës dhe mungesa e koordinimit strategjik krijojnë një avantazh të qartë për lidershipin aktual, i cili jo vetëm që kontrollon strukturat, por përfiton edhe nga përçarja e kundërshtarëve të tij.
Në këtë kontekst, duhet thënë qartë: nga radhët e kritikëve të Berishës që kanë shpallur ose pritet të shpallin kandidaturën, nuk duket të ketë një profil më të artikuluar në kauza, në qëndrime dhe në përballje publike sesa ai i Salianjit. Kjo e bën atë, objektivisht, kandidatin më të fortë potencial për të ndërtuar një sfidë reale.
Për këtë arsye, nëse ekziston një vullnet i sinqertë për të sfiduar lidershipin aktual, kritikët e vërtetë duhet të bëjnë një hap pas dhe të përqendrohen në mbështetjen e një kandidature të vetme. Në të kundërt, edhe pse të nisur nga dëshira për ndryshim, ata rrezikojnë të kthehen në faktorë që legjitimojnë një “garë pa garë”, duke forcuar më tej pozicionin e Sali Berisha brenda partisë.
Në krahasim me rastin e Edi Rama, diferenca bëhet edhe më e dukshme. Rama përfitoi nga një moment unifikimi dhe mbështetjeje strategjike brenda PS, ku figura kyçe si Gramoz Ruçi luajtën rol vendimtar. Në PD, përkundrazi, kemi një shpërndarje energjish që rrezikon të shuajë çdo mundësi reale ndryshimi.
Në fund, kandidimi i Salianjit është një zhvillim me peshë, por fati i tij nuk do të përcaktohet vetëm nga raporti me lidershipin aktual, por edhe nga aftësia e kampit kritik për të vepruar si një alternativë e bashkuar. Pa këtë bashkim, çdo sfidë rrezikon të mbetet simbolike – dhe çdo garë, thjesht një konfirmim i status quo-së.
Komente









