Demagogjia e konservatorizmit!

Demagogjia e konservatorizmit!

Selia e Partisë Demokratike

Për të kryer një demagogji perfekte, me efekt suksesi, po përpiqen që “Foltores” t'i gjejnë edhe një ideologji dhe, si për çudi, pas 30 vitesh u kujtuan të quhen, ose të vetëquhen konservator. 

Po sa larg janë me këtë nocion politik?  Së pari, konservatorizmi është një mocion politik që vjen kryesisht nga modeli anglosakson i shoqërisë e sidomos në shoqërinë amerikane dhe atë angleze, dhe kjo si pasojë edhe e sistemit juridik të common law. Anglia, që nga Magna Carta, ka bërë beteja, sakrifica e progrese të rëndësishme për demokraci, që kanë krijuar vlera, për të cilët ata ndjejnë respekt krenari për t'i ruajtur, pra për t'i konservuar dhe këto vlera ishin modeli i shoqërisë i bazuar në pronën private, nismën e lirë, tregun e lirë, besimin fetar, familjen dhe po ashtu në sovranitet.
 Ky i fundit, sovraniteti,  veçanërisht ishte shumë i rëndësishëm për SHBA, sepse pavarësia e tyre fillonte edhe me krijimin dhe ruajtjen e kufijve. Pra, për SHBA, demokracia nënkupton kufij dhe kufijtë nënkuptonin demokraci! Konservatorizmi, edhe në SHBA apo në Angli, është më shumë fuqi popullore, se sa i përfaqësuar nga intelektualët, sepse intelektualët identifikohen kudo kryesisht me të Majtën!

Pse është mashtrim e fantazi politike ideja aktuale e konservatorizmit që ngre me entuziazëm “Foltorja”? Konservatorizëm vjen nga folja conservare që do të thotë me ruajt vlera dhe modele që, në të kaluarën, kanë rezultuar të suksesshme dhe të rëndësishme, por, para së të ruhen vlerat, ato duhet të jenë krijuar përmes një procesi të gjatë me beteja, sakrifica, duke u kthyer jo vetëm si zakone, por edhe si modele qeverisje, ose role of law. 

Ne kemi vetëm 30 vjet tranzicion dhe vetë PD si pjesë e rëndësishme e kësaj periudhe nuk ka arritur të krijoi as një model, apo vlerë, të ngritur në nivele shoqërore dhe shtetërore, që duhet të mbrohet! Vlera më e madhe, siç është prona private, vazhdon të jetë e dhunuar, sepse prona nuk ka shkuar te pronari dhe pronari dhunohet, si nga privatët, si nga politika, sa herë të jetë e nevojshme.

 Së dyti, familja, edhe në këtë drejtim nuk është bërë asgjë në këto 30 vite, sepse korrupsioni i lartë varfëron familjet dhe për pasojë i çon ato drejt shkatërrimit, ose i lë të pambrojtura. Për shkak të politikës e qeverisjeve të gabuara, mijëra familje kanë braktisur vendin, në shenjë dëshpërimi, për të emigruar, ose në rastet e tjera, kryefamiljari është detyruar të emigrojë dhe familje ka humbur unitet fizik dhe dashuror. 

Një betejë tjetër e rëndësishme e konservatorizmit klasik është mbrojta e mjedisit. Edhe kjo është përdhunuar në 30 vite tranzicion, sepse institucionet e dobëta, korrupsioni i lartë e ka vënë Shqipërinë para provës së shkatërrimit të mjedisit. Për të kuptuar përdhunimin që i është bërë në këto vite Shqipërisë, mjafton të shkojnë në Lurë dhe ky përdhunim është bërë edhe periudhat e qeverisjeve të PD në të kaluarën!
Po ashtu, simboli i konservatorizmit është sovraniteti. Një vend që ka institucione të brishta dhe korrupsion madhor e përdhunon çdo ditë sovranitetin, në forma të ndryshme.

Së pari, në pamundësi për të kontrolluar territorin dhe kjo kuptohet lehtë nga shkalla e lartë e krimit. 

Së dyti, në keqpërdorimin apo tjetërsimin e pasurive kombëtare dhe në fund apo ashtu përdorimi i pushtetit për nënshkrime marrëveshjes ndërkombëtare edhe në kundërshtim me interesat kombëtare. Po ashtu varfëri dhe zbrazja e vendit janë prova të cenimit të sovranitetit. Korrupsioni është armiku më i madh i sovranitetit.
Me kaq traditë, që ka Shqipëria, me 30 vite tranzicion, nëse kërkojmë konservatorizmit do të thotë se kemi nostalgji dhe vullnet për të ruajtur socializmin real të regjimit kaluar.

Konservatorizmi nuk është alternativë e as zgjidhje, qoftë për të ardhmen e PD, apo edhe të Shqipërisë. E para, duhet të krijoi modele liberale për të krijuar tradita të shëndosha e këto mund të bëhen në shoqërinë, duke treguar vullnet për procese e kauza të reja. Në rastin e dytë, Shqipëria nuk e ka mbaruar procesin unifikues dhe po ashtu është e përfshirë në procese si integrimi dhe anëtarësimi në BE e për pasojë mbrojtja klasike e sovranitetit të paplotësuar, është e pamundur.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë