Alban Dibra, kardiokirurgu që
braktisi Mynihun për Tiranën

TIRANE- Prej 4 vitesh, pavionit të kardiologjisë në katin e dytë të QSUT-së, i është shtuar një mjek i ri, por kjo vetëm nga emri, pasi Alban Dibra mban mbi supe plot 15 vjet punë e trajnime të ndryshme në fushën e kardiologjisë invazive.

Modest dhe i thjeshtë kirurgu 39-vjeçar na rrëfen se me Tiranën ka një lidhje të çuditshme. "Kam ikur dhe jam të kthyer drejt vendlindjes shumë herë, pa mundur ta braktis. Para 4 vitesh vendosa të kthehem dhe të punoj përfundimisht në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", atje ku edhe e nisa 15 vjet më parë, kur mbarova studimet e larta dhe specializimin për kardiologji", - na rrëfen doktor Albani.

Prej katër vitesh, që nga dita kur iu rikthye punës në QSUT, ditët e Albanit janë të njëjta me ato të të gjithë mjekëve. Zgjimi shumë herët, nisja e punës në orën 8 të mëngjesit për të mbaruar natën vonë. Pa llogaritur urgjencat e shumta të cilat nuk njohin orar. Por ai as nuk lodhet dhe as nuk dorëzohet.

Është e vështirë ta bësh të flasësh për veten, por jo për punën me pacientët. Dhe këtu ndalet pak. "Prishja e marrëdhënies mjek-pacient bën gjithkënd të ndihet keq", - na thotë Albani që megjithatë ai vetë ka arritur thuajse gjithmonë të krijojë raporte shumë të mira me pacientët dhe të afërmit e tyre. "Megjithatë, kjo nuk është gjithmonë e lehtë", - shton më tej ai. Albani nuk e fsheh faktin se, se puna e përditshme në QSUT, shpesh, krahas kënaqësisë profesionale, nganjëherë e zhgënjen duke ia zbehur paksa optimizmin me të cilin erdhi në 2007 nga Perëndimi. Dhe kjo ka lidhje kryesisht me mungesat e përditshme në QSUT, për të cilat kirurgu Dibra thotë se fondet duhen adresuar më mirë.
"Për mua, destinimi i më shumë fondeve për shëndetësinë dhe përcatikimi më i drejtë i prioreteve do të kontribuonte për përmiresimin sistemit tonë shëndetësor, por kjo reformë nuk mund të realizohet pa një ekonomi të zhvilluar dhe pa pjekjen e gjithë shoqërisë, pa ndërgjegjësimin e saj për kontributin e nevojshëm që duhet të japim të gjithë për shëndetin", - nënvizon mjeku, ndërsa i referohet problemeve me te cilat perballet sistemi ynë shëndetësor.

Por pavarësisht këtyre problemeve ai nuk thyhet. Nga perëndimi ka sjellë përvojën e munguar. "Në këto 4 vjet pune, rreth 4 mijë pacientë janë trajtuar me metodat bashkëkohore. Shumë prej patologjive komplekse të arterieve koronare të cilat më parë trajtoheshin përmes ndërhyrjeve kardiokirurgjikale, falë përvojës që kemi sjellë nga puna në qendrën gjermane të zemrës në Mynih tanimë zgjidhen në sallën e kateterizimit të zemrës", - na shpjegon doktor Albani.

Për këto arritje ai u është mirënjohës mësuesve dhe miqve të tij, mes të cilëve veçon kardiologun dhe shkencëtarin e shquar, modelin ai vetë është munduar të ndjekë në karrierën e tij, prof. Adnan Kastrati, i cili prej vitesh drejton aktivitetin kërkimor të njërës prej qendrave kardiologjike më të njohura në botë, Qendra Gjermane e Zemrës së Universitetit Teknik të Mynihut. Nga ana tjetër dr.Albani vlerëson punën e tij pranë QSUT. Ai çmon traditën e mirë të ndërtuar ndër vite në klinikat e kardiologjisë dhe në laboratorin e kateterizimit të zemrës, falë punës së palodhur dhe talentit të kolegëve senjorë. "Për mua, QSUT ka qenë dhe mbetet një shkollë ku ke çfarë të mësosh çdo ditë. Natyra sëmundjesh të ndryshme, konsulta me kolegët kardiologë dhe ata të specialiteteve të tjera, janë për çdo mjek, një eksperiencë e vlefshme", - thotë kardiologu.

I trajnuar dhe i certifikuar prej vitesh për ekzaminimet diagnostike dhe trajtuese për sëmundjet e arterieve koronare, kardiologu Dibra nuk ka lënë pas dhe punën kërkimore në Shqipëri, megjithëse siç e pranon dhe vetë, në kushtet aktuale është e vështirë. "Por gjërat po ndryshojnë dhe vëmendja në rritje në vendin tonë ndaj kërkimit shkencor është shumë inkurajuese", - na thotë me besim Albani. Herë pas here, pedagogu i fakultetit të Mjekësisë udhëton drejt Mynihut, pasi ai nuk do të humbasë të rejat dhe zhvillimet e fundit nga shkenca e kardiologjisë. Disa prej artikujve në të cilët dr. Albani është bashkëautor shërbejnë sot si referenca të rekomandimeve mbi ndërhyrjet koronare perkutane të shoqatave kardiologjike amerikane dhe evropiane.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Lezhë-Laç, raportohet për tre të plagosur! Makinat bëhen copash

Aksident i trefishtë në aksin Lezhë-Laç, raportohet për tre të plagosur! Makinat bëhen copash