GJERMANI - Ekipi kombëtar i futbollit është përfshirë nga ethet e merkatos. Pas Sadikut, Canit, Mavrajt, por edhe shumë të tjerëve, në merkato është edhe Alban Meha, pavarësisht se është i dëmtuar.

Aktualisht mesfushori është në kontratë me ekipin gjerman të Paderborn-it, por një sërë ofertash kanë ardhur në drejtim të fantazistit pas paraqitjes mjaft të mirë me ekipin e tij, por edhe me kombëtaren shqiptare këtë edicion të eliminatoreve të kampionatit botëror.

Në pole-position për shërbimet e Mehës është ekipi i Vareses në Seria B në Itali që është gati të paguajë klauzolën e largimit nga Paderborni. Përvec, Vareses në garë është edhe Verona dhe Siena, ndërsa vendimi mbetet në dorën e vetë shqiptarit.
 
EMPOLI SHET GJYSMËN E HYSAJT
 
Empoli nuk e kushtëzon dot largimin e mbrojtësit shqiptar Hysaj, prandaj është duke projektuar një strategji të veçantë, që të shesë gjysmën e kartonit të lojtarit. Klubet që kanë shfaqur interes deri tani janë Fiorentina, Parma, Kievo, por edhe Lacio. Bardhekaltërit mund të jenë ekipi që do të sigurojë mbrojtësin kuqezi, vetëm 19-vjeç.

Igli Tare duket se nuk ndalet për të sjellë sa më shumë shqiptarë te Lacio duke e kthyer në një koloni, më parë drejtori teknik pati siguruar edhe portierin shqiptar me perspektivë, Tomas Strakosha, i cili arriti të fitonte Kupën e Italisë dhe Kampionatin e Moshave.
 
MUZAQI KALON TE GENKU
 
Genk ka transferuar sulmuesin kosovar, Albian Muzaqi nga të rinjtë e PSV. Drejtori sportiv i skuadrës belge, Gunter Jakobi është i kënaqur me transferimin e këtij talenti. "Unë jam i kënaqur që ai ka zgjedhur për të luaj për ne, pasi ai ka qenë i kërkuar nga shumë klube holandeze dhe gjermane. Ai është një lojtar i përkryer që i përshtatet profilit të lojtarit që kërkonim.

Ne jemi të sigurt se ai do të përshtatet mirë në ekip”, tha Jakobi. Ndërsa Muzaqi tha "Genk ofron perspektiva të bukur sportive dhe po ashtu u jep besim të rinjve. Unë e shoh Genk si skuadër ku mund të zhvillohem, por së pari dua të ndihmoj Genkut që të arrij qëllimet”, ka thënë Muzaqi, i cili është edhe në radarin e kombëtares shqiptare të futbollit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)