Albana, gjinekologe në Itali
që diagnostikon me të parë

Albana, gjinekologe në Itali<br />që diagnostikon me të parë
Në Itali, janë të shumtë të rinjtë që studiojnë mjekësi, apo mjekët e infermierët shqiptarë. Ndërsa për të fundit dyert e strukturave spitalore publike janë të hapura, në kuptimin e vendit të punës, për mjekët është më e vështirë, pasi që të punojnë në to u nevojitet shtetësia italiane. Por një gjë i bashkon: shpesh dallohen për aftësitë e tyre, dedikimin në studime e punë.

I tillë është rasti i një mjekeje nga Elbasani, Albana Çerekja, që jeton prej gati 15 vjetësh në Romë. Ka studiuar për mjekësi, në Tiranë dhe në kryeqytetin italian dhe është specializuar në gjinekologji e obstetrike me rezultatet më të mira të mundshme. Më pas është perfeksionuar në ekografinë gjinekologjike e obstetrikale të cilës i dedikohet prej mëse 10 vjetësh. Sot punon në struktura shëndetësore publike dhe private ku meriton përditë respektin e kolegëve dhe dashurinë e mirënjohjen e pacienteve.

Albana me pasionin, përkushtimin e dhuntitë e saj ka arritur nivele të larta në profesion. Është e dashuruar me diagnostikimin me ultratinguj, arrin të kuptojë çdo linjë e njollë që i shfaqet në ekran, duke u siguruar pacienteve të saj diagnozë të saktë me një të parë. Por veç punës së përditshme, nga mëngjesi në darkë, ajo nuk resht së studiuari për rritjen e saj profesionale. “Unë jam një gjinekologe dhe kryej kryesisht ekografi – rrëfen ajo – Punoj në repartin e ekografisë së një departamenti publik dhe në disa qendra private. I adhuroj ultratingujt. Pasioni im është të kërkoj e të studioj sa më shumë në këtë fushë”.

Për 3 vjet me radhë, emri i saj renditet në nivelet e larta të konkursit të thefetus.net i organizuar nga ky web-site i mirënjohur i diagnozës prenatale me qendër në Amerikë dhe i drejtuar nga profesor Philippe Jeanty, një nga emrat më të njohur në nivel ndërkombëtar në këtë fushë, e që ka qëllime didaktike për të gjithë të interesuarit nga mbarë bota. Përveç kësaj, thefetus.net ka shpallur dhe një konkurs mbi gjetjen e diagnozës në disa raste patologjish të rralla të fëmijës ende në barkun e nënës, nëpërmjet studimit të imazheve ekografike të botuara në web-site.

Në dhjetor të vitit 2011, Albana u shpall fituese të vitit me 25 përgjigje të sakta për 25 pyetjet e bëra, duke merituar konsideratat më të larta nga vetë organizatorët e konkursit "një dituri mbresëlënëse që vjen nga ky brez i ri”. Sipas tyre “Albana është një ndjekëse e përkushtuar e faqeve të TheFetus.net. Përveç përgjigjeve të sakta që dërgon për konkursin, ajo na ofron vazhdimisht raste shumë interesante që ndesh në praktikën e saj të përditshme dhe që përbëjnë një kontribut të vlefshëm mesimor për gjithë frekuentuesit e sitit”. Në vitin 2009, kur mori pjesë për herë të parë në këtë konkurs ajo u rendit e treta, ndërsa në vitin 2010 u rendit e dyta. Gjithnjë ndër 400-500 konkurrentë, specialistë nga e gjithë bota.
Albana vetë shprehet me thjeshtësi: “Kaloj orë të tëra, kur mundem, në faqen e internetit të thefetus.net, ku kërkoj të gjej diagnozën e saktë, të studioj të gjithë artikujt dhe rastet e mëparshme të publikuara aty”. Kam një vajzë 12 vjeçe, të cilës i premtova se këtë radhë do të isha një nga fituesit e pare, – vazhdon duke qeshur – kështu që ajo mund të më falë mua për gjithë kohën që unë nuk i kushtoj kur jam e zënë me kërkimet e mia”. E me siguri ashtu është. Irisi, e bija e Albanës, jo vetëm duhet ta ketë falur, por “duhet të jetë krenare për nënën e saj” siç shprehen organizuesit e konkursit.

Albana Çerekja ka shkëlqyer gjithnjë, edhe në mësime. Ka kryer shkollën e mesme në Elbasan dhe u diplomua me dhjeta. Në vitet 1990-1995 mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, edhe këtë vetëm me dhjeta. Më pas, në vitin 1998, Albana u diplomua në Mjekësi në Universitetin 'La Sapienza' të Romës, gjithnjë me rezultatet më të larta të mundshme: me notën 110, me lavdërime e përgëzime nga komisioni. Në vitin 2004 u specializua në Gjinekologji e Obstetrikë me notën 70/70 (me bursë për merita nga ministria italiane e Arsimit dhe e Universitetit për 5 vjet). Në vitin 2008 mbrojti Doktoraturën në kërkimet shkencore në fushën materno-infantile e në gjinekologji në universitetin "La Sapienza". Është zotëruese e katër gjuhëve të huaja. Ka kryer kurse perfeksionimi në Romë, Paris, Londër. Është autore e artikujve e relacioneve nё revista shkencore, bashkautore e shumë librave, merr pjesë vazhdimisht në konferenca apo kongrese italiane e ndërkombëtare.

Albana është e bija e dy mësuesve të mrekullueshëm nga Elbasani, Sytki e Natasha Çerekja, të cilët gjatë qëndrimit të tyre në Romë, hapën në vitet 2005-2008 shkollën e gjuhës shqipe «Drita» në Fontenuova, një qytezë në hyrje të Romës, për fëmijët e emigrantëve që vinin nga Shqipëria, Kosovë dhe Maqedonia. Për tre vjet me radhë bënë çmos që 30-40 fëmijëve shqiptarë të mos u mungonte mësimi shqip i të shtunës, të cilit edhe pse pa asnjë shpërblim iu dedikuan me pasion e dashuri. ah/shqiptarja.com/shiptariiitalise/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza