A jeni njohur me draftin që është përgatitur nga administrata e KQZ lidhur me qendrat e votimit në ambintet private dhe cili është gjykimi juaj?
Anëtarët e KQZ janë njohur para rreth dy ditësh, me draftin e përgatitur nga administrata, për qendrat e votimit të cilat KQZ do të vendosë që të ngrihen në objëkte private. Para se gjithash dëshiroj të sqaroj se sipas Kodit Zgjedhor, qëndrat e votimit krijohen si rregull në ndërtesa publike me hyrje të lirë. Pra, kjo do të thotë që njësitë e qeverisjes vendore të cilat kanë nën tagrin e tyre të drejtën e përcaktimit të Qendrave të Votimit, duhet që të ezaurojnë të gjitha mundësitë e ambjenteve publike, të cilat janë në territorin ku ato shtrijnë juridiksionin e tyre. Për më tepër njësitë e qeverisjes vendore në përcaktimin e vendndodhjes së qendrës së votimit, duhet të mbajnë në konsideratë edhe historikun e vendosjes së tyre në zgjedhjet e mëparshme, në mënyrë që zgjedhësit të jenë të orientuar lehtësisht, për gjetjen e tyre në ditën e votimit. Thënë ndryshe njësitë e qeverisjes vendore nuk mund të ndryshojnë qendrat e votimit të vendosura në ambjentet publike, nga njëra zgjedhje në tjetrën.
Çfarë parashikon Kodi Zgjedhor?
Gjithashtu Kodi Zgjedhor parashikon detyrimin që përpara se të merret vendimi për ngritjen e një qendre votimi në një ambjent privat, duhet që KQZ të ketë vlerësuar edhe mundësinë e vendosjes së saj në një ambient publik, në një zonë qendre votimi fqinje. Vetëm pasi të jenë bërë të gjitha përpjekjet e sipërcituara, dhe nuk ekzistojnë mundësi për vendosjen e tyre në ambjente publike, njësitë e qeverisjes vendore mund të bëjnë propozime pranë KQZ, për ngritjen e qendrave të votimit në objekte private. Megjithatë edhe në këto raste Kodi ka parashikuar që KQZ-ja do të marrë vendim pas të ketë vlerësuar me kujdes propozimet e njësive të qeverisjes vendore, për: - së paku dy objekte alternative, -planimetrinë e tyre apo fotografi të e ambientit, -lehtësitë që ofron objekti për zhvillimin normal të zgjedhjeve dhe -plotësimin e kritereve të tjera të parashikuara në nenin 93 të Kodit Zgjedhor. Përjashtim nga rregulli i paraqitjes se propozimit me dy objekte alternative, sipas Kodit Zgjedhor bëjnë vetëm rastet kur nuk është e mundur gjetja e një objekti tjetër alternativ privat të përshtatshëm, për qendër votimi. Pra nga sa më sipër, duhet të theksoj se përcaktimi i qendrave të votimit në objekte private nga KQZ, është një proces i cili kërkon një kujdes dhe vlerësim të plotë, mbi propozimet e paraqitura nga njësitë e qeverisjes vendore, por edhe për kriteret që këto ambjente duhet të përmbushin.
5 QARQET, QV NË SHTËPI E LOKALE PRIVATE
KQZ pritet të shqyrtojë një projekt-vendim lidhur me ngritjen e qendrave të votimit në ambiente private. Në relacionin që ka përgatitur administrata thuhet se në qarkun e Shkodrës janë propozuar për t’u ngritur 21 QV në ndërtesa private, në qarkun e Kukësit janë propozuar për t’u ngritur 4 QV, në qarkun e Dibrës janë propozuar për t’u ngritur 17 QV, në qarkun e Lezhës janë propozuar për t’u ngritur 27 QV dhe në qarkun e Durrësit janë propozuar për t’u ngritur 63 QV.
Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)