“Kaini”, produksion i shtëpisë filmike Pika Pro e drejtuar nga regjisori Albert Malltezi u dha këtë të shtunë premierë në Akademinë e Filmit “Marubi”, duke shënuar jo vetëm suksesin e parë, por edhe një standard të denjë për të konkurruar në festivalet ndërkombëtare.
Albert Malltezi, producent i filmit, pohon se ka një kthim të vëmendjes nga ky zhanër i lënë prej vitesh në harresë. Malltezi shpreh vlerësimet për përpjekjet e kolegëve që kanë punuar me këtë zhanër, por shton se kohët e fundit ka rënë niveli i filmit të animuar.
I ftuar në studion e Report TV, producenti Malltezi flet për rrugëtimin 6-mujor të realizuesve të kësaj premiere, të skenaristit e regjisorit Shaqir Veseli, njëkohësisht animator e piktor, kompozitorit Fatos Qerimaj dhe montazhierëve të këtij filmi. Filmi i animuar, me një metrazh të shkurtër për 7 minuta, ka një teknikë të përzier, ku shfaqet personazhi, dekori dhe hija e personazhit që është rëra.
Ndërsa filmi i animuar ka një traditë 37-vjeçare në Shqipëri ka funksionuar vetëm me produksione sporadike të disa regjisorëve si Artan Maku, Ergys Faja, Bertrand Shijaku, e të tjerë, por puna e tyre ka mbetur shpesh në mes të rrugës, edhe për arsye të mosmbështetjes nga institucionet e kulturës, por edhe për mungesë të një marketingu që të menaxhojë produksionin filmik. Malltezi flet në studion e Report TV për sfidat e rikthimit të filmit të animuar.
Intervista e plotë
Filmi “Kaini” është një film i animuar me metrazh të shkurtër. Duam të dimë sesi është zhvilluar ky zhanër?
Ky është një film i animuar me metrazh te shkurtër, me një teknikë të përzier. Ka një karton të lirë që është personazhi. Ndërkohë ka dekorin dhe hija e personazhit është rëra, të cilat animohen herë pas here dhe lëvizin njëri pas tjetrit.
A mund të na tregoni disa nga momentet e punës?
Ky film është realizuar nga regjisori miku im i vjetër Shaqir Veseli, që kemi punuar gjithë kohës bashkë. Aty kemi studion e bërë nga shtëpia filmike Pika Pro, e cila ka bërë dhe produksionin e filmit. Vetëm xhirimi në atë tavolinë ka zgjatur 6 muaj. Çdo ditë lëviz me milimetra për të nxjerrë një produkt 7 minuta.
Pra, ky film ka zgjatur gjashtë muaj dhe për një produksion 7 minutësh. Ju e keni punuar duke e kaluar në dorë si ato fijet e flokut një për një?
Po, po. Këtu kemi dekorin. Dekori është i rërës dhe ky është kartoni i lirë që personazhi lëviz, dhe hija që presupozohet të jetë Abeli. Kjo është zgjedhja e autorit. Ky është konflikt i vjetër që lidhet me një histori të njohur. Këtu ka një marrëdhënie mes të dyve. Çfarë do të do ndodh mes të dy vëllezërve. Kush do të fitojë. Historia njihet, por këtu shkon vrasje pas vrasjes dhe shohim se çfarë do të ndodhë në fund. Kemi dhe objektet reale në film. Është një film që ka donator Qendrën Kombëtare të Filmit dhe Pika Pro producent.
Kaq i vështirë është ky lloj zhanri, sepse ju thatë për 7 minuta film duhen 6 muaj xhirime? Për herë të parë vjen në Shqipëri?
Ky është një ndër zhanret më të vështira. Jo, jo, nuk vjen për herë të parë në Shqipëri, se para dy vjetësh është festuar 35-vjetori i filmit të animuar. Kjo gjini është shumë e suksesshme. Unë kam shkuar në festivalet e Oskarit të filmit të animuar. Mirëpo problemi është se këtë kohë ka rënë niveli i filmave të animuar që kishim pasur më përpara. Janë bërë goxha filma dhe ne kemi teknika që janë bërë edhe më përpara. Kështu ne e morëm me shumë pasion, ne bëmë një shtëpi filmike. Shtëpia filmike konkurron në Qendrën Kombëtare të Filmit, merr një buxhet nga qendra që çdo vit prodhon filma.
Si keni arritur që të arrini një standard, se standardi është ai që iu bënë të konkurroni?
Është serioziteti i të gjitha palëve. I pari seriozisht e ka marrë regjisori Shaqir Veseli. I dyti që ka punuar shumë është muzika, që e ka bërë Fatos Qerimi. Muzika është e rëndësishme në këtë film, sepse Qerimi është shumë profesionist në këtë zhanër. Ai ka bërë muzikën e disa filmave të mi. Mua më vjen keq që s’i kam të gjithë bashkë sot në këtë studio. Natyrisht që unë i falënderoj.
A mund të bëhej ky film me një metrazh pak më të gjatë?
Ishte menduar të bëhej pak më i gjatë, por natyrisht duke qenë se është teknika shumë e vështirë dhe natyrisht qe edhe buxhetet nuk janë buxhete që të arrish, që t’i mbash, aq sa kanë brenda asaj politikës pozitive që bën qendra, që i shpërndan nga pak për të gjithë si aktorët që të kenë mundësi që të punohet e të bëhet diçka. Qendra ka pasur një procedurë që ndihmon edhe filmat e animuar edhe të gjata. Kështu ka qenë gjithmonë, një vit film brenda kinostudios. Ne e kemi marrë shumë seriozisht duke analizuar çdo element, të gjitha proceduat e filmit. Postproduksioni natyrisht ka qenë shumë i gjatë që ka kërkuar një vit. Kështu ka qenë gjithmonë, edhe dikur në kohën e ish Kinostudios brenda një viti prodhohej një film.
Duket sikur teatri është më aktiv, se ne shpeshherë ftojmë aktorë apo regjisorë nga teatri këto vitet e fundit, filmi duket sikur ka ngecur pak. Pse ka ndodhur kjo?
Është komplekse kjo gjë, unë them se çdo gjë nis nga vetja. Nëse unë dua të zhvillojë filmin, duhet ta nis nga vetja, dhe kineastët të bëjnë shumë mirë që mblidhen dhe e kërkojnë këtë gjë, sepse nëse nuk flet, është si puna e fëmijës që po nuk qan, nuk i jep ushqim nëna. Marketingu është shumë i rëndësishëm, sepse është e qenësishme për filmin, sepse duhet të dihet se ku do shkojë filmi dhe çfarë do bëhet me të. Kështu ata që bëjnë zhurmë për të çuar vëmendjen tek filmi bëjnë shumë mirë. Mbase kemi folur ne një cikë, sepse janë kujtuar që qenkan edhe këta të filmit.
Ka arritur që të kthehet vëmendja në këtë zhanër të filmit, sepse është shumë specifik për hir të së vërtetës?
Ky është zhanër specifik, sepse këta janë filma autorë dhe kanë vështirësi. Pra ka filma për fëmijë dhe ka filma autorë. Filmi autor është më specifik. Unë mendoj se marrëdhënia për filmat duhet të jetë e përbashkët, edhe me median dhe kështu hapen rrugët.
Keni menduar një rrugëtim për filmin tuaj?
Premiera ishte këtë të shtunën, është pritur shumë mirë. Mbase do të ishte një hapje me e madhe, por rrugëtimet të tjera e presin si festivale ndërkombëtar, deri në Francë. Kjo është një rrugë e përbashkët edhe me qendrën kombëtare të Filmit. Qendra të jep një licencë, që të thotë se filmi është OK për të lëvizur për të filluar rrugëtimin e vet filmi. Pastaj kjo të jep një rrugë për ta përshkruar me atë që ke arritur e ke mundësi të shpalosësh.
Cili është mesazhi i këtij filmi. Ç’kemi dashur të përcillni me këtë 7 minutësh, përveç historisë që e njohim?
Natyrisht kjo ide është e autorit, e Vesel Shaqirit si regjisor, i cili merr një histori që njihet. Duke qenë se njihet kjo histori hap probleme, në qoftë se ti e trajton ndryshe. regjisori arrin të shpalos unin e personazhit. Kjo histori edhe sot trajtohet dhe futet në filozofi. E ka bërë këtë filozofia, që duhet ta vritet apo jo. Ta linte veten të vuante apo çfarë duhet bërë. Këto janë dilemat. Është kjo një luftë që a duhet ta vriste apo s’duhet ta vriste Kaini. Është e qartë që kjo është një nga elementët më dramaturgjikë që e bëjnë edhe filmin që mund të jetë i prekshëm.
Sa herë flasim për filmat e animuar, të jepet ideja se janë vetëm për fëmijë?
Jo nuk janë thjesht për fëmijë. Në historinë 37-vjeçare të animacionit ka filma për fëmijë, por nuk janë për fëmijë, por e përgjithshmja e filmave të animuar ka qenë filozofike. Janë filma autorë, që përhapin filozofi dhe ti mund ta interpretosh. Filmi është gjithëpërfshirës, sepse ka filozofinë e autorit, që e thotë me jetën e tij artistike. Kjo nuk ka një problem teknik. Ti gjen një histori, një filozofi dhe me mjetet e tua artistike e jep mesazhin me atë mjet që regjisori di ta bëjë më mirë. Shaqir Veseli e ka bërë këtë gjë.
Sa të ndjeshme janë institucionet shtetërore ndaj filmit dhe zhanrit të filmit të animuar?
Qendra kombëtare e filmit e ka detyrë dhe e ka një fond të përcaktuar për animacionin, dhe brenda këtij fondi e ka detyrë të shpërndahet. Butka po bën një punë gjithëpërfshirëse, dhe e ka një fond për animacionin, dhe brenda këtij fondi ka filma të çdo zhanri.
A keni projekte të tjera në sirtar?
Si shtëpi filmike kam edhe projekte personale. Filma me metrazh të shkurtër, si fillim dhe perspektiva është edhe tek një film i gjatë për të cilin unë ëndërroj shumë. Me bashkëpunime do të veprojmë sigurisht. Sepse ne jemi bërë producent nga halli. Unë jam regjisor, por them se u bëra producent nga halli, sepse duke e njohur filmin më mirë s’ia lemë dot një biznesi çfarëdo, sepse unë vet si regjisor ia di rëndësinë filmit. Megjithatë unë duhet të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e filmit për këtë produksion.
(Libri Kaini)