Albpetrol, si u punësuan militantët

Albpetrol, si u punësuan militantët
TIRANE- Ndërmarrja e Albpetrolit ka mbushur rradhët e punonjësve të saj me militantë të partive në pushtet. Po ku i ka gjetur fondet për një gjë të tillë, ndërkohë që janë disa vendime të Këshillit të Ministrave që kanë vendosur shkurtime të njëpasnjëshme të punonjësve, si pasojë e ristrukturimit? Këtë e shpjegojnë për Shqiptarja.com përfaqësues të punonjësve "të ristrukturuar", duke u nisur nga manovrat, që ka përdorur drejtori Ferdinand Murati, kryetar i PD-së për Fierin.
SHKURTIMET
Vendimet e para të qeverisë për shkurtime, pas vitit 2005, kanë qenë ato të viteve 2008 dhe 2010, me shkurtime përkatësisht 1.100 dhe 1.294 punonjës. Është koha kur Albpetroli u jep më shumë të drejta shfrytëzimi të naftës kompanive koncensionare, kështu që ka nevojë për më pak fuqi punëtore. Aktualisht, në rast se do të zbatoheshin këto vendime, ndërmarrja do të kishte 1.651 punonjës gjithësej. Por, ç'ka ndodhur, në fakt?
Në qershor 2009 ishin zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që në maj 2010 ato vendore. Në dhjetor 2009, u shënua një shtesë prej 1.229 punonjësish, ku 901 ishin punonjës krejtësisht të rinj dhe 328 të ardhur nga bashkimi me kompani tjetër. Në vitin 2010, Albpetroli ka 4.467 punonjës, më tepër se sa kishte në 2005-ën. Problemi ishte tani që nuk mund të injoroheshin vendimet qeveritare për shkurtimet, kështu që u vendos edhe nga shoqëria që të iknin 1.294 punonjës. Sipas Kodit të Punës dhe VKM-ve, ata duhej të trajtoheshin me nga një vit pagë secili, plus vjetërsinë e punës, që llogaritet me 15 ditë për çdo vit pune.
Fondi
Fondi i njohur nga qeveria, që Albpetroli duhet ta paguante nga fondet e veta, për pagesën e punonjësve që largoheshin ishte 600 milionë lekë të reja, ku përfshihen paga njëvjeçare dhe vjetërsia. Mesatarisht, i binte që çdo punonjës i larguar të paguhej edhe me 8.7 paga mujore. Këtu, 348 milionë lekë janë për pagën njëvjeçare dhe 252 milionë lekë për shpërblimin e vjetërsisë. Albpetroli bën këtu një interpretim të paligjshëm të VKM-ve. Në rast se bëhen shkurtimet e kërkuara, I gjithë fondi prej 600 milionë lekësh do të shkojë për punonjësit e larguar. Por, drejtuesit e saj i ha meraku se me se do të paguhen personat që kanë marrë në punë dhe që janë më tepër se sa organikat e reja. Më 21 dhjetor 2009, një Vendim i Këshillit Mbikëqyrës miraton marrjen në punë të 1.229 punonjësve, para dhe gjatë fushatave zgjedhore.
Këtu, drejtori vendos "eliminimin" e fondit për vjetërsinë në punë të atyre që largohen, për të përfituar një sasi të konsiderueshme parash. Ai vendos të largohen punonjësit e vjetër, por të trajtohen ata si "punonjës të rinj", që nuk përfitojnë nga vjetërsia në punë. Këtë të fundit e marrin vetëm ata që kanë mbi tre vjet në punë. Me urdhër të tij, punonjësit e larguar duhej të merrnin vetëm një vit pagë, duke i trajtuar shkurtimet për ristrukturim, në fakt, si "pushim të menjëhershëm për shkaqe të justifikuara".
Mbulimet
600 milionë lekë janë përdorur nga Albpetroli për një vit pagë papunësia të 1.000 punonjësve në asistencë (348.5 milionë lekë), një vit pagë për 65 punonjës të Uzinat Mekanike Kuçovë e Patos (22.65 milionë lekë), për 233 punonjës të ardhura nga Uzinat e mësipërme, por që vazhdojnë punë (115.55 milionë lekë) dhe pjesa që mbetet përdoret për të paguar 224 punonjës të tjerë në marrëdhënie pune. Në fakt, ky fond duhej të përdorej totalisht për ata që largohen nga puna.
Manovrat
Nga nëntori 2005 deri më korrik 2010 janë shtuar në Albpetrol 1.522 punonjës, po aq sa janë edhe larguar prej andej. Me fondet e parashikuara me Kod Pune për vjetërsinë në punë të personave që largohen për ristrukturim, mbulohen pagat vjetore të 458 punonjësve. Në korrik 2010 nuk janë bërë shkurtime krahasuar me 2008-ën, por aktualisht figurojnë 228 punonjës më tepër se atëhere.
Albpetroli ka në bordero tani 3.173 punonjës, ndërkohë që duhej të kishte 1.651, pra paguan afro dyfishin e numrit të caktuar nga qeveria. Ky numër duhej të ishte arritur që në prill 2010, por drejtuesit e saj kanë gjetur një metodë joligjore për të siguruar emërimet e reja, të cilat, edhe me largimet e punonjësve të vjetër, rëndojnë mbi financat e ndërmarrjes shtetërore.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)