Drejtori i Përgjithshëm i kompanive ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Dr. Erkan Tabak, në një intervistë për A1 Report, ka folur për ofertat që kompania ofron për gjithë klientët shqiptar. Dr. Tabak fillimisht paraqet shifra, sipas të cilave duket se kompania Eagle ka dyfishuar klientët e saj, falë edhe superofertave. Por surprizat nuk mbarojnë me kaq, pasi për muajt e verës janë parashikuar dhurata tejet tërheqëse, si një makinë Porche dhe një apartament. Një tjetër risi e kompanisë ALBtelecom dhe Eagle, është edhe IP TV, ku pas bumit në Korçë, po shtrihet në Fier dhe Shkodër.

Si ka qenë ecuria e kompanisë ALBtelecom dhe Eagle në këtë 6 mujor?

Faleminderit për vizitën tuaj këtu. Është një kënaqësi për mua. Nëse do ta përmblidhja performancën e këtyre 6 muajve të parë të këtij viti në aspektet e saj, mund të them se ka qenë një periudhë konkurrence. Në këtë periudhë kohe me konkurrencë të lartë, ALBtelecom dhe Eagle Mobile ia dolën që të shtojnë të ardhurat e përgjithshme. Siç e dini, ne si ALBtelecom dhe Eagle po përpiqemi t’i ofrojmë shërbime publikut në 4 sektorë bazë. Telefoni fikse, telefoni celulare, të dhëna (apo internet) dhe IPTV. Përveç telefonisë fikse, në të gjitha profilet e shërbimeve tona ne ia kemi dalë që të rrisim të ardhurat e përgjithshme, pavarësisht se konkurrenca ka qenë shumë e ashpër dhe e lartë. Për shkak të kësaj konkurrence, çmimet tona janë ulur edhe më tej. Të gjitha çmimet e kësaj industrie në përgjithësi kanë patur ulje, por në të njëjtën kohë ne kemi arritur të rrisim bazën e abonentëve në të gjitha aktivitetet e kopanisë sonë. Si pasojë e kësaj rritjeje ne mundëm të rrisim edhe të ardhurat. Ky është një sukses për ne në periudhën e parë të këtij viti. Jemi mjaft të kënaqur për performancën e kompanisë në aktivitetin bazë, ku shohim një rritje të numrit të abonentëve dhe të të ardhurave, pavarësisht uljes së çmimeve. Siç e dini ne për herë të parë në historinë e Shqipërisë kemi sjellë një shërbim të ri. Bëhet fjalë për shërbimin IPTV. Në lidhje me këtë shërbim mund të them se kemi patur një bum kërkesash sidomos në Korçë, aq shumë saqë na mbaruan produktet që kishim dhe menjëherë na u desh të siguronim stok të ri të këtij produkti. Tani jemi edhe në Fier, dhe dua të jap një lajm shumë të mirë për banorët e Shkodrës. Brenda 2 javësh, ne do të jemi edhe atje me shërbimin IPTV. Kjo është pak a shumë ajo që bëmë në këtë gjashtë-mujor, por ka edhe diçka tjetër që sërish ne e prezantuam për herë të parë në Shqipëri. Ky është koncepti “All Net”, pra i ofertave me minuta falas drejt çdo operatori. Më parë operatorët ofronin minuta falas vetëm brenda rrjetit të tyre, vetëm për përdoruesit e grupeve të ngushta në rrjetin e tyre. Kjo i kufizonte abonentët, të cilët detyroheshin të mbanin më shumë se një pajisje celulare për të telefonuar miqtë e tyre që ishin tek operatorë të tjerë. Ishim ne të parët që e lançuam dhe më pas të tjerët na ndoqën dhe ishin të detyruar të na ndiqnin. Tashmë ofrohen minuta për çdo drejtim, siç janë edhe trendët globalë. Tashmë nuk është më nevoja që përdoruesit të mbajnë më shumë se një telefon celular. Ata mund të telefonojnë familjarët apo miqtë duke përdorur paketat e tyre tarifore, të cilat ua kanë plotësuar këtë nevojë. Kjo ishte e para, dhe e dyta ishte se ne ofruam minuta ndërkombëtare. Më përpara ishin shumë të kufizuara minutat ndërkombëtare, sidomos me Italinë dhe Greqinë dhe këto telefonata ishin shumë të shtrenjta. Në paketat tona ne ofruam minuta ndërkombëtare në të gjitha drejtimet. Tashmë asnjë shqiptar nuk ka nevojë të presë thirrje nga familjarët e tyre që jetojnë jashtë kufijve, por ata mund të telefonojnë lehtësisht dhe shumë lirë të afërmit dhe miqtë e tyre në Itali, apo Greqi me këto paketa tarifore. Ky ishte një tjetër aspekt i replikuar nga konkurrenca por që i shërben të gjithë përdoruesve shqiptarë. Kjo na ndihmoi në rritjen e bazës së abonentëve që sigurisht rezultoi edhe me rritjen e të ardhurave.

Cilat janë risitë që keni sjellë së fundmi dhe ato që pritet të sillni në pjesën e mbetur të vitit? 

Ofertat tona ishin vërtet konkurruese dhe revolucionare për 6 muajt që kaluan por përsa i përket verës ne planifikojmë surpriza të mëdha për abonentët shqiptarë. Tashmë kemi lançuar një fushatë që tashmë është kthyer thuajse në traditë: Fushata e Porche-it. Ne do të japim një tjetër Porsche për abonentët tanë, të cilët mendoj se meritojnë vlerësim. Tashmë na është kthyer në traditë që çdo verë të ofrojmë një Porsche dhuratë. Por kemi edhe një apartament shumë të këndshëm në zemër të qytetit, jo në periferi të saj. Në një prej ndërtesave më luksoze të Shqipërisë. Kjo është edhe surpriza, apo dhurata tjetër e jona për përdoruesit tanë këtë verë.

Në fakt nuk janë vetëm këto, ne kemi përgatitur disa paketa speciale për emigrantët, pasi e dimë që shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vijnë për pushime për sezonin veror, apo për të vizituar familjarët e tyre. Ata do të shijojnë komunikim të lirë ndërkohë që janë në Shqipëri. Përveç kësaj, ne do të organizojmë “Beach Parties”, pra festa në plazh në të gjitha rajonet e vendit ku kalohen pushimet verore. ALBtelecom dhe Eagle Mobile do të jenë sponsor të këtyre aktiviteteve verore. Të gjithë do të kenë mundësi ta shijojnë më shumë verën e pushimeve të tyre nëse janë abonentë të Eagle. Ata do të shijojnë pijet e freskëta, muzikën me DJ më të mirë të huaj dhe vendas në party verore dhe do të kalojnë ditë të mrekullueshme vere. Këto janë pak a shumë ato që planifikojmë për verën. Me rritjen e përdorimit të telefonave të zgjuar në botë, përdorimi i internetit dhe magazinimi i të dhënave është shtuar në mënyrë marramendëse edhe në Shqipëri. Për të plotësuar këto kërkesa në rritje, ne si Eagle Mobile kemi rritur ose më saktë dyfishuar numrin e zonave 3G në Shqipëri. Kjo do të thotë që ne tashmë jemi në gjendje të ofrojmë internet edhe më të shpejtë për më shumë përdorues që u nevojitet përdorimi i shërbimeve DATA apo internet. Si një kompani që operon në tregun shqiptar, ne jemi mjaft të ndjeshëm ndaj problemeve sociale në vend. Është me mjaft rëndësi që ne të ofrojmë mbështetje dhe zgjidhje për çështje të ndryshme sociale që shohim këtu. Në këtë kontekst ne kemi marrë përsipër rehabilitimin e ambienteve të Shtëpive të Fëmijës në vend. Gjithashtu do të vijojmë të ofrojmë ndihmë për këto shtëpi si këtë vit, ashtu edhe në vitet në vazhdim. Ne besojmë se këta fëmijë duan përkrahje dhe mbrojtje nga kompani si e jona.

Desha t’ju pyes edhe një pyetje të fundit që ka të bëjë me tregut e telekomunikacioneve, si e vlerësoni atë?
Tregu i telekomunikacionit në Shqipëri ka një potencial shumë të madh. Veçanërisht në aspektin e përdorimit të të dhënave (DATA). Shkalla e penetrimit të shërbimeve Data është një nga më të ulëtat në rajon. Prandaj ne vëmë re që ka një potencial të jashtëzakonshëm në rritjen e lidhjeve DATA, veçanërisht për shtëpitë. Ne së shpejti do të ofrojmë jo vetëm këtë shërbim, por edhe një paketë të kombinuar shërbimesh zanore, të dhënash (interneti) dhe televizioni; të gjitha në një. Në këtë drejtim shohim që ka potencial në treg.

Nga ana tjetër, mund të them se tregu i telekomunikacionit në Shqipëri është një nga më të lirët e tregut evropian, në aspektin e çmimit për minutë. Dhe kjo mendoj se është mjaft pozitive për përdoruesit shqiptarë. Ata kanë mundësinë të komunikojnë lirë dhe sipas nevojave e dëshirave të tyre.
Këto janë pak a shumë karakteristikat që shoh në tregun shqiptar të telekomunikacionit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)