Aldo Marino: Si ndërtova markën
time ndërkombëtare të vajit

Aldo Marino: Si ndërtova markën<br />time ndërkombëtare të vajit
Aldo Marino është një arbëresh i suksesshëm në Kalabri. Ai është angazhuar pak në politikë dhe shumë në punë private fitimprurëse.

Prej vitesh ja ka dalë që të krijojë një markë ndërkombëtare të vajit të ullirit të cilin mund ta gjesh në të gjithë Evropën, jo në çdo supermarket të zakonshëm, por vetëm nëpër disa dyqane të certifikuara për prodhime bio.

Ai është në Shqipëri, për të disatën herë, tashmë jo vetëm për turizëm, por edhe për biznes. Së bashku me deputetë të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese ka vizituar disa fabrikat më të rëndësishme të prodhimit të vajit të ullirit në Shqipëri, për të gjetur mundësi bashkëpunimi. Ai tregon në një intervistë për “Shqiptarja.com” se cili është çelësi i suksesit të tij dhe ka një mesazh se si mund t’ja dalin të rinjtë shqiptarë.
 
Ju jeni një ndër shqiptarët e suksesshëm të Kalabrisë, në politikë si ish-kryebashkiak dhe tashmë si konsull, por ndërkohë, ajo tek e cila ju fokusoheni çdo ditë është, është puna juaj si prodhues i vajit të ullirit. Është një produkt i certifikuar si i cilësisë së veçantë dhe me sukses në tregjet botërore. Cila është filozofia juaj e punës për ta bërë një biznes të suksesshëm? 
Fillimisht më lejoni që t’ju falënderoj për mundësinë që më jepet për t’u përgjigjur duke iu drejtuar vëllezërve e motrave shqiptare. Për sa i përket pyetjes suaj unë e kam shumë për zemër që të theksoj faktin e të qenurit një Arbëresh, i cili me kalimin e viteve, ka fituar gjithnjë e më shumë vetëdijshmëri mbi këtë fakt dhe ky fakt më bën të ndihem edhe më shumë krenar. Besoj se këtu e kanë fillin shumë prej përgjigjeve që do të shuanin kureshtjen tuaj pasi karakteristikat e këmbënguljes, në përballimin e jetës dhe të sfidave të saj me forcë e pasion, pa u dorëzuar kurrë para vështirësive, por pa e tepruar me euforinë, në momentet e suksesit të përkohshëm; ndershmëria dhe respekti pikësëpari për veten dhe si rrjedhojë për familjen e për komunitetin ku bën pjesë, janë tipare dalluese të popullit tonë të vjetër, i cili për mrekulli ka mundur që t’i mbetet besnik parimeve tradicionale ndërshekullore edhe në një atdhe tjetër.
 
Ju keni vizituar së fundmi në Shqipërinë fabrikat kryesore të prodhimit të vajit. Cilat janë potencialet e vendit tonë në prodhimin vajit të ullirit?
Shqipëria për nga pozita e saj gjeografike gjendet në zemër të Mesdheut dhe ky fakt përveçse i ofron shanse të veçanta gjeo-politike, sigurisht që e favorizon edhe nga pikëpamja agro-kulturore. Veçanërisht në fushën e prodhimit të vajit të ullirit ekstra të virgjër. Bimët mijëra shekullore janë aty si dëshmi dhe nxitje ndaj një pune dhe begatie që duhet të shkojë përtej agrikulturës në vetvete dhe përftimit në mënyrat e duhura të vajit. Prodhimi i ushqimeve me cilësi, në tregjet botërore, duhet të kthehet në një moment promovimi dhe oferte i vetë historisë dhe kulturës duke e salduar në këtë mënyrë lidhjen mes produktit dhe territorit prodhues. E gjithë kjo nxjerr në pah potencialin e madh shqiptar në këtë sektor por, në mënyrë të pashmangshme, edhe të gjithë punën e madhe, edhe politike që duhet kryer për të arritur këtë.
 
Shqipëria është një vend që më shumë importon se sa eksporton. Çfarë u mungon sipërmarrësve shqiptarë: fuqia financiare, idetë apo vizioni i rritjes së mëtejshme?
Unë kam fatin që të jem frekuentues i vendit tim antik prej shumë vitesh tashmë dhe mund të pohoj me plot zë përmirësimet, pothuaj mahnitëse, të arritura nga populli shqiptar. Sigurisht që ka ende shumë punë, janë të shumta sfidat që duhen përballuar, por nga përvoja ime e drejtpërdrejtë, mund të them se kam takuar sipërmarrës, por edhe politikanë apo njerëz të zakonshëm, me një vetëdije të plotë mbi vështirësitë e mundësitë e botës së sotme, ndaj dhe nuk shoh ndonjë mangësi të veçantë tek sipërmarrësit dhe kam tejet shumë besim në aftësitë e tyre dhe në angazhimin e tyre për të përballuar e fituar sfidat ashtu si edhe projekte më angazhuese të mundshme.
 
A ka shembuj bashkëpunimi tregtar mes sipërmarrësve shqiptarë dhe atyre arbëreshë?
Gjatë dhjetë viteve në të cilat kam qenë kryebashkiak i bashkisë së Vaccarizzo Albanese-s (CS), kam këmbëngulur tej mase për të zhvilluar marrëdhëniet mes Arbëreshëve dhe Shqipërisë, falë bindjes së madhe, që këto kishin një rëndësi të veçantë për të dyja palët. Nga një anë pasi rikuperimi dhe rizbulimi i memories së përbashkët, në mënyrë që të ndërtojmë një vetëdijshmëri më të pjekur, në mënyrë që brezat e rinj, në veçanti të mund të përballojnë botën me më shumë fuqi. Nga ana tjetër kam besuar që rizbulimi, takimi do të ishin natyrisht një urë lidhëse e shkëmbimit reciprok, jo vetëm kulturor e njerëzor, por edhe tregtar e zhvillues. Në ditët e sotme marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta mes Arbëreshëve e shqiptarëve, po e ndërtojnë këtë rritje të përbashkët, herezi të heshtur por ama efikase.

A keni një mesazh për të rinjtë shqiptarë, që herë pas here zhyten në dëshpërim dhe thonë se “Ky vend ka mbaruar e nuk ofron asgjë..”?
Në jetën time jam përpjekur gjithnjë t’i mbetem besnik një parimi të vetëm, atij sipas të cilit, të mos i ofroj këshilla askujt e për më tepër jo të rinjve. E vetmja gjë që ndiej se dua t’u them të rinjve shqiptarë dhe që e them sa herë më jepet rasti është: mos u kushtëzoni nga e përditshmja, dhe mbani gjithnjë në mendje sa rrugë keni bërë tashmë, në pak vite, pas shkatërrimit të lënë pas nga dyzetë e pesë vite regjim, kini guxim dhe mos u ndalni para asgjëje.
 
Parlamenti shqiptar ka ngritur së fundmi një komision të veçantë për marrëdhëniet me arbëreshët e Italisë. Çfarë efektesh konkrete vlerësoni se mund të japë kjo iniciativë?
Ky vendim për mua, si një përfaqësues institucionesh për disa vite me radhë ka qenë dhurata më e madhe dhe vendimi më i rëndësishëm që Parlamenti Shqiptar mund të bënte, nga disa këndvështrime: fillimisht pasi organi më i lartë demokratik i vendit ka njohur e certifikuar në mënyrë zyrtare në sytë e gjithë botës ekzistencën e një “historie të përbashkët”, gjë që sjell forcimin, tek të gjithë ne, të përkatësisë dhe pjesëmarrjes, si protagonist, në realizimin e një “historie” me profil të lartë, duke forcuar në këtë mënyrë, kryesisht të rinjtë dhe vetëdijen e tyre; dhe ajo që është më e prekshme, kështu hapen mijëra mundësi për të gjitha komunitetet tona, si për nga ana e shkëmbimeve po ashtu edhe në realizimin e projekteve të reja kulturore dhe ekonomike, që do i sjellin veçse mirësi të dyja palëve. Mund të them me bindje të plotë, nga përvoja ime e drejtpërdrejtë, se vendosja në krye të këtij komisioni të veçantë i deputetit Fatmir Toçi, do i shtojë me siguri, aspektit institucional, elementin dhe përbërësin e dashurisë së thellë dhe të pasionit të madh që ai ushqen për të dy popujt, sikur në të vërtetë të ishin një i vetëm.

marino

marino

marino
Aldo Marino
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni turin e Ramës me diasporën?



×

Lajmi i fundit

‘Anti-korrupsioni’, avokat Cakrani: SPAK duhet të japë llogari diku! Ibsen Elezi: Kjo rezolutë duket se ka synime të fshehura

‘Anti-korrupsioni’, avokat Cakrani: SPAK duhet të japë llogari diku! Ibsen Elezi: Kjo rezolutë duket se ka synime të fshehura