Duket se kreu i këtij koalicioni, lideri i së djathtëve Sali Berisha mbajti premtimin për aleatët e tij për t`i vendosur ata në listat për deputetë përkrahë demokratëve dhe bashkimit të disa prej socialistëve.
Por përfshirja e 5 kryetarëve të partive aleate sjell automatikisht mosregjistrimin e tyre në listat që kanë paraqitur partitë që ata drejtojnë për deputetët për zgjedhjet e 23 qershorit.
Janë pikërisht kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi, ai i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka si dhe ai i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli që nuk do të jenë emra në listat e këtyre partive që janë depozituar në KQZ.
Duket se nga krerët e partive të sipërpërmendura është gjetur kjo strategjia për të qenë kandidat në listat e PD për të fituar kështu pothuajse të sigurt mandatin e një deputeti dhe më pas përfaqësimin e partive që ata drejtojnë në Parlament.
5 aleatët e Berishës kanë një numër jo të vogël duke përfshirë këtu dhe 3 mandatet e ish-socialistëve, mandate këto që u hiqen të djathtëve. Marrëveshja e Berishës me aleatët e vegjël të tij i kushtoi pikërisht 8 mandate deputetëtësh.
Por gjithësesi ligji zgedhor e lejon një gjë të tillë nëqoftë se kreu i një parti të caktuar zgjedh të garojë vetëm në një parti, duke hequr automatikisht dorë nga mundësia që të zgjidheshin si deputet nga partitë e tyre.
Ndërkohë që ajo që është e rëndësishme është pikërisht elektorati i këtyre partive, që ndoshta do të çuditen kur të shikojnë listat e zgjedhësve pa emrat e kryetarëve të tyre si kandidat, edhe pse emri i tyre do të jetë vetëm si kryetar.
Në një prononcim për Shqiptarja.com. kreu i LZHK, Shehi sqaroi dhe marrëveshjen e bërë me liderin e së djathtëve në mënyrë të tillë që ai të ishte kandidat për deputet i djathtë dhe jo i LZHK.
“Nuk na ndalon asgjë që ne të garojmë si deputet nën siglën e një koalicioni dhe jo të partisë sonë. Gjithësesi nëse zgjidhemi deputetet, sigurisht që në Parlament do të përfaqësojmë partinë që drejtojmë”, tha Shehi.
KODI ZGJEDHOR
Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar qartë se një kandidat duhet të jetë i regjistruar vetëm në një listë për të garuar për mandat deputetei.
“Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore ose kandidati për këshillat e bashkisë dhe komunës nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish”, thuhet në nenin 67 të kodit. Kjo duket si rruga më e lehtë për krerët e partive aleate të djathta për të fituar një mandat deputeti.
ALEATËT NË LISTA
Shpëtim Idrizi; PDIU
Fatmir Mediu; PR
Nard Ndoka; PDK
Dashamir Shehi; LZHK
Lufter Xhuveli; Partia Agrare
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)