Aleksandër Peçi: Ju rrëfej
talentet shqiptare të Pragës

Aleksandër Peçi: Ju rrëfej<br />talentet shqiptare të Pragës
TIRANE - Kompozitori Aleksandër Peçi pas kthimit të tij nga Çekia rrëfen impresionet e një koncerti me muzikë shqiptare në Konservatorin e Pragës, që u dha më 30 maj. Në këtë koncert instrumentistët e talentuar shqiptarë e çekë kanë luajtur për herë të parë vepra të kompozitorëve Alekdandër Peçi, Çesk Zadeja, Ymer Skënderi, Vasil Tole, Ramadan Sokoli, Pirro Çako.

Organizatorë të këtij koncerti ishin: Egli Prifti, i cili ka mbaruar studimet ne Universitetin e Karlit për piano dhe aktualisht jep mësim aty, violoncelisti Bledar Zajmi spalë e orkestrës prej 140 vetësh të Teatrit Nacional të Operës e Baletit e që jeton prej 21 vjetësh në Pragë, Ola menagerja e koncertit, dhe artistët çekë; violinistja Gabriela Pokludova  e soprano Jitka Rosypalova.

Koncerti u organizua nën e kujdesin e Genc Pecanit, ambasadorit shqiptar në Pragë. Në koncert morën pjesë ambasadore dhe diplomate te akredituar në Prage, si nga Japonia, Portugalia, Britania, Serbia, Greqia, Qipro etj.

“Vlerësimi dhe përgëzimet e tyre jo vetëm na dhanë një kënaqësi të natyrshme, por dhe na inkurajojnë që të përpiqemi për të bërë akoma më shumë në këtë drejtim, duke shpalosur me dinjitet përpara publikut të huaj visaret kulturore të Shqipërisë dhe kapacitetet artistike që i japin vitalitet peizazheve sonore shqiptare, ne panorama muzikore  ndërkombëtare”, rrëfen kompozitori Aleksandër Peçi.

I gëzuar që artistët shqiptarë janë të suksesshëm në Pragë, kompozitori rrëfen jo vetëm sesi luajtnë këta instrumentistë të shquar, por bën edhe një përshkrim profesional për interpretimet e tyre në instrumentet përkatëse.
 
Zoti Peçi, si mund të na prezantoni me instrumentistët e talentuar të Pragës?
-Njëri prej tyre është violinisti Egli Prifti, një pianist shumë i mirë që ka studiuar në një shkolle çeke nga më prestigjiozet e botës. “Prifti e reflektonte në lojën e tij saktësi,koherencë e logjikë mendimi,koloristikë shumëngjyrëshe, poetikë të tingullit, energji, cilësi këto që i artikuloi harmonishëm tek 2 pjesë për piano nga baleti “DelinaI i Çesk Zadesë dhe 3 pjesë nga kompozimet e mia: “Çast poetik”, “Transparencë”, “Duke ndjekur ritmet e ditës”. 
 
Ju më treguat dhe për Bledar Zajmin...
-Bledari ka përfunduar konservatorin e Pragës dhe prej vitesh është  spalë e orkestrës prej 140 vetash të Teatrit Nacional të Operës e Baletit atje. Bledari ka luajtur dhe më parë një duo cello të kompozuar nga unë, e cila është pritur me mjaft interes në Çeki. Bledari shquhet për një kantilenë mjaft ekspresive të cilën e manifestoi në sonatinën e Ymer Skënderit.

Ai u shqua për një energji mjaft dinamike dhe karakter dansi në lojën që i bëri valles së Ramadan Sokolit dhe për një meditim të thellë, spacialitet, kontraste koloresh nëpër regjistra në veprën “Hoaks” të Vasil Toles dhe për një elokuence sonore të butë të brishtë, nostalgjike, të trishtë, me një tingull expresiv  e me një vibrato të bukur në pjesën “Espace triste” të kompozuar nga unë.
 
Cila ishin ngjarjet më emocionuese të këtij koncerti?
-Koncerti pati 2 pika emocionale mjaft interesante. Vallet për violon (Peçi) që e luajti violinistja çeke Gabriela Pokludova dhe “Në shtëpinë tonë”  kënduar në shqip nga sopranoja Jitka Rosypalova.

Në lojën e Gabrila kish karakter shqiptar, virtuozizëm, energji, një tingull expresiv e  mjaft emocional, cilësi që me lojën e saj  sharmante dhe ekpressive e bëri komisionin e diplomës në konservatorin e Pragës që në Maj 2013 t’i futin vallet e mia të detyruara ne programin shkollor,e në konkursin e pranimit.

Shefja e departamentit të Universitetit të Pragës tha se: “tek Vallet për Violinë të Peçit ndjej shpirtin Ballkanik te Bartok” dhe është “një muzikë që më tërheq që në degjimin e parë”. Këto valle, prej 40 vjetësh janë veprat shqiptare më të ekzekutuarat në Botë.

Janë në programin e konservatorit superior të Parisit, të Lionit, të  Pragës dhe më vjen keq nuk janë në program në Universitetin e Arteve të Tiranës. Ndaj unë dua të përgëzoj nga zemra artistët Bledar Zajmi e Egli Prifti, të cilët me talentin, energjinë dhe atdhedashurinë e tyre bënë të mundur organizimin e këtij koncerti të realizuar në Pragë me mbështetjen e Ambasadës tonë, çka ishte pa dyshim një kontribut i vyer ne promovimin e Shqipërisë dhe vlerave të saj kulturore e artistike.

Koncerti  u prit me mjaft entuziazëm nga publiku çek, jo vetëm për kontrastet mes veprave dhe performancën e bukur por dhe për faktin se ka diçka që i lidh 2 shkollat tona Nacionale çeke dhe shqiptare  dhe që publiku çek e çmon shumë: tradita popullore që e ka pasuruar muzikën klasike në Shqipëri.

Çfarë të përbashkëta kanë muzikë shqiptare me muzikën çeke?
-Muzika çeke dhe ajo shqiptare kanë disa pika të përbashkëta kontakti. Këto shkolla nacionale i kanë dhënë Europës peizazhe muzikore nga më përralloret. Shkolla  jonë e violonçelit është themeluar nga violonçelisti shqiptar që ka studiuar në konservatorin e Pragës Ymer Skënderi.

Shkolla e dirigjimit është themeluar nga Mustafa Krantja, dirigjenti i parë i TOB-it, i cili ka qenë student i dirigjentit të jashtëzakonshëm çek  Vaslav Talich, e këtu në Pragë kanë studiuar edhe ata që themeluan orkestrën e RTSH-së, Simon Gjoni e Ferdinand Deda.

Shkolla e violinës është iniciuar nga Ludovik Naraçi, i cili ka qenë në vitet 20 – 30 ndër studentët më të shquar në konservatorin e Pragës e këtu më pas ka studiuar edhe Robert Papavrami, babai i Tedi Papavramit. Këtu kanë studiuar regjisori Pirro Milkani, edhe skulptori Thoma Dhamo.
 
Çfarë përvoje sollët nga Praga në Shqipëri?
-Shkuam në teatrin e operës, ku na shoqëroi Bledar dhe Egli dhe pamë Operën Jakobinët e Dvorak. Na thanë se kishin një ide që teatrin Nacional ta linin vetëm për operat e baletet çeke. Sa larg e kemi nga këto vizione TKOB-in tone që e ka lënë kulturën kombëtare për 28 vjet pa premierë serioze baleti Kombëtar, 10 vjet vetëm me 2 premiera operash shqiptare.

Bëjnë koncerte për Nënë Terezën dhe për 100-vjetorin pa asnjë vepër premierë botërore. Në çeki ekziston ligji i sponsorizimeve si në Francë e kudo që do të thotë se lekët që sponsori i jep për artin, ia zbresin nga tatimet. E ku është MTKRS për një legjislacion në ndihmë të artit në ndihmë të autorit, duke i mbrojtur të drejtën.

Mora sponto nga një koncert që u prit me mjaft entuziazëm nga publiku çek, i cili çmon traditën (imagjinoni Praga është krijuar 500 vjet pas Jezus Krishtit, kur Shqipëria i ka kalatë 2000-vjeçare) për të sjellë në vëmendje të publikut dhe institucioneve të pasurive të këtij vendi.

Por duke lën për herë tjetër këto probleme du të theksojë se e lamë Pragën për të vazhduar një bashkëpunim të mëtejshëm. Do të vijë për një koncert me orkestrën e RTSH-së, dirigjenti çek i Berg orkestrës Peter Vrabel e çelisti Bledar Zajmi për një koncert me muzikë çeke e shqiptare.

Unë do të rikthehem përsëri në Pragë për 4 koncerte pianistike. Projekti tjetër është një CD për celo e piano me violonçelistin Bledar Zajmi e pianistin Egli Prifti. Iu kam premtuar se do t’iu shkruaj një Sonatë të re për violonçel e piano.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor