Aleksander Stipceviq: 'Ilirët', nevoja urgjente për metoda të reja shkencore

Aleksander Stipceviq: 'Ilirët', nevoja urgjente për  metoda të reja shkencore

- Kjo është pjesa e dytë e intervistës së studiuesit të mirënjohur kroat Aleksandër Stipçeviç dhe i kushtohet tërësisht tezave dhe studimeve të tij mbi ilirët dhe shqiptarët. Numrin e shkuar  botuam pjesën e parë  të rrëfimit të tij, ku ai kujtoi vizitat  në Shqipërinë komuniste, takimet me kolegët e tij shqiptarë e ndodhi herë-herë  groteske, siç edhe i frymëzonin situatat dhe rrethanat e kohës. Po ashtu ai rrëfeu gjerësisht mbi arbëreshët e Zarës, gjuhën dhe traditat e veçanta të tyre. Ndërsa në këtë pjesë të dytë të intervistës  Stipçeviç ndalet gjerësisht mbi çështjen e ilirëve, kontestimet dhe teoritë e ndryshme antiilire, me të cilat është përballur gjithë jetën e tij studimore, pjesëmarrjen në polemikat me historianë e studiues serbë mbi prejardhjen e drejtpërdrejtë të shqiptarëve  nga ilirët  sidomos mbi dy vepra: “Enciklopedisë Jugosllave” dhe vepra e tij “Shqiptarët”…

Problematika e studimeve ilire si tërësi është shumë aktuale, por edhe ngërthen në vete të papritura të shumta. Ballkani ka qenë trualli i ilirëve. Sa kanë arritur gërmimet arkeologjike ta dëshmojnë një gjë të tillë?

Aleksandër Stipçeviq: Studimin e Ilirëve mund ta ndajmë në dy etapa, të cilat mund t’i ngjajnë njëra-tjetrës, por megjithatë dallojnë mes tyre. Etapa e parë shkon deri kah fundi i shek. 19. Studimi i Ilirëve në këtë etapë bëhet kryesisht në bazë të burimeve të shkruara, kryesisht autorëve antikë, e rrallë ndonjë monumenti epigrafik i cili ishte i njohur për studiuesit. Duke studiuar autorët antikë, shkencëtarë të famshëm kanë provuar të bëjnë rikonstruktimin e ngjarjeve historike në Ballkanin perëndimor, për të cilin këto burime sillnin të dhëna. Ka shumë gjëra, që nuk ka qenë e mundur të zbulohen nga e kaluara e ilirëve në bazë të këtyre burimeve. Kështu p.sh. ka qenë e pamundur të zbulohet diçka nga jeta e përditshme, kultura materiale, arti, besimi, etj, në territorin ku ata kanë jetuar.

Gërmimet arkeologjike të cilat pasuan, fillimisht në fund të shekullit të kaluar, por që vazhduan me një ritëm të shpejtuar në shekullin e 20-të, kanë mundësuar që të fitohet një pasqyrë shumë më komplete për ilirët, për prejardhjen e tyre, gjegjësisht për etnogjenezën, e cila ka mundësuar formimin e fiseve të shumta ilire, kulturën materiale dhe shpirtërore, por edhe me fatin e tyre, kur ilirët kanë rënë në kontakt me grekët /helenët/ fillimisht, e pastaj edhe me civilizimin romak. Me fjalë të tjera, gërmimet arkeologjike ishin ato që dhanë përgjigje për ato pyetje, të cilat më parë as që mund të paramendohej se do të gjenin zgjidhje në bazë të burimeve të shkruara antike.

Hulumtimet intensive të nekropoleve dhe vendbanimeve ilire kanë dhënë rezultate të shkëlqyeshme, kështu që ne sot kemi të dhëna të shumta për ilirët, interesante dhe mjaft të rëndësishme, por jo për çdo gjë që na intereson. Kam përshtypjen se mënyra tradicionale e gërmimeve arkeologjike është konsumuar dhe se tani duhet të aplikohen metodat e reja shkencore-natyrore, të cilat kanë arritur një zhvillim të jashtëzakonshëm këto vitet e fundit. Aplikimin e këtyre metodave të reja amerikanët e kanë quajtur “arkeologjia e re” /Neë Archaeology/. Është e vërtetë se aplikimi i këtyre metodave në hulumtimet shkencore, veçanërisht në lokalitetet arkeologjike, edhe pse shumë më i shtrenjtë se ai i vjetri, është tepër efikas dhe rezultatet janë të jashtëzakonshme. Mund të pohojmë, se kohët e fundit është rritur tek arkeologët aftësia arsyetuese dhe vetëdija që përdorimi i metodave më të reja shkencore për analiza të materialit arkeologjik do të mundësonte një rikonstruktim më të shpejtë dhe më të sigurt të jetës në vendbanimet e lashta antike. Nuk ka kaluar shumë nga koha, kur duke gërmuar varrezat e lashta, arkeologët kanë nxjerrë vetëm  material /eksponate/ “arkeologjik”, eksponate këto që mund të ekspozoheshin në vitrinat e lokaliteteve arkeologjike, duke e lënë anash krejtësisht materialin /eksponatet/ “jo arkeologjike”, p.sh. skeletet e njerëzve, farërat dhe ushqimet e  ndryshme. Edhe në ato raste kur arkeologët kanë zbuluar skeletet e njerëzve dhe të kafshëve, këto kanë mbetur të pa hulumtuara nën pluhurin e kohës, në ndonjë kënd të muzeut, që më vonë të hidhen si gjëra të pavlershme. Nga ato skelete mund të nxirreshin të dhëna të çmueshme sidomos për llojet e sëmundjeve të banorëve të atyre lokaliteteve, mosha, gjinia etj.

Megjithatë, skelet e njerëzve kanë pasur fat më të mirë se sa materiali tjetër “jo arkeologjik”. Disa nga antropologët janë marrë në disa raste me disa analiza sipërfaqësore, duke na ofruar rezultate të rëndësishme, sidomos kur është fjala për ilirët, por jo të plota, e këto të fundit janë shumë të kërkuara. Edhe sot e kësaj dite, depot e muzeve arkeologjike janë të mbushura me një material të tillë i cili pret të hulumtohet.

Situata është shumë më e rëndë me lëndën tjetër, të cilën arkeologët e kanë hedhur fare pas gërmimeve të bëra, veprime këto të bëra ose nga pakujdesia, ose nga mosdija, paaftësia për ta  analizuar etj. Mjafton të përmendim nektarin e luleve, i cili është i padukshëm e që gjatë gërmimeve arkeologjike zhduket nga pakujdesia. Ai do të ishte shumë i rëndësishëm për njohjen dhe zhvillimin e bimëve të kultivuara në vendbanime të caktuara, por edhe për datimin e zbulimeve arkeologjike.

Roli i shkencave natyrore në aplikimin e metodave të reja, në hulumtimet arkeologjike mesa duket është i pakapërcyeshëm. Si e mendoni ju aplikimin e këtyre metodave?

Aleksandër Stipçeviq: Shkencat natyrore janë të pazëvendësueshme për hulumtimin e varrezave dhe të vendbanimeve të lashta, si dhe për eksponatet e kulturës materiale dhe shpirtërore të zbuluara gjatë gërmimeve. Të gjitha këto i kam cekur me qëllim që të vë në plan të parë rëndësinë që kanë sot në shkencën e arkeologjisë analizat e bëra nga shkencat natyrore. Para disa vitesh kam qenë shumë i indinjuar nga disa kolegë arkeologë që nuk donin të pranonin aplikimin e metodave të reja, të bazuara në zhvillimin e shkencave matematiko-natyrore, dhe kërkova që të ndaleshin të gjitha gërmimet arkeologjike, nëse nuk do të kishte siguri se do të aplikoheshin metodat më të reja në gërmimet e lokaliteteve arkeologjike. Pa këto metoda të reja, gërmimet arkeologjike do të shkaktonin dëme të mëdha, të cilat kurrë më nuk mund të kthenin situatën e mëparshme.

Si është situata me ilirët dhe ilirologjinë, kur analizojmë gërmimet e deritanishme?

Aleksandër Stipçeviq: Duke lënë anash gjithë atë që ka ndodhur më parë, duhet parë se çfarë mund të bëhet me qëllim që gjithë materiali arkeologjik, i gërmuar në territorin ilir të vlerësohet në mënyrë sa më komplete dhe sa më parë të hulumtohet me metodat më të reja shkencore. Me këtë rast, dua të tërheq vëmendjen vetëm për një detaj shumë të rëndësishëm që ka dalë si fenomen kohët e fundit.

Studimet ilirologjike kanë arritur në një fazë të atillë zhvillimi, që e bëjnë të pamundur të aplikojë akoma metodat e vjetra për hulumtime dhe gërmime arkeologjike. Sot ne mund të shpenzojmë shumë dituri dhe para që të mund të rrisim numrin e gërmimeve të varrezave dhe vendbanimeve. Është më se e sigurt, se duhet hulumtuar akoma për një kohë të gjatë që të mund njihemi më mirë me kulturat materiale dhe shpirtërore të disa rajoneve të caktuara. Po kështu është më se e sigurt se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ofron shkenca moderne, për të arritur rezultatet e dëshiruara. Duhet thënë gjithashtu që shumë probleme kanë mbetur të pazgjidhura deri sot, sepse nuk ka pasur mundësi që ato të studioheshin në mënyrën që mund të na ofrojë shkenca e sotme, për të na dhënë përgjigje konkrete dhe të rëndësishme.

Problem i veçantë në shkencë është etnogjeneza e ilirëve. Megjithatë, aplikimi i metodave më të reja shkencore mundëson rezultate të jashtëzakonshme, gati sensacionale në këtë drejtim. Sa është arritur që të aplikohen metodat e reja në fushën e arkeologjisë?

Aleksandër Stipçeviq: Njëri nga këto probleme është problemi shumë i ndjeshëm i etnogjenezës së ilirëve, por edhe probleme të tjera, ndoshta edhe më të rëndësishme, si bie fjala, çfarë ka mbetur nga substrati ilir sot në popujt e Ballkanit. Metodat e deritanishme nuk kanë dhënë rezultate të dëshiruara dhe të sigurta, domethënë rezultate që t’u qëndronin metodave të reja shkencore. Rasti i zbulimit të një varreze p.sh. në Dalmaci, nga periudha e mesjetës së hershme, na vë para shumë dilemash. A është ky varr i kroatëve mesjetarë, vetëm pse në të janë gjetur bizhuteri kroate? A është e mundur që ndonjë nga varrezat e kohës së dyndjes së avarëve të jetë varrezë avare, vetëm e vetëm se në të janë zbuluar disa eksponate, për të cilat mendohet se i takojnë kulturës materiale avare?

Pyetje të tilla kemi shumë. Sot ekziston metoda shkencore, me anën e së cilës është e mundur që të përcaktohet me sigurinë më të madhe origjina e një personi, nëse i takon kësaj apo asaj etnie, por gjithashtu, mund të përcaktohet edhe trungu gjenealogjik i disa grupeve etnike që nga prehistoria deri në ditët e sotme. Se sa të rëndësishme janë këto hulumtime shkencore në Ballkanin e sotëm, në të cilin kanë jetuar civilizime të ndryshme, besoj se nuk duhet potencuar në mënyrë të veçantë. Në territorin e Ballkanit ka pasur gjithmonë përzierje të popujve. Në bazë të metodave tradicionale ishte e pamundur të bëhej përcaktimi i saktë se cilat fise kanë ardhur dhe  kur e nga ku kanë ardhur, dhe cilat fise kanë shkuar e ku e kur kanë shkuar. Përzierja e grupeve etnike në Ballkan është një pasuri e territorit ballkanik dhe nuk është befasi që studiues profilesh të ndryshme e studiojnë këtë thesar i cili gjendet në Ballkanin perëndimor sepse është shumë interesante dhe ka vlera të jashtëzakonshme për civilizimin njerëzor në përgjithësi. Hulumtimi dhe studimi i kulturave të ndryshme nga e kaluara ballkanike është nxitje, por në disa raste edhe dëshirë e parealizuar, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për fushat e arkeologjisë, etnografisë, antropologjisë, gjuhësisë, etj., ngase ngërthen në vete plot enigma të cilat presin zgjidhje fatlume në të ardhmen.

Metodën e re, rezultatet e së cilës janë inkurajuese, na e ka dhuruar gjenetika molekulare. Shkencëtarët e Zagrebit kanë arritur në rezultate të lakmueshme, në studimin e çështjeve thelbësore në fushën e ilirologjisë. Instituti antropologjik në Zagreb, të cilin e drejton dr. Pal Rudani, /profesor në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë Shkencave Matematiko-Natyrore/, ka filluar hulumtimet së bashku me antropologë nga Estonia për elementet e ADN-së tek banorët e ishujve Hvar, Braç dhe Korçulë. Në bazë të gjetjeve osteologjike, të lashta 10 deri në 12.000 mijë vjet, dhe atyre më të reja, kanë arritur në konkluzionin se banorët e këtyre ishujve kanë jetuar në mënyrë të pandërprerë në këto hapësira. Kjo e dhënë është një sensacion i dorës së parë, sepse hap mundësi të reja për studimin e popujve të vjetër ballkanikë. Tani krijohet baza me të dhëna të ndryshme rreth rasteve të hulumtuara, të cilat duhet të përfshijnë të gjitha territoret ku kanë jetuar Ilirët, sepse vetëm pas kësaj mund të nxjerrim konkluzione të sakta rreth shumë çështjeve që sot janë të diskutueshme dhe të pazgjidhura.

Aplikimi i metodave të reja shkencore, mundëson një bashkëpunim ndërdisiplinor dhe ndërshtetëror. Sa po i shfrytëzojnë këto mundësi studiuesit dhe shkencëtarët shqiptarë?

Aleksandër Stipçeviq: Metoda e re, për të cilën bëjmë fjalë, shtron një çështje shumë të rëndësishme, atë të bashkëpunimit të shkencëtarëve shqiptarë me ata kroatë. Nuk ka fije dyshimi, se ky bashkëpunim është i domosdoshëm, dhe tepër urgjent, nëse dëshirojmë që ilirologjja të ecë krahas shkencave të tjera, duke shfrytëzuar këto momente ndoshta tepër të vlefshme dhe fare të papritura. Në këto momente, as që mund të paramendojmë se cilat do të janë rezultatet e aplikimit të metodës së re shkencore, por është imperativ kohor, që menjëherë të fillojmë projekte të përbashkëta, që të mund të furnizohemi me sa më shumë të dhëna nga terreni, që pastaj këto të dhëna t’i aplikojmë në arkeologji dhe në shkencat e tjera përkatëse.

Shpresoj se me anën e kësaj metode të zgjidhim njërin nga problemet më të rëndësishme të ilirologjisë, por edhe të ballkanologjisë në përgjithësi, atë të substratit ilir në popujt e Ballkanit të sotëm. Rolin e ilirëve të vjetër, në formimin e banorëve të Ballkanit në kohën romake, e posaçërisht atë, se çka ka mbetur nga ilirët tek shqiptarët e sotëm, por edhe tek të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit të sotëm. Kështu, rreth etnogjenezës së shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë, të cilët jetojnë në këto territore, në të cilat, në prehistori dhe histori kanë jetuar ilirët, do të vihen  themele shkencore dhe nuk do të jenë objekte të politikës së ditës.

Përfitim më të madh, në këtë rast, do të kenë shqiptarët, sepse do të vërtetohet teza qëmoti e njohur, se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve. Por do të jetë shumë më i qartë edhe ndikimi i substratit ilir, në formimin e etnosit shqiptar, por edhe të elementeve të tjera në fusha të veçanta të territorit etnik të shqiptarëve të sotëm, por edhe të të tjerëve, si grekëve, turqve, romakëve, sllavëve, etj.

Shfrytëzoj rastin të bëj apel tek shkencëtarët shqiptarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në Maqedoni, që sa më parë t’u rreken këtyre hulumtimve, dhe të gjithë së bashku të japim kontributin tonë, rreth zgjedhjeve të disa problemeve  shumë aktuale, të cilat deri me tani nuk ka qenë e mundur të zgjidhen me metodën tradicionale si në arkeologji, por edhe në histori, gjuhësi, antropologji, etnologji etj. Ky është një rast që vërtet duhet shfrytëzuar.

I nderuari profesor, çfarë mund të na thoni për shtetin ilir, për kulturën materiale e shpirtërore të tyre, për autenticitetin e kësaj kulture dhe për shkallën e ndikimit të saj tek popujt e tjerë?

Aleksandër Stipçeviq: Për ilirët dhe kulturën e tyre mund të flasim ashtu siç flasim për italikët dhe për kulturën e tyre, edhe pse e dimë se në Itali kanë jetuar popuj të ndryshëm me kultura të ndryshme, të cilët kanë folur gjuhë të ndryshme. Me fjalë të tjera, të gjitha ato fise, apo siç i quajmë popuj, të cilët kanë jetuar në Ballkanin Perëndimor e që i quajmë ilirë, sheshazi shihet se, pavarësisht nga dallimet kanë pasur mjaft elemente të përbashkëta, në bazë të të cilave mund të flitet për ilirët si për një “lidhje”, si një tërësi fisesh të ndryshme me një unitet të mjaftueshëm. Sipas kësaj edhe kulturat e tyre kanë pasur aq elemente të përbashkëta sa mund të flitet për një kulturë ilire me disa nën kultura brenda saj. Po kështu mund të flitet edhe për shtetin ilir. Ka pasur disa formacione shtetërore, të cilat ishin zhvilluar në Ilirinë e Jugut e që kanë qenë më përparimtare. Mirëpo, edhe fiset e tjera ilire, që nuk u zhvilluan aq shpejt, patën formacionet e tyre shtetërore.

Po cili ishte ndikimi i kulturës ilire tek popuj e tjerë ballkanikë?

Aleksandër Stipçeviq:  Është shumë e vështirë të flitet për atë ndikim. Dihet se që në kohën e bronzit disa fise ilire kaluan në Italinë Jugore: mesapët, japigët, peuketët, etj. pra, një tërësi fisesh shkoi prej Ballkanit në Napolin e sotëm. Prandaj përherë mund të flitet për ndikimin e kulturës ilire në atë pjesë të Italisë. Po kështu, dihet se liburnët, kanë pasur një ndikim politik e kulturor në pjesën e mesme të Italisë. Dihet se ilirët kanë pasur ndikim edhe në Italinë Veriore, për shkak të lidhjeve të italikëve veriorë dhe të etruskëve me burimet e lëndëve të para në viset ilire, në Slloveninë e sotme. Ato ndikime kanë qenë të dyanshme: prandaj edhe nuk mund të thuhet se ilirët vetëm kanë dhënë, por edhe kanë marrë. Elementet kulturore të ardhura nga Iliria, sot, mund të identifikohen lehtë. Po ashtu ilirët kanë pasur ndikim edhe në Rumaninë e sotme. Dimë për një kulturë besarabe, e cila ka qenë nën ndikimin e fuqishëm të kulturës ilire. Kjo është ajo që mund të thuhet sot për kohën prehistorike. Më vonë, ilirët, si një element shumë i rëndësishëm në Perandorinë Romake, sidomos në provincën e Dalmacisë /Delmecisë/, kanë luajtur një rol me rëndësi. Në të ashtuquajturën rilindje ilire, kultura ilire ka qenë më e rëndësishme në tërë atë që ka ndodhur në sferën kulturore në këtë kohë.

Problem të veçantë në shkencë edhe sot e kësaj dite paraqet shtrirja gjeografike e ilirëve. Mund të bëjmë rikonstruktimin e disa momenteve kyçe, por jo në tërësi. Cili është mendimi Juaj?

Aleksandër Stipçeviq: Problemi i shtrirjes gjeografike të ilirëve është i lidhur me problemin e etnogjenezës së tyre. Pa hyrë në detaje do të thosha se sot për ne ekziston një burim tejet i rëndësishëm për shtrirjen gjeografike të ilirëve. Ai është Apiani, të cilit nuk kemi arsye pse të mos i besojmë. Ai vërteton se ilirët kanë jetuar prej Epirit deri në Danub. Arkeologët dhe gjuhëtarët janë të mendimit se duhet të ngushtohet ky territor në llogari të popujve të ndryshëm, sidomos panonëve, në pjesën Veriore të Ballkanit. Unë mendoj, se nuk ka elemente të forta që të kontestohet Apiani. Sot, kur flasim për ilirët, mendojmë për atë hapësirë gjeografike që shtrihet prej Alpeve e Danubit në veri, Moravisë në jug, e pastaj deri pak më në jug të shtrirjes së Shqipërisë së sotme.

Cilat çështje, i nderuari profesor, i konsideroni si më të rëndësishme dhe që kërkojnë zgjidhje urgjente? Kontestimi dhe teoritë e ndryshme anti-ilire as sot e kësaj dite nuk pushojnë. Sa mund të flitet për këtë çështje sot?

Aleksandër Stipçeviq: Ilirët nuk i takojnë vetëm të kaluarës; ata jetojnë, gjithë ditën edhe sot me ne. Elementi ilir në Ballkan është ende i gjallë. Ta studiosh sot historinë e popujve të Ballkanit e të mos njohësh substratin kulturor ilir është e pamundur. Pikërisht për këtë, sot, ilirët janë temë aktuale jo vetëm ballkanike, por edhe evropiane. Studimi i elementit ilir në kulturat e sotme të Ballkanit ka një rëndësi tejet të madhe. Pa njohjen e këtij elementi nuk mund të njihet jeta dhe kultura e sotme ballkanike. Për këtë, njëri ndër problemet, që në ilirologji imponohet si kyç, është pikërisht ai i raporteve ilire me kulturën shqiptare dhe me atë të popujve të sllavëve të Jugut. Ajo vazhdimësi, ajo lidhje kulturore ndërmjet kulturave prehistorike, të kulturës ilire në kohën romake, e të kulturës së sotme në Ballkan - është njëri ndër problemet më të ndjeshme dhe më të komplikuara që sot shtrohet para ilirologjisë. Në studimin e vazhdimësisë iliro-shqiptare, shqiptarët kanë dhënë përgjigje për një varg pyetjesh dhe kanë arritur shumë larg. Mund të themi se të gjithë popujt që jetojnë sot në Ballkan kanë elemente të substratit ilir.

Tani këtu hapet një çështje tjetër për diskutim! Kohët e fundit, në qarqe të ndryshme “shkencore”, por edhe gazetareske e politike, vihet në dyshim etnogjeneza e shqiptarëve. Çfarë mund të na thoni ju për këtë çështje, e cila për mendimin tonë është e përfunduar?

Aleksandër Stipçeviq: Vërtet, çështja ilire dhe ajo e etnogjenezës së shqiptarëve po diskutohet pa ndonjë shkak kohëve të fundit dhe po politizohet pa nevojë. Kemi dëshmi të mjaftueshme që argumentojnë se ilirët nuk janë zhdukur me ardhjen e romakëve e as më vonë. Shën Jeronimi, i cili është burim i sigurt sipas mendimit tim, thotë se ilirët në shekullin e 5-të, e kanë folur shumë mirë gjuhën e tyre. Në udhëpërshkrimin e Shën Hilarionit flitet për gjuhën e ilirëve në rrethin e Epidaurum-it, pra në Cavatin e sotëm. Të besosh se ilirët u zhdukën nga faqja e dheut me ardhjen e sllavëve është e pakuptimtë dhe e palogjikshme. Në Ballkan nuk kishte aq shumë sllavë, madje as popuj të tjerë, të cilët në mesjetën e hershme erdhën në Ballkan. Ata kishin ardhur në viset të cilat nuk i njihnin aq shumë dhe ishin përqendruar në qytete, ku ishte edhe pasuria.

Ndërkaq populli ilir kishte zhvilluar një prodhimtari të mallrave dhe prej kësaj mund të kishin dobi. Kështu ishin të detyruar ta përvetësonin edhe mënyrën e jetesës edhe shumëçka tjetër të këtij populli të lashtë. Prandaj ky element ilir mbeti aty. Për këtë nuk ka kurrfarë dileme, e ne sot jemi në gjendje t’i identifikojmë ato elemente. Mirëpo politizimi që i bëhet kësaj çështje, duket sikur dëshiron të mohojë marrëdhëniet e ilirëve, por edhe të shqiptarëve me popujt e tjerë të Ballkanit. Në një farë mënyre harrohet, apo thënë më drejt, dëshirohet të harrohet, se ilirët mbetën jo vetëm në trojet ku sot jetojnë shqiptarët, por në tërë Ballkanin Perëndimor. Pra, ata që mohojnë origjinën ilire të shqiptarëve, e bëjnë këtë jo për hir të shkencës, jo pse kanë argumente shkencore, por nga motive të tjera të cilat janë shumë larg shkencës. Askush nga ata që në Ballkan e në botë merret seriozisht me problemin e ilirëve nuk e mohon origjinën e drejtpërdrejtë të shqiptarëve prej tyre. Albanologjia në mënyrë të sigurt dhe me argumente të mirëfillta, e me dëshmi materiale e ka vërtetuar lidhjen e kulturës së lashtë ilire dhe të shqiptarëve mesjetarë. Arkeologët kanë zbuluar një numër lokalitetesh të shekujve të 7-të, 8-të dhe të 9-të, të cilët plotësojnë qartë, pikërisht atë dije, që nuk mund të plotësohet nga burime të shkruara historike. Pra, sot nuk është kontestues fakti që në mes ilirëve dhe shqiptarëve ekziston jo vetëm vazhdimësia kulturore, por edhe ajo etnike. Unë kam shkruar edhe për elementin ilir tek kroatët në veçanti, si edhe për prezencën e ilirëve në kulturën kroate. Elementet ilire në këtë pjesë të Ballkanit janë të pranishme shumë më shumë se sa kemi menduar më parë.

I nderuari profesor, disa herë keni qenë i “kyçur” në polemika të ashpra dhe tepër të gjata me shkencëtarë dhe historianë serbë të cilët për shkaqe të politikës ditore kanë mohuar prejardhjen e drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët. Dy raste janë disi më të veçanta: ai i “Enciklopedisë Jugosllave” dhe ai i librit “Shqiptarët”. Çfarë mund të na thoni për këto polemika?

Aleksandër Stipçeviq: Kur në vitin 1980 u botua vëllimi i parë i botimit të dytë të Enciklopedisë së Jugosllavisë, nga enti leksikografik Mirolsllav Kelezha në Zagreb, askujt nuk i ka vajtur në mend, se rreth këtij edicioni do të diskutohej në vitin 1982 dhe në kongresin e nëntë të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë pikërisht për zërat bibliografikë: “Shqiptarët” dhe “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave”. Këto dy zëra janë pranuar në redaksinë qendrore të enciklopedisë, anëtarët e së cilës ishin, përveç të tjerëve, edhe shqiptarë dhe serbë, me një procedurë të komplikuar, dhe pas debateve të ashpra dhe kundërthënëse. Redaksinë shqiptare e drejtonte Esat Mekuli, njeri shpirtmirë dhe shumë tolerant, i cili pa asnjë kompromis ka luftuar me pjesën serbe të redaksisë qendrore, për çdo fjalë në zërat e cekur. Me botimin e këtij vëllimi, menduam se situata u qetësua, emocionet disi u qetësuan dhe se përmbajtja e atyre zërave më nuk do të ishte e diskutueshme.

Menjëherë pas botimit të librit, në Prishtinë shpërthyen demonstratat e vitit 1981. Ky ishte shkak i mjaftueshëm për anëtarët serbë të redaksisë qendrore, që të deklaronin si të papranueshme disa nga pjesët e zërave të cekur më lart, sepse në to ishte thënë kategorikisht, se shqiptarët ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve të vjetër. Kjo gjë nuk ishte kundërshtuar, kur zërat ishin përgatitur dhe dërguar për botim, por atyre anëtareve të “mençur” të redaksisë, tani u ishte bërë e qartë se shqiptarët assesi nuk mund dhe nuk duhet të ishin pasardhës të ilirëve, e sidomos pasi shqiptarët kishin protestuar rrugëve të Prishtinës kundër terrorit serb që ushtrohej mbi ta në Kosovë!

U krijua një situatë shumë e tensionuar. Esad Mekuli e ka vizituar shumë shpesh Zagrebin në atë kohë, me qëllimin që të ndikonte në tejkalimin e situatës së krijuar. Njëri nga anëtarët serbë të redaksisë, e pyeti në do të jepte dorëheqje pas asaj që ishte shkruar në zërat e Enciklopedisë, por Esati, me mençuri i është përgjigjur duke i thënë: ju duhet të jepni dorëheqje, sepse nuk keni qenë në gjendje të vini re këto gjëra, para se të shpërthenin demonstratat e Kosovës.

Në redaksinë qendrore kishin presione të jashtëzakonshme politike. Nga ne kërkohej që të gjenin një zgjidhje kompromisi që do të kënaqte të dy palët. Kam qenë i ngatërruar në këtë “zgjidhje”, sepse si anëtar i redaksisë për tekstet e përbashkëta të enciklopedisë, na kërkohej me shkrim që sqaronim shkakun e problemit të krijuar. Shkrova një elaborat prej disa faqesh, duke u përpjekur që të sqaroj, se në vitin 1981, në ilirologji nuk kishte ndodhur asgjë e re që të shtynte shkencëtarët të ndërronin mendimin e tyre, për marrëdhëniet iliro-shqiptare. Tërhoqa vëmendjen se edhe vetë shkencëtarët serbë (M. Garashanini e  disa të tjerë) e kishin pranuar më parë teorinë e prejardhjes ilire të shqiptarëve, dhe se tani kishin ndërruar mendje, kryesisht të shtyrë nga motivet politike.

Ndërkohë filloi një polemikë e ashpër në shtypin serb në lidhje me zërat e enciklopedisë. Historianët më të mirë serbë, të cilët më parë nuk ishin marrë fare me problemin e ilirologjisë filluan garën, që kush më parë të “tregonte” teorinë e gabuar, se shqiptarët ishin pasardhës të ilirëve. Në anën tjetër, historiani shqiptar, Ali Hadri, në mënyrë shumë të ashpër dhe me argumente i kundërshtoi shkencëtarët serbë në revistën “Kosova”. Ndoshta është e tepërt të thuhet se ky problem u ka shërbyer politikanëve serbë, që të bëjnë një diferencim /spastrim/ të intelektualëve shqiptar në Kosovë.

Redaksia qendrore e “Enciklopedisë Jugosllave” në këto kohë të turbullta mori vendimin që të shkruhej versioni i ri për zërat e përmendur. Teksti i ri duhej të botohej si separat, i cili do të futej në vend të zërave të mëparshëm, që do të hiqeshin me dorë në të gjithë ekzemplarët e botuar, ndërsa te ato të shitura, luteshin pronarët e tyre, që të bënin zëvendësimin e tyre.

Shpresoj, se historianëve serbë do t’u vijë keq së shpejti kur të jenë të liruar nga nacionalizmi i tepruar dhe kur të jenë me koka të kthjelluara, për gjithë atë që kanë folur e shkruar në lidhje me marrëdhëniet iliro-shqiptare. E këtë jo sepse kjo teori ishte e gabuar apo e drejtë, por sepse kanë shfrytëzuar komitetet partiake, akademinë dhe institucionet e tjera shkencore për një diskutim politik.

Si u zhvilluan polemikat rreth librit “Shqiptarët”? Ju ishit njëri nga ata që u sulmuat më së shumti, duke u shpallur edhe si ideator i nacionalizmit shqiptar?

Aleksandër Stipçeviq: Ende pa u qetësuar mirë situata rreth “Enciklopedisë”, shpërtheu afera tjetër. Edicioni botues slloven “Cankarjeva založba”, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 kishte vendosur të botonte një libër për shqiptarët, /Shqiptarët, 1984, Lublanë/, në të cilët do të gjendeshin momentet më të rëndësishme nga e kaluara e shqiptarëve. Redaktori i botimit të ardhshëm z. Janez Staniqi kishte shkuar në Prishtinë që të bisedonte me disa nga autorët, të cilët do të angazhoheshin rreth disa temave të caktuara. Shumë shpejt, ai mblodhi gjithë ata autorë që i duheshin, por për temën, “Marrëdhëniet iliro-shqiptare”, nuk kishte mundur të gjente askënd. Kjo ishte temë shumë “aktuale,” sidomos në Prishtinë, por atje kolegët shqiptarë kishin propozuar që të shkruaja unë për këtë temë! Shkaku ishte se unë jetoja në Zagreb, e asgjë nuk do të më ndodhte, nëse do të shkruaja ndonjë gjë, që politikanëve serbë nuk do t’u pëlqente. Zotëri Stançiqi, në Zagreb, më sqaroi se përse bëhej fjalë si dhe për propozimin e kolegëve shqiptarë nga Prishtina. U ndodha në një situatë të vështirë. Kisha në dorë një dorëshkrim të cilin më duhej ta përfundoja sa më parë, e nuk kisha kohë të merresha me ndonjë temë tjetër! Megjithatë, kuptova se nuk mund ta refuzoja këtë ofertë për asnjë arsye, sepse përveç të tjerave refuzimi im do të komentohej nga kolegët si shmangie nga kjo temë shumë “aktuale dhe e rrezikshme”. Kështu lindi studimi “Etnogjeneza e Shqiptarëve” në vitin 1984.

Sapo doli libri nga shtypi, në Serbi vërshoi një lumë kritikash. “Politika”, “NIN”, por edhe gazeta të tjera të përditshme javore e vjetore filluan të sulmojnë në mënyrën më të ashpër autorët dhe tekstet e librit. Në gazetën e partisë “Borba” u botua punimi: “Nga absurditeti deri në ndryshim të historisë”, në “NIN” punimi: “Çerdhe irredentiste”, në “Jedinstvo” të Prishtinës, punimi “Vështrim i rrezikshëm në zhvillimin e historisë”, etj. Në anën tjetër, as historianët shqiptarë nuk mbetën pas serbëve. Në “Gjurmime albanologjike”, historianë të shumtë iu përgjigjën në mënyrë kritike, me argumente të forta dhe të qëndrueshme shkencëtarëve serbë. Edicioni botues slloven e përgatiti këtë libër për botim edhe në kroatisht, por komitetet partiake arritën ta ndalojnë botimin e tij, i cili nuk është botuar as sot e kësaj dite. Ndërkohë, botimi slloven u hoq nga shitja në të gjitha libraritë. Tensionet rreth zërave të “Enciklopedisë Jugosllave” dhe librit “Shqiptarët”, si dhe disa botimeve të tjera në atë kohë sikur u paraprinë ngjarjeve të bujshme në Kosovë dhe Jugosllavi. Koha e shthurjeve të përgjakshme po shfaqej në horizont.

Ora 08:33
Aleksander Stipceviq: 'Ilirët', nevoja urgjente për metoda të reja shkencore
  • B.K./Shqiptarja.com
    Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    • Sondazhi i ditës:
      17 Dhjetor, 08:53

      Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



    ×

    Lajmi i fundit

    Mitsotakis nënshkruan kontratën, nis ndërtimi i rrugës Janina-Kakavijë me vlerë 310 milionë euro

    Mitsotakis nënshkruan kontratën, nis ndërtimi i rrugës Janina-Kakavijë me vlerë 310 milionë euro