Alfred Bualoti: Butrintit i kemi
dhënë biletat e festivalit

Alfred Bualoti: Butrintit i kemi<br />dhënë biletat e festivalit
TIRANE- Debatit për mungesën e kritereve dhe korrigjimin e kontratave që u jepen nga Ministria e Kulturës organizatorëve të festivalit dhe atij për çështjen e shkatërrimit të monumentit nga këto festivale, drejtori i Festivalit Ndërkombëtar Butrinti 2000, Alfred Bualoti, i përgjigjet me një tufë kontratash në dorë të firmosura nga Ministri i Kulturës dhe drejtuesit e Parkut Arkeologjik të Butrintit. Duke parë një për një pikat e këtyre kontratave. Bualoti është i bindur se është më rregull me ligjet dhe statuset e vëna. Por kur bëhet fjalë për pagesën që duhet t’u bëjnë organizatorët parqeve arkeologjike gjatë përdorimit të teatrove, ai shprehet se edhe këtë gjë do ta kishte bërë, nëse do të ishte shënuar në kontratë. Ndërkohë mësojmë se, ndryshe nga organizatorët e tjerë që përdorin tetarin e Apolonisë ose ndonjë kala për aktivitete dhe spektakle, organizatorët e festivalit të Butrintit u kanë lënë drejtuesve të Parkut si shpërblim biletat e spektatorëve që ndjekin festivalin, duke hapur kështu rrugën e një debati tjetër. Sa kushtojnë dhe kush mund ta dijë numrin e saktë të biletave. A është abuzuar me to, kur ata që bëjnë aktivitetin nuk janë ata që presin biletat?!   
 
Zoti Bualoti, tashmë ju jeni në dijeni për debatin që është hapur nga arkeologët dhe anëtarët e forumit të trashëgimisë për marrëdhëniet e Ministrisë së Kulturës me menaxherët e festivaleve, ku është folur se kontrata e parregullt ka si pasojë dëmtimet e monumentit?
-Sigurisht. Duke qenë organizatorë të një eventi të rëndësishëm, siç është festivali ndërkombëtar i Butrintit prej 12 vjetësh, në këtë festival kanë ardhur mjaft e mjaft spektatorë, mjaft e mjaft trupa të huaja dhe të vendit, mjaft e mjaft artistë, specialistë dhe artdashës. Në këtë mes, vit pas viti, ne kemi cituar dhe kemi vënë në udhë të mbarë edhe ndonjë shkelje, por që ka ardhur në një mënyrë krejt padashur kundrejt rregullave të mirëmbajtjes, ose kundrejt vlerave të monumentit. Por për sa i takon në mënyrë konkrete festivalit të fundit, edicionit të 12-të të këtij festivali ndërkombëtar të teatrit të Butrintit 2000, duke parë debatet që janë hapur në mbrojtjen e monumenteve na duken krejt të pavërteta.
 
Konkretisht cilat thënie janë të pavërteta?
-Ne po themi numri i spektatorëve, i cili pretendohet se ka qenë mbi kapacitetin e lejueshëm të shkallareve të Butrintit apo të tetarit të Butrintit është një numër i hamendësuar, fiktiv që askush nuk e ka verifikuar. E vërteta është që ka pasur një numër të konsiderueshëm, por nuk ka qenë 1500 vetë. Ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme me parkun e Butrintit prej shumë vitesh, jo vetëm kontraktuale, por ne kemi dhënë të gjithë shuma që kemi mbledhur nga biletat. Vetëm këtë vit nuk përdoren bileta, por përdorëm rreth 500 ftesa për shfaqjen, me kontrata të rregullta, por edhe në marrëdhënie bilaterale me njëri-tjetrin dhe nga vendimet që kemi marrë së bashku, pra një marrëveshje ka qenë që të mos përdornim këtë vit bileta që gjithmonë i kanë shkuar parkut, etj. Nga 500 ftesa mund të kenë ardhur 250 dhe hyrja ka qenë e lirë dhe numri ka shkuar deri te 350 ose pak më shumë, por askush nuk e ka verifikuar. Ne kemi përdorur ligjin shqiptar në këtë pikë, që nga leja që kemi marrë nga IMK për të ndërtuar skenën e Butrintit me mjete e lejueshme, siç është druri i skenës. Kemi marrë lejen urdhër nga ministri i kulturës për të hyrë në monumentet dhe për ta shfrytëzuar atë, dhe e treta dhe që është edhe me e rëndësishmja edhe kemi bërë një kontratë shumë rigoroze me drejtorinë e parkut të Butrintit për t’i zbatuar rregullat një nga një me dy të palët organizatorët dhe drejtuesit e monumentit dhe të festivalit të Butrintit dhe nga vetë parku i Butrintit. Me predispozitën e plotë të drejtorit të Parkut të Butrintit ne kemi pasur edhe mbikëqyrjen e gjitha punimeve që janë bërë të skenës dhe strukturës së festivalit. Madje aty kemi pasur si vëzhgues çdo ditë dy arkeolog, përveç punëtorëve specialistë që kanë qenë të parkut të Butrintit. Arkeologët rrinin edhe gjatë shfaqjeve për të shijuar dhe survejuar teatrin. Të gjitha pretendimet për mungesën e kontratave, për numrin e madh të spektatorëve janë krejtësisht të pabaza.
 
Mendoj se thelbi i këtij debati është për statuset e munguara për palët që lidhin kontrata, sepse konkretisht është cituar se kur bëhen dëme, organizatori as paguan as gjobitet. Ju çfarë përgjigje jepni për këto, po të kujtojmë edhe foton me gozhdët e ngulura ne mur dhe xhaketat e varura?
-Mua më vjen pak trishtueshëm që një foto e bërë disa vjet më përpara tregon se çfarë ndodh në Butrint. Na vjen keq edhe që ka ndodhur. Por gjithë çështja është se kjo foto nuk tregon çfarë ndodh sot. Nis ei referohem asaj që ndodh sot me festivalin, jo vetëm nga zbatimi i kontratave, por të gjitha rregullat kanë qenë më mirë se asnjë vit tjetër. Edhe nëse flasin për kamionët me tonazh të madh, ata nuk kanë qenë të tillë. Ata janë kamionë të cilët janë përdorur prej shumë vitesh, ashtu siç është makina gjenerator në park, që e kemi në pozicion te lejueshëm brenda parkut, por që nuk arrin zhurma në teatër. Të gjitha këto pajisje kur janë vendosur kanë qenë në përputhje të plotë me rregullat e parkut.
 
Kur flitet për statuset është hedhur ideja sesi të gjithë organizatorët në botë edhe ju duhet të jepni 10 për qind për mirëmbajtjen e monumentit?
-Po ta kishte këtë kontrata do ta jepnim. Ne i kemi dhënë biletat me përjashtim të këtij viti që u vendos marrëveshja. Kontratat realisht nuk kanë shuma të vendosura që ne kemi për t’i dhënë parkut Butrintit. Ne këtë vit duke mos pasur bileta nuk kemi as se çfarë të japim edhe me buxhete e pakta që iu dha këtë vit festivalit të Butrintit. Por unë nuk e di ketë teorinë se fqinjët tanë japin 10 përqindëshin për monumenteve ku zhvillojnë eventin, por dua të theksoj se që nga koha kur ka qenë Auron Tare në Butrint ne kemi dhënë lekët e biletave. Pra këto lekë i kanë kaluar parkut. Pra ne nuk e dimë asnjëherë numrin e biletave, atë e ka marrë parku, dhe aktivitetin e kemi bërë ne. Dhe unë them se shumë mirë ka bërë. Në një farë mënyre ne japim për Butrintin. Këtë vit ne donin të ndihmonim edhe më shumë siç është e mundur. Kjo ka qenë edhe përgjegjësia jonë. Ne vetë kemi qenë në debate për ruajtjen dhe konservimin të monumenteve ku zhvillohen këto aktivitete, në teatro të zbuluar, të konservuara, të ruajtura, këto duhet të hyjnë në logjikën dhe programin e festivalit të teatrit, sepse është një lidhje midis magjisë mijëravjeçare dhe spektatorit të sotëm. Madje edhe sjellja e të pakulturuarve zbutet në këtë marrëdhënie me teatrin. Parku ka personel për marrëdhëniet ne vetë parkun. Anëtareve të forumit unë iu dërgova ftesa. Mbase punët nuk i kanë lejuar të jenë të pranishëm. Por dua të theksojë se të gjitha pretendimet që kanë shfaqur për atë që ndodh në Butrint nuk janë aktuale, janë probleme që janë korrigjuar me kalimin e viteve. Tani ne u kemi çuar varëse për rrobat që janë të lehta dhe qëndrojnë mbi këmbë alumini. Pra them se pretendimet e atyre që kanë folur nuk janë të vërteta sepse nuk kanë qenë prezentë në këtë edicion. Aktori Neritan Liçaj që e pa që publiku ka mbushur plot shkallët e teatrit, kur ka folur për numrin e spektatorëve që arrijnë deri në 1500 e ka përfytyruar me afërsi këtë numër...  
 
KONTRATAT
Bualoti: Kemi Urdhrin e Ministrit, Aktmarrëveshjen me Parkun e Butrintit, si dhe Lejen për skenën nga Instituti i Monumenteve dhënë në vitin 2010. Por edhe pse për dy vjet nuk e organizuam dot festivalin nga mungesa e fondeve, me siguri unë them që ka qenë organizimi më i mirë në gjithë këto vite për sa i përket respektimit të rregullave për monumentet e kulturës.
 
RERPEKTIMI I RREGULLAVE
Kishte sinjalistika për rrugët që ishin ndriçuar.
Të gjitha monumentet ishin të rrethuar.
Kishte tabela “Ndalohet Hyrja” dhe “Ndalohet Duhani” shqip dhe anglisht.
U ndërtua posaçërisht mbajtëse rrobash prapa harqeve prej druri.
Për çdo moment kemi pasur pranë 2 persona të Parkut të Butrintit. Kemi paguar nga ana jonë punëtorët e parkut.
Hyrja me ftesa nuk i ka kaluar 500 vetët.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 01.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri