Ali Këlcyra, i dënuar me vdekje
nga Ahmet Zogu dhe dy atentate

Ali Këlcyra, i dënuar me vdekje<br />nga Ahmet Zogu dhe dy atentate
Një cikël shkrimesh me rrëfimet e Hana Këlcyrës/ Si e ka parë e bija babain e saj: si prind e qenie njerëzore, si shqiptar si politikan... Por edhe këndvështrime për personazhe të rëndësishëm si Mit’hat Frashëri, Ahmet Zogu, Abaz Ermenji, e deri tek Enver Hoxha...
 
Shkrimi i parë
 
Dritë-hëna mbi Ali Këlcyrën
Dritë-hëna mbi Ali Këlcyrën do të thotë thjesht këndvështrim i tij nëpërmjet bijës së vetme, Hana Klissurës, siç ajo e ka të shkruar emrin e vet në Paris ku lindi, në Itali ku përjetoi tetë mote dhe në Austri, në të cilin vend po kalon, shëndet fortë, pjesën më të madhe të jetës.
Çdo burim tjetër informacioni që do të përdoret në këtë cikël shkrimesh do të jetë anësor.
Me pak fjalë: rreptësishtë gjithçka do të jetë si e ka parë e bija babanë e vet. Si prind e qenie njerëzore, si shqiptar dhe patjetër si politikan.
Si edhe bashkëngjitur me të me ç’sy Hana Klissura i ka vështruar dhe ruajtur në kujtesë mjaft figura të tjera aktive të periudhës që nga shpallja e pavarësisë, Lufta e Vlorës, Kongresi i Lushnjës, i thirruri Revolucion Demokratik i Qershorit, periudha monarkiste. Pastaj Shqipëria deri në motin 1963 kur Ali Këlcyra ndërroi jetë papritur dhe një vit më pas po ashtu u nda nga bota edhe dikur rivali politik, ndërkohë i shndërruari në mik i tij i ngushtë, Eqerem bej Vlora.
Nëpërmjet syve të Hana Klissurës, të cilën që prej këtij momenti ne do ta thërresim shqiptarisht Hana Këlcyra, do të njihemi nga shumë afër me Mit’hat Frashërin, Ahmet Zogun, Abaz Ermenjin, do të ketë zhbirime deri edhe tek Enver Hoxha.
Drita e hënës (e Hanës), edhe pse përgjithësisht nëpër natë (por dhe nëpër histori, ku ka terr më shumë) është e zbehtë, gjithsesi ia lehtëson sadopak rrugën çdo shtegtari, me këtë rast autorit të këtyre radhëve si edhe lexuesit. Kjo “dritëhëne”, ky vështrim i Ali Këlcyrës nëpërmjet syve të së bijës, i përmban të gjitha rreziqet e subjektivizmit, por shpresojmë që bashkë me një shpirt rebel dhe të pavarur të Hanës t’i shmangemi sa më fort ndonjë gabimi apo pasaktësie të rëndësishme. 
 
Familja që u ngulit me kështjellë në rrip të malit
Sipas Hanës, çfarë ajo ia ka rrëfyer një gazete të Tiranës pas ardhjes së saj të parë në Shqipëri, në 17 dhjetor 2007, “Origjina e vjetër, historike e familjes Këlcyra, rrjedh nga familja e Muzakajve”.
Po ashtu thotë se “Sa i takon transformimit të mbiemrit, ai ishte bërë për shkak të titullit që Mbreti i Napolit, më 1272, i kishte njohur Andrea Muzaka-s, titullin “Conte di Clissania”, që i takonte gjeografikisht Grykës së Këlcyrës (clausura në latinisht do të thotë “mbyllje’)”.
“Me kalimin e kohëve, shpjegonte ajo në bisedë me të përditshmen e pothuaj një dekade më parë, ky emër shndërrohet në “clissura”, gjë e cila mund të vërehet edhe në hartat e vjetra të kohës. Me ardhjen e pushtimit osman, në shekullin e XIV-të, emri i qytetit “Clissura” transformohet edhe një herë në “Këlcyra”. Në këtë kohë, familja, për të mbijetuar, përshtatet me realitetin e ri dhe ndërron fenë, duke ndryshuar edhe emrin e të parit të familjes nga Teodor Clissura në Jakup Këlcyra”.
Ndërkohë sipas Eqerem bej Vlorës, hartues i një pakete gjenealogjike mbi prejardhjen e nëntë familjeve të njohura shqiptare të tre-katër shekujve të fundit (libri “Kujtime 1885-1925, Tiranë 2003) “Familja fillimisht quhej Muzhaka. Në vitin 1272 Andrea Muzhaka caktohet nga mbreti Karl i Anzhusë si kont i Klisanjës (Klisura-Këlcyra). Gjatë periudhës së Skënderbeut Këlcyrajt luajnë një rol të madh”.
Më pas Eqerem beu shton: “Pema gjenealogjike nis në shek. e 15-të me Teodorin, një i krishterë. Prej tij rrjedhin në vijë të drejtpërdrejtë Jakob (Jakup) beu, Murati, Islami, Mahmuti, Veliu, Rizai, Murati (gjysh i Ali Pashë Tepelenës) dhe Muhameti, pasardhësit e të cilit radhiten këtu poshtë: Muhamed beu, ...”
Eqerem bej Vlora shkruan njëkohësisht se Muhamedi qe martuar me Hejbetulla hanëm Asllan-Pashali, vajzë e Ali Pashës. Këta lindën tre djem (Islami, Aliu, Hyseni) dhe dy vajza (Zejnepe dhe Atije).
Vëllai i Muhamedit, Xhelali, qe martuar me korçaren Hana Luarasi.
Fëmijë të tyre qenë Aliu (Këlcyra), Faiku, Fadili dhe motra e tyre Mili, i cila ndërroi jetë në Shqipëri në motin 1954. Qe martuar me Hysen bej Biçakun.
Hana, bija e Ali Këlcyrës dhe guida jonë në këtë vështrim historik të tij dhe të disa bashkëkohësve, duket sheshit që ka marrë emrin e gjyshes, pra nuk është ndonjë shpikje snobe e prindërve të saj për të tingëlluar si evropano-qendrore, gjysmë gjermane apo ndopak austriake.
Shënojmë, në vijim të kthjellimit të origjinës reale të familjes së mësipërme, se Akademia e Shkencave e Shqipërisë në botimin e saj tre vëllimesh, kryer në 2008, të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, shkruan se “Për shkak të pozicionit strategjik të grykës së Këlcyrës që në shek. IV-III p.e.r., në një kodër të malit të Trebeshinës u ngrit kështjella ilire e Këlcyrës, me mure blloqesh kuadratike. Fortifikimet u rindërtuan në Mesjetën paraosmane. K. përmendet për herë të parë nga burime të shkruara më 1272 me emrin Klausura dhe më pas në v. 1335, kur atë e marrin krerët shqiptarë, që kishin ngritur krye kundër perandorit të Bizantit Andronikut III Paleologu. Në pjesën më të lartë të kodrës ruhen edhe rrënojat e një kështjelle të periudhës së pushtimit osman”.
Sipas arkeologut të njohur Skënder Muçaj “Në vitin 1319 përmendet Mentul Muzaka, një nip i Andrea Muzakës I, nga shtëpia shqiptare e Muzakajve, si "comes Clissanie", ndërsa në vitet 1327 dhe 1335, i njëjti vend shënohet me emrin Clausura dhe në këtë të fundit Venediku urdhëron gjithë sipërmarrësit e tij që të braktisin këtë vend”. Më pas: “Në vitet 1335-36, Cleusura ndodhej përsëri nën pushtetin bizantin dhe bënte pjesë së bashku dhe me qytetet (Kaninë, Berat) dhe kështjellat (Skrapari, Tomorri) që u pushtuan nga kryengritësit e rrethinave rurale dhe që u çlirua nga perandori Androniku III me ndihmën e mercenarëve turq. Pas pushtimit turk, sipas regjistrit të vitit 1431-32, Këlcyra numëronte mbi 100 shtëpi që paguanin taksa dhe ishte qendra e vilajetit me të njëjtin emër”.
 
Beu antibej
Vetë Aliu, figura që do të vëmë më dukshëm në qendër për ç’ka do të shkruajmë më pas dhe për këtë do të na ndihmojë, siç e thamë, edhe e bija, Hana, ka lindur  në Këlcyrë në 28 maj 1891. Xhaxhai i tij, pra vëllai i të atit, Veli bej Këlcyra, ishte një nga firmatarët e Deklaratës së Pavarësisë.
Pas mësimeve të para në vendlindje, Ali Këlcyra ndoqi liceun “Gallata Saraj” në Stamboll, ku mori maturën. Pastaj studioi në Universitetet e Hukukut edhe te Mylqijes, ku i pari ishte për Drejtësi dhe i dyti për Shkencat Politike. Këtë profilizim të tij pas vitit 1912 iu desh ta ndërpresë për t’iu shmangur detyrimit për të qenë shtetas osman, kur tashmë atdheu i tij qe shtet i mëvetësuar dhe ai qytetar shqiptar.
Kur shpërtheu Lufta Ballkanike u kthye në Këlcyrë dhe gjatë pushtimit të jugut të Shqipërisë nga ushtritë greke, pasi këta i dogjën sarajet e familjes, u largua për në Vlorë. Përshëndeti princ Vidin e princeshën Sofie që erdhën të vizitonin të ikurit nga zonat e pushtuara. Më pas emigroi dhe u vendos në Italinë e Jugut, në krahinën e Kalabrisë, saktësisht në qytezën arbëreshe San Demetrio Korona.
Në 1915 vazhdoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë. Ky është momenti kur ai përqafoi idetë socialdemokrate. U bë një bej i majtë.
Në atdhe u kthye një vit më pas dhe në 1918 shkoi sërish në Vlorë, ku në një mbledhje të fshehtë u themelua organizata “Mbrojtja Kombëtare”. Me këtë   rast   komanda italiane e pushtimit e dëboi prej territoreve nën administrimin e saj.
Në vijim Ali Këlcyra mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, prej ku në Kuvendin Kombëtar u zgjodh si deputet i prefekturës së Gjirokastrës. Që në seancën e tij të parë propozoi që në apelin e deputetëve të mos i lexohej titulli “bej”, pra ai t’i hiqej.
E periudhës së pluralizmit të parë, 1920-1924, është edhe ky episod kuptimplotë për sjelljen e tij të veçantë politike: Stavro Vinjaun, më pas ministër në qeverinë gjashtë mujore të Fan Nolit, e kishte shok partie. Qenë njohur në të shkuarën në universitetin “La Sapienza” në Romë dhe miqësinë e ruanin që atëherë. Një ditë, në parlament, kur një nga Toptanasit e palës kundërshtare bëri një propozim, i cili Ali Këlcyrës iu duk në dobi të vendit, ky ngriti dorën për ta votuar. Por Stavro Vinjaut një gjest i tillë iu duk pa vend dhe i hoqi vërejtjen duke i thënë me zë të lartë “Pse aprovove një propozim që vjen nga një bej?”
Ali Këlcyra nuk u vetëpërmbajt dhe e goditi me pëllëmbë. Vinjau, i cili ishte edhe më i shkurtër nga Aliu, por edhe goditja e shuplakës e zuri papritur, u shemb përdhe. Opozita e kënaqur prej kësaj skene brohoriti me të madhe. Ndërkohë Ali Këlcyra reagoi menjëherë: e ngriti Stavron nga toka, e përqafoi edhe i kërkoi falje publikisht që e kishte qëlluar pak më parë. 
 
Hakmarrja e Ahmet Zogut: dënim me vdekje, sekuestrim prone, dy atentate
 
Kur qeveria Noli u godit ushtarakisht prej Ahmet Zogut, Aliu u bashkua me grupin aratisës të kryeministrit dhe u vendosën për disa kohë në Brindizi. Kështu për të nisi periudha e mërgimit të parë, e cila zgjati për pothuaj 15 vite. Edhe jashtë vendit vijoi të qe politikan aktiv, madje duke filluar nga moti 1925, kur u themelua në qytetin e Barit në Itali organizata “Bashkimi Kombëtar”. Ali Këlcyra u zgjodh sekretar i saj.
Një vit më vonë, gjyqi i hetimeve politike në Tiranë lëshoi një “Letër përdhuni” kundër tij. Hetohej nën akuzën e “propagandës kundër shtetit, regjimit e Kryetarit të Republikës”. Vendimi i dënimit me vdekje dhe i konfiskimit të pasurisë u botua në Fletoren Zyrtare.
I zhvendosur në Vjenë, në një udhëtim për motive politike në Athinë, pas vitit 1930 dhe atentatit që iu bë Ahmet Zogut para Operas së qytetit, Ali Këlcyra pësoi një tentativë për ta vrarë. Qe bashkë me Koço Tasin. Plumbat kapën vetëm këtë të fundit, duke e plagosur dhe rrëzuar në tokë, mu tek këmbët e Aliut.
Në Paris ai e vazhdoi me këmbëngulje veprimtarinë politike kundër Ahmet Zogut. Këtë qëndrim të tij të vendosur e bëri publike me artikuj në gazetat franceze “Le Quotidien”, “Le Matin” e të tjera. Ali Këlcyra qëndroi në radhët e “Bashkimit Kombëtar”, duke u bërë në Paris gjallëruesi i përhershëm i saj. Kjo ndodhi deri më 1938, kur “Bashkimi Kombëtar” u shpërbë.
Përpjekja e dytë për t’i bërë atentat e gjeti në kryeqytetin francez. Ishte viti 1935, kur tashmë kishte ardhur bashkëshortja e tij Avdije. Kjo tentativë për ta vrarë nuk pati pasojë për një arsye të thjeshtë: u zbulua që më parë.
Do ta kryente një shqiptar nga fshatrat e Përmetit. I vëllai i tij ndodhej i emigruar në Paris. Në mbrëmje shkuan që të dy të darkonin në një restorant dhe në një çast të bisedës vëllai i porsaardhur i pohoi se e kishin dërguar për të vrarë Ali Këlcyrën, beun e anëve të tyre. Pati lënë të kuptohej se urdhëruesi qe ministri i Brendshëm Musa Juka. Atëherë i vëllai, shumë i zemëruar, për ta trullosur i ra me një shishe bosh tek qafa. Policisë që erdhi menjëherë, iu justifikua se thjesht kishin pirë pak më shumë nga sa duhej dhe prej dehjes qenë zenë. Menjëherë pas kësaj ai njoftoi Ali Këlcyrën, duke e lënë tashmë të vëllanë të rikthehej duarbosh në Shqipëri.
 
Akademia e Shkencave e Shqipërisé për Ali Këlcyrën: “Në periudhën e pushtimit gjerman të vendit...hyri në bashkëpunim me nazistët gjermanë”
 
Do të ndodhte pushtimi italian që i rikthyer në Shqipëri të bëhej pjesëmarrës aktiv në krijimin e një fronti rezistence të quajtur “Nacionalizma shqiptare”, organizatë e fshehtë që më pas, në fund të vitit 1942, u ndje publikisht dhe u quajt “Balli Kombëtar”.
Me mundjen e nazistëve gjermanë sërish emigroi dhe në qytetin italian të Barit u mbajt nga aleatët nën vëmendje dhe dyshim, deri edhe sa prej tyre u burgos.
“Fjalori Enciklopedik Shqiptar” i vitit 2008 tek zëri “Ali Këlcyra”, mes të tjerash, publikon edhe këto gjykime: “Veprimtar politik, një nga figurat kryesore të Ballit Kombëtar”; “Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe ishte një nga organizatorët politikë të Luftës së Vlorës”; “Mori pjesë në Bashkimin e Shenjtë të forcave politike që u krijua për të përballuar rrezikun jugosllav (1921)”; “Gjatë v. 1921-1924 qe deputet i Partisë Popullore. Në fjalimet e tij u shpreh kundër qeverisjes së Ahmet Zogut”; “U dënua me vdekje në mungesë nga regjimi i A. Zogut”; “Ishte një nga themeluesit dhe udhëheqësit kryesorë të Ballit Kombëtar. U kritikua nga krerët e tjerë për Protokollin Dalmaco-Këlcyra. Në periudhën e pushtimit gjerman të vendit, si një ndër udhëheqësit e Ballit Kombëtar, hyri në bashkëpunim me nazistët gjermanë dhe u angazhua në veprimet luftarake kundër Ushtrisë NÇSh dhe zonave të çliruara prej saj. Në prag të çlirimit të vendit u largua për në Itali. Pas vdekjes së Mithat Frashërit u përpoq të mbante të bashkuar Ballin Kombëtar, i cili kishte filluar të përçahej në fraksione të shumta. Punoi për emisionet shqip të disa radiove të huaja”.
 
Të fejuar pa u parë
Kur Ali Këlcyra u fejua me Avdije Dudush hanëm Vrionin kjo qe vetëm 14 vjeçe. Nuk e kishte parë kurrë më herët atij momenti, nuk e mundi këtë gjë edhe kur u bë lidhja e fjalës. Por me familjen Vrioni njihej me kohë. Muhamed bej Këlcyra, xhaxhai i tij, qe martuar me Nafije hanëm Vrionin. Po ashtu Emine hanëm Këlcyra, halla e Aliut, kishte lidhur kurorë me Mehmet Ali pashë Vrionin.
Duke qenë se midis Vlorajve dhe Këlcyrajve, dy familje mjaft të lidhura ndërmjet tyre, sidomos në kohën e Ibrahim Pashë Vlorës (bashkëkohës i Ali Pashë Tepelenës dhe njëkohësisht krushk i tij), qe kryer një martesë, peshonte në opinionin e mirë të Ali Këlcyrës për të fejuarën e tij nga familja Vrioni, fakti motra e madhe e saj, Hadija, e cila pati lindur në 1904, ishte e shoqja e Eqerem bej Vlorës, kurse Ruhija, dalë në jetë një mot më pas, do të kishte bashkëshort të vëllanë e tij, Safa bej Vlorën.
Ali Këlcyrën e prekte thellësisht në zemër një rrethanë jete e bashkëshortes së ardhshme. Tre vëllezërit, ajo dhe katër motrat e saj qenë jetime. E ëma, Afife hanëm Biçaku, e kishte lënë Avdijen 9 muajsh, kurse i jati, Salih Pashë Vrioni, kur mbushi pesë vite jetë. Në familjen e tyre nuk mjaftuan vetëm këto dy vdekje të mëdha. Kishte dhënë shpirt papritur edhe njëra nga motrat, duke mbetur nga tetë në shtatë.
Tashmë të gjithë jetimët i mori nga Berati dhe i rriti në Fier xhaxhai, vëllai i madh i të atit,  Omer Pasha.
Ali Këlcyra ndërkaq u tha të vetëve se do ta jepte pëlqimin zyrtar vetëm në rast se vajza do të pyetej nëse edhe ajo qe e një mendjeje. Këmbënguli që në asnjë mënyrë asaj nuk duhej t’i imponohej një martesë, të cilën nuk ia donte zemra.
Me pak fjalë t’i thuhej Avdijes 14 vjeçare se ai, Ali Këlcyra, duke qenë se prej kohësh i ishin djegur prej ushtrisë greke sarajet e mëdha të familjes, nuk jetonte në aq bollëk hapësire banimi, sa mund gabimisht të përfytyrohej. Madje në strehën e mbetur në këmbë nga kompleksi i ndërtesave të dinastisë bashkëjetonte me xhaxhanë e vet.
Përgjigja e Avdijes nuk u vonua shumë. Thelbi qe fare i thjeshtë: do të vinte aty në Këlcyrë jo vetëm për burrin e saj, por mbi të gjitha edhe për motrën e vet, Nafijen. Kjo që ajo pohonte fare çiltër ishte shumë e besueshme. Nafija, një natyrë shumë e kultivuar në sjellje të hijshme, por edhe e dhimbsur për jetët njerëzore, qe shtatëmbëdhjetë vjet më e madhe se Avdija dhe në shtëpinë ku patën lindur, pas vdekjes së prindërve, ajo e kishte rritur të motrën e vogël si të qe nënë. Madje edhe Avdija kështu e thërriste.
Ali Këlcyra ndërkaq njoftoi se martesa do të ndodhte vetëm kur nusja e tij e ardhshme do të mbushte moshën ligjore: tetëmbëdhjetë vjeç.
 
(Vijon)
 
hana e kelcyres dhe vjenes

hana e kelcyres dhe vjenes

hana e kelcyres dhe vienes
 
Shënim: Cikël shkrimesh. Fotografitë shoqëruese dhe teksti i tyre janë përzgjedhur nga Darling Ismail Vlora

Redakisa Online
Al.N/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë