Sot sjellim shkrimin e shtatë të ciklit kushtuar kësaj figure me interes të historisë shqiptare, për të vijuar me 5 shkrime të tjera deri në fund të javës.
Shkrimi i shtatë
Kryeministria italiane në gusht 1939: “Lejojeni të hyjë në Shqipëri!”
Pas bisedës së bërë me të dërguarin posaçërisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë, ish-bashkëpunëtorin e Ahmet Zogut në vitet kur në Tiranë ai qeveriste si mbret, kolonelin Hill, i cili i tha “shko në Shqipëri në qoftë se do të luftosh pushtuesit fashistë”, Ali Këlcyra bëri siç i tha ai. Kështu shkoi tek ambasadori italian në Paris Rafaele Guarilia (Raffaele Guariglia).
Duhet të ketë qenë ende pa dalë muaji prill i vitit 1939-
I bëri kërkesën për të hyrë në Shqipëri nëpërmjet tokës italiane. I shpjegoi se territori ku ai do të shkonte, vendlindja, ndodhej në jug të vendit dhe për atje e kishte më të favorshme të hynte nëpërmjet detit, Kanalit të Otrantos, pra porteve të Barit apo të Brindizit.
“Unë nuk mund të them as po dhe as jo, i shpjegoi kryediplomati i ambasadës, por lutjen tuaj do t’ia dërgoj Romës”. Pastaj Guarilia i ofroi të mbushte disa formularë dhe ndërkohë i bëri të ditur se mundësinë e rikthimit në vendlindjen e vet po e kërkonte një politikan shqiptar, i cili kishte pasur marrëdhënie jo përherë të përputhura me qeverinë e zotit Musolini.
Kur pa që Ali Këlcyra, duke bërë sikur nuk e pati dëgjuar, kinse nuk i ktheu përgjigje, ambasadori italian shtoi: “Do t’ja dërgojmë pa vonesë lutjen tuaj Pallatit Kixhi dhe Kryeministria do të na kthejë përgjigje shumë shpejt”. ”Po erdhi miratimi, vijoi pas një heshtjeje të shkurtër, të jini të sigurt se prej nesh nuk do t’ju vijë asgjë e keqe”.
Heshtjes së re të Ali Këlcyrës Rafaele Guarilia iu përgjigj me fjalët e ndara qartë nga njëra-tjetra: “Kjo do të thotë se nuk do t’ju arrestojmë”.
Këtë çast politikani shqiptar i ktheu qetësisht përgjigjen “Ju siguroj se kthimi im është thjesht për të jetuar në atdheun tim dhe nuk kam ndërmend aspak të merrem me politikë. Zogu, i cili më kishte dënuar me vdekje dhe i pati sekuestruar pronat e mia, tani nuk është më dhe, duke qenë se janë hapur rrugët për t’i rimarrë, do të merrem me administrimin e tyre”.
“Ju kuptoj”, tha italiani. Një minutë më pas vijoi: “Politika është pasion i shquar për ju. Në rast se merreni me të edhe si miku ynë, do të ishim mjaft të gëzuar”.
“Faleminderit për vlerësimin që më bëni, por vërtet në Shqipëri nuk do të merrem me politikë”, tingëlloi Ali Këlcyra, si të deklamonte solemnisht një vendim orakulli, tonin e fjalëve.
“Zgjedhja juaj”, mëshoi rrokjet edhe ambasadori Rafaele Guarilia dhe me kaq u ndanë. Përgjigja nga Pallati Kixhi erdhi brenda dy javëve. Ali Këlcyrës i lejohej hyrja në Shqipëri nëpërmjet tokës italiane, sigurisht bashkë me gruan dhe vajzën. Në përgjigjen e Kryeministrisë ndërkohë shkruhej se “Sidoqoftë një bashkëpunim ne do ta dëshironim”.
Duket në Pallatin Kixhi i kishin besuar një ideje të ambasadorit të tyre në Paris, ku në materialin shpjegues të rastit Këlcyra ai pati nënvizuar për eprorët se për çështjen e tërheqjes formale të politikanit aktiv shqiptar nga marrja me profesionin e tij le të kishin pak durim e të pritnin. “Me kalimin e kohës do t’i vijë pak nga pak dëshira”, e kishte mbyllur gjykimin e vet kryediplomati Guarilia.
Për shqiptarët Italia është shteti më i mirë mes fqinjëve
Ambasadori Raffaele Guariglia ishte tepër i bindur se Ali Këlcyra do të vinte me këmbët e tij një ditë tek ta. Arsyetonte që në Francë, ku kishte shumë frymë kundër italiane dhe po ashtu antifashiste, ai mund edhe të bënte ndonjë trimëri, por në vendin e vet, të cilin italianët e kishin pushtuar dhe ia diktonin deri edhe marrjen e frymës, vështirë ta kishin tërësisht kundër.
Në Pallatin Kixhi e dinin se prej huqit të tij të vjetër të marrjes me politikë Ali Këlcyra nuk ndahej dot. I qe bërë mënyrë jetese. Nuk ishte shkëputur prej saj edhe në rrethana më të vështira, as në atdhe dhe as i emigruar si refugjat në qytetin e Barit apo në Romë, më pas në Vjenë dhe së fundmi në Paris.
Këtu, në kryeqytetin francez, pati qenë edhe më i zellshëm se në kryeqytetin austriak, ku me politikë qe marrë njëzetë e katër orë për njëzetë e katër. I ashpër me Ahmet Zogun, ditënatë kritikues ndaj tij, Ali Këlcyra nuk kishte qenë i butë as me Benito Musolinin. Ambasada e tyre kishte mbajtur shënim për gjithçka që pati shkuar nëpër gazeta.
Paraardhësit e Rafaele Guarilias në një raport informativ për Romën ishin kujdesur të mos i mungonte asnjë presje një interviste që Këlcyra në maj 1933 i pati dhënë në Paris gazetës “La libertà”. Me këtë rast poshtë emrit të autorit, sigurisht për t’ja maskuar identitetin e vërtetë, nuk qe vendosur fjala “politikan shqiptar”, por “akademik shqiptar”.
Në rreshtat e analizës së vet Ali Këlcyra vinte në dukje se ato çaste marrëdhëniet mes Ahmet Zogut dhe Benito Musolinit patën hyrë në një fazë mjaft të vështirë, pothuaj të një krize. Sipas Këlcyrës të dy krerët e vendeve përkatës kombinonin, sidomos në raportet financiare, frymë aleance dhe njëherësh kundërshtimi të fortë. Ali Këlcyra mendonte, dhe këtë gjë ambasada italiane në Francë e pati theksuar dukshëm në raportin informativ, se plani musolinian për ta kontrolluar plotësisht Shqipërinë po dështonte dhe po ashtu në faliment qe njëkohësisht edhe imazhi i regjimit të Zogut.
Ambasadori Rafaele Guarilia dhe paraardhësit e tij në Paris e dinin se Këlcyra e kishte të shpeshtë bashkëpunimin me shtypin francez dhe botimet e artikujve të tij qenë vazhdimisht me shigjetim kryesor Ahmet Zogun, por pa i bërë bisht edhe kritikave ndaj Musolinit. Sipas frymës së këtyre shkrimeve fashizmi ishte i papranueshëm dhe këtë opinion të tij Ali Këlcyra e linte t’i dukej.
Por ndërkohë ambasada saktësonte eprorët e vet për një veçanti: qëndrimi i politikanit shqiptar ndaj Italisë nuk qe krejt bardhë e zi. Këlcyra ishte i bindur se politika e jashtme e Romës ndaj Shqipërisë, me frymëzues Musolinin, ishte bërë mjaft agresive dhe kishte për qëllim shtrydhjen e saj si një portokalle. Doemos pas kësaj edhe shndërrimin në një koloni si Libia apo Etiopia.
Ndërkohë, çfarë edhe ambasada italiane në Paris e dinte në mënyrë të sigurt, politikani i njohur shqiptar qe shprehur hapur se “Italia ishte fqinja më pak e rrezikshme nga Serbia edhe Greqia” dhe në kushtet kur ajo nuk mund të qëndronte dot e pavarur ekonomikisht, në raport me të ishte e përshtatshme dhe e domosdoshme të kryhej një kompromis.
Mbret i Shqipërisë le të jetë një princ i familjes italiane Savoja
Sipas Ali Këlcyrës me Italinë qe e nevojshme të krijohej me domosdo një lidhje përparësie. Ky vlerësim si shtet i dorës së parë në rolin strategjik i bënte më të tulatura lakmitë territoriale dhe shovinizmin e ndezur grek dhe serb. Statusi i marrëdhënieve me përparësi për Romën, për aq sa ishte mbrojtëse për sovranitetin e Shqipërisë, kryhej si veprim i plotë me një gjest politik të fortë: mbreti i Shqipërisë të qe një princ prej familjes monarkiste italiane Savoja.
Për shembull një i tillë, mjaft i përshtatshëm, ishte Duka i Gjenovës.
Sipas Ali Këlcyrës, Italia dhe Shqipëria do të bashkoheshin nëpërmjet të njëjtës familje mbretërore. Kaq. Asgjë më tepër. Ai mendonte se me këtë veprim Shqipëria i jepte Italisë garancinë e plotë se nuk do të mbante kurrë ndonjë qëndrim kundër saj, siç shpesh i bënin presion dy fqinjët e tjerë.
Kjo donte të thoshte se Këlcyra nuk pranonte aspak vendosjen e kurorës shqiptare tek e njëjta kokë: Viktor Emanuelit III.
Kjo pikëpamje, edhe pse së jashtmi dukej si kompromis që e kapërcente përmasën e ruajtjes së pavarësisë kombëtare dhe mes nacionalistëve shqiptare zgjonte zemërim, ndërkohë shkaktonte edhe të kundërtën: nuk krijonte ndonjë besim italian në personin e tij.
E merrnin thjesht si një dinakëri.
Por në Romë shkaktonte dyshim të thellë edhe fakti që si socialdemokrat Ali Këlcyra kishte ruajtur dhe mbante lidhje në emigracion me politikanë italianë kundërshtarë të rreptë të Benito Musolinit dhe të fashistëve, sidomos me socialistin Petro Neni dhe socialdemokratin Xhuzepe Saragat. Madje ky i fundit pati bërë shumë në shtypin italian jashtë vendit për ta paraqitur Këlcyrën si eksponent të një partie socialdemokrate shqiptare, e cila në të vërtetë pati bulëzuar një çast në Tiranë në shtator 1924, por që u fik menjëherë pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, duke mos u gjallëruar kurrë më.
Përpjekja e parë e italianëve për ta arrestuar
Ambasadori Guarilia nuk ia kishte kujtuar më kot Ali Këlcyrës, gjatë bisedës për të kërkuar vizën e hyrjes në territorin italian, se gjatë kalimit nuk kishin për ta arrestuar. Kishte një histori të vjetër në themel, të ndodhur kur ende, pas largimit nga Shqipëria, gjendej si refugjat politik në Itali.
Ahmet Zogu po i përmirësonte me shpejtësi marrëdhëniet me Musolinin dhe gjatë vitit 1926 sjellja politike e autoriteteve vendase ndaj refugjatëve politikë shqiptarë të ngjarjes së quajtur Revolucioni i Qershorit, po ndryshonte për keq. Përherë e më shumë ata po bëheshin të padëshirueshëm. Ca më tepër i tillë ishte Ali Këlcyra, i cili ja kishte nisur politikës në Itali si të qe në shtëpinë e vet.
Kështu qeveria fashiste i dha urdhër karabinierisë lokale ta trëmbnin, pse jo, po ta shihnin të arsyeshme, edhe ta arrestonin.
Një karabinier e ndali në rrugë dhe i tha të vinte në kuesturë. Ali Këlcyra nuk kundërshtoi, por e pyeti për çfarë arsye po e thërritnin. Karabinieri e vuri në dijeni se eprorët e tij do ta merrnin në pyetje për punën e disa artikujve që botonte shumë shpesh nëpër gazeta. Dëshironin që vetë zoti Këlcyra t’u shpjegonte përmbajtjen e tyre.
Ndërsa po ecnin drejt kuesturës, me që ishte edhe kohë dreke dhe vërtet Ali Këlcyra kishte uri të madhe, por edhe sepse, siç i tha karabinierit, “në kuesturë do të kalojmë shumë orë dhe do të mbetem pa bukë”, e ftoi atë të uleshin në restorantin më të parë. Italiani nuk kundërshtoi, madje kjo gjë iu duk shumë gjë e sjellshme. Mendoi i sigurt se tjetri nuk kishte në kokë ndonjë plan për t’ia mbathur, sepse edhe kur e ndali dhe i përcolli urdhrin e eprorëve, Ali Këlcyra nuk dha asnjë lloj shënje se do të bënte rezistencë.
Mbasi hëngrën nga një pjatë makarona dhe prisnin gjellën e dytë, atë me mish, Aliu i kërkoi karabinierit të shkonte pak deri në banjo. Tjetri i dha leje. Por rasti e deshi që nevojtorja të kishte një dritare mjaft të madhe, e cila binte mbi rrugë, kështu që menjëherë vendosi të arratisej.
Nga dritarja u hodh në rrugë dhe prej andej me një frymë në stacionin e trenit. Për fat ato çaste një tren ishte duke u nisur dhe Ali Këlcyra pa prerë biletë dhe pa pyetur se për ku udhëtonte, hipi në njërin vagon. Treni, siç mori vesh, e kishte rrugën të gjatë. Duke kaluar treçerekun e Italisë ai do të dilte në verilindje dhe duke kapërcyer Triesten, do të ndalej në Beograd.
Advije hanëm Vrioni nga dhoma e mbyllur në Fier në bulevardet e Parisit
Rikthimi në Shqipëri kishte gjallëruar më shumë se Aliun, bashkëshorten e tij, Advije Dudush hanëmin. Daljen e letrave të lejes së udhëtimit ajo e priti si të qe një dasëm. Edhe pse e vogël, vetëm tre vjeç e gjysmë, e bija, Hana, vuri re se papritmas, sapo mori lajmin, e jëma prej ngazëllimit i bëri për pak çaste çapet shumë të vogla. Si të qe kukull teatri shëtitës për fëmijë.
Për këto hapa fare të shkurtëra Hana kishte dëgjuar nënën e vet, ndërsa njëzetë e pesë vjeçare siç ato çaste qe, ia kujtonte një ditë Aliut përjetimet e veta në muajt e parë të mbërritjes së saj në Paris. Nëpër kryeqytetin francez Advija ecte si të qe një japoneze, madje me hap më të vockël se ato. Ali Këlcyra në fillim ishte habitur, madje qe hutuar, duke mos aritur të kuptojë përse ndodhte kjo gjë. U bind menjëherë sapo e shoqja i shpjegoi mënyrën e jetesës në Fier.
Çapi i vogël i saj qe krijuar nëpër shumë vitet e rinisë, kur ishte, bashkë me tre motrat e saj jetime, pothuaj e mbyllur në një dhomë të madhe tek sarajet e dy xhaxhallarëve të Fierit, të cilët i kishin marrë nën kujdesje pas vdekjes së parakohshme të prindërve. Në këtë dhomë të madhe u patën vënë në çdo skaj nga një shtrat dhe kjo ishte e tërë bota e tyre intime. Në dëlirësinë vajzërore qenë të lira edhe kur lëviznin brenda sarajeve Vrioni, por ndërsa delnin jashtë këtij mjedisi, hidhnin mbi kokë çarçafin mysliman. U qe e ndaluar të ecnin në këmbë. Lëviznin të hipura në pajton.
Omar Pasha, xhaxhai i tyre i parë, më i fuqishmi i dinastisë për Fierin, mjaft fanatik në çështje të doktrinës islame, nuk qe aspak i tillë në ato të marrëdhënieve me shoqërinë. Kur projektoi dhe ndërtoi këtë qytet në kërthizë të Shqipërisë, saktësisht në një nyje të madhe komunikimi mes jugut të vendit dhe brezit të tij të mesëm që shkonte drejt veriut dhe Kosovës, ai qe bërë autor i një ngjarjeje befasuese dhe mjaft të emancipuar: me paratë e tij pati ngritur kishën e qytetit, faltoren në të cilën do të kryenin ritet e besimit të krishterë banorët ortodoksë të atij qyteti të ri.
Prej këtij veprimi çlirues qenë mahnitur dhe mbetur pa gojë tërë grupi i priftërinjve që shërbenin në Manastirin e Ardenicës, më të madhes qendër institucionale të asaj feje jo vetëm në fushën e Myzeqesë, por në të tërë Shqipërinë e Mesme e përtej.
Qehajai shumë besnik Muhamet Poli
Tashmë që ishin gati për të marrë rrugën e kthimit për në Këlcyrë, Hana e vogël shtrëngonte gjithnjë e më shumë në krahë “vëllanë” e saj, djalin kukull prej celuloide që i patën blerë me kohë i ati dhe e ëma, si edhe nisi të rishohë ëndrra për “vëllanë” tjetër që po priste në Shqipëri dhe për të cilin nuk e dinte se qe thjesht një gomar i pashëm, i lindur për rastësi në të njëjtën ditë të 8 marsit 1936 dhe pothuaj në orë të përafërt.
Një mall i ndezur për takim i depërtonte në krahasor dhe bënte që t’i rrihte fort zemra, për Polin, qehajanë e familjes Këlcyra. Ai, sapo ajo kishte lindur, i erdhi në Paris për ta parë e për t’iu gëzuar pasardhëses së re të dinastisë.
Poli qe një fshatar nga Katundishta dhe pati hyrë në derën e Këlcyrajve si qehaja shumë vite të shkuara. Kur mbreti Zog në mesin e viteve tridhjetë nxori nga burgu Muhamet beun, të parin e familjes, të cilin e pati futur në birucë për bashkëpunim me grupe politike që donin ta rrëzonin, ky i thirri të katër qehajallarët që kishte dinastia dhe u bëri të ditur se tashmë, i dëmtuar prej burgimit, por edhe nga dy konflikte të mëparshme me qeverinë e Zogut, nuk qe më në gjendje t’i mbante financiarisht.
Tre prej tyre, më të vjetrit dhe po ashtu më të rëndësishmit, u shprehën se e kuptonin situatën dhe për këtë ndjenin keqardhje të sinqertë. Thanë se do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në kërkim të ndonjë pune dhe do të pritnin me durim kur të ndërronte gjendja. Ndërsa kjo do të ndodhte, dhe për këtë kthesë kishin besim, me t’u dërguar lajmi, do të riktheheshin në krye të punëve administruese nëpër çifliqe.
Muhamet Poli, qehajai i katërt dhe më i riu i tyre, madje fare i njomë në moshë, tha se nuk do të ikte. “Nuk di të bëj punë të tjera”, pohoi çiltërsisht.
Atëherë Muhamet beu u përpoq ta sqaronte edhe njëherë tjetër se nuk qe në gjendje ta pagonte. Poli u përgjigj se do të punonte pa para deri sa të ndryshonte situata ekonomike e familjes Këlcyra. Kur Muhamet beu e pyeti “por si do ta ushqesh familjen”, qehajai me moshë shumë të re nguli këmbë: “Natën do të bëj raki edhe dy herë në muaj do të shkoj në Greqi ta shes. Ditën do të punoj për ju”.
Kur lindi Hana, Poli i kërkoi Muhamet beut 40 napolona flori borxh dhe udhëtoi për në Paris për të parë të voglën e Ali Këlcyrës dhe të Advije Dudush hanëm Vrionit. Pasi e pa dhe e qafoi butësisht dhe i puthi duart, shkoi në jug, në Montpeljé, në qytetin ku Enver Hoxha, me bursë të plotë nga shteti i vet, pati lënë pa kryer studimet e tij të larta për biologji.
Muhamet Poli shkoi menjëherë në minierat e Macif Central.
Punoi atje nën dhe për tre javë rresht. Pastaj mori rrugën e kthimit për në Këlcyrë. Sapo mbërriti këtu i ktheu Muhamet beut të hollat që i pati marrë hua dhe të tjerat i mbajti për familjen.
Poli punoi pa pagesë për Këlcyrajt për plot gjashtë vjet.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)