Në raportin e detyruar për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, më tej nga sa cituam më sipër, Këlcyra shënon: “Disa javë pas ardhjes sonë, së bashku me Mit’hat Frashërin, Fuat Dibrën, Hasan Dostin, Nuredin Vlorën, Faik Qukun, Kol Tromarën, por dhe patriotë të tjerë, ne formuam një organizatë të re që e quajtëm Balli Kombëtar, në të cilën unë zura një vend si anëtar në Komitetin Qendror”. “Disa javë” pas ditëve të para të shtatorit 1940 do të thotë edhe fundi i këtij muaji.
“Kjo organizatë, vijon rrëfimin e jetës së tij politike Ali Këlcyra, ishte brumosur nga interesat patriotike të vendit për të luftuar kundër armiqve për interes të vendit dhe ekzistencës gjeografike të tij”.
Ky pohim real në kohë (mars 1945) pajtohet me çfarë na ka pohuar jo vetëm njëherë Hana Klissura. Sipas saj, organizata “Bashkimi Kombëtar” u krijua për të luftuar mbretin Zog. Kjo u shua dhe në vend të saj u ngrit organizata “Balli Kombëtar”, misioni kryesor i të cilës në ditëthemelimin e saj qe lufta kundër pushtimit italian.
Më pas, në shtjellimin e subjektit tonë, do të kemi rast të vëzhgojmë nga shumë afër nëse pas gjysmës së dytë të vitit 1943 BK e ruajti profilin e parë apo e devijoi atë në një objektiv me përparësi komunizmin, pra PKSH dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare.
Ardhja në Këlcyrë, natë e errët dhe pastaj një mëngjes plot diell
Duke ndjekur ngjarjen e rikthimit, pas pesëmbëdhjetë vitesh emigrimi politik, të Ali Këlcyrës në Shqipëri, mëshojmë në hollësitë e rrethanave si ndodhi. Sipas Hana Klissurës dhe një interviste të saj të botuar në një të përditshme të Tiranës, “Jemi kthyer në Shqipëri në ’39-n nga Parisi dhe nëpërmjet Italisë arritëm në Brindisi. Mandej në Sarandë, me një udhëtim që zgjati rreth 10 ditë”.
Më tej ajo përshkruan: “Kujtoj si fillim përshtypjen që më bënin dritaret e rrumbullakëta të vaporit e pastaj errësirën që gjetëm në Këlcyrë, sepse nuk kishte elektricitet. Shandanët që mbanin personeli i shërbimit në shtëpinë e xhaxhallarëve të babait, ishin shumë të lartë, ndërsa unë shumë e vogël dhe kjo më krijoi një ndjesi frike prej hijes që bënin.
Gjatë gjithë asaj nate të parë, ndjeva frikë. Pastaj në mëngjes, pamja e parë që pashë nga dritarja e dhomës sime rozë, ishte ajo e sarajeve të vjetra të familjes: çdo gjë mu ngulit në kujtesë e prej asaj dite unë mbaj mend gjithçka”.
Njëherë tjetër këtë ngjarje shumë gjurmëlënëse në jetën e saj Hana e rrëfen me këto fjalë: “Kështu që kur erdha në Këlcyrë natën e tmerruar nga hijet që provokonin ato shandanët e rënda që mbanin hyzmeqarët nëpër duart dhe nga pesha u dridheshin pak. Në tavan më kishin bërë një dhomë prei druri që e kishin lyer krejt rozë edhe që kishte një pamje të madhe përmbi sarajet e ndriçuara nga dielli i mëngjesit. Kështu që nga ajo minutë u dashurova me atë vend që e di që nuk më duan më, por që më kanë dashur°.
Ose në një herë të tretë, kur ja treguar autorit të këtyre radhëve: “Si tani e mbaj mend. Dalin disa burra. Unë u tmerrova se kur hyra në shtëpi filluan të më puthnin të tërë. U tremba nga hijet e tyre nëpër mure dhe në tavan. Ishin shumë. Më çuan në një dhomë ekstra në çati.Kur u zgjova, më doli përpara Këlcyra. Nisi dashuria me Këlcyrën”.
Në këto çaste Hana Klissura është një fëmijë tre vjeç e gjysmë, madje as kaq nuk i kishte mbushur plotësisht. E lindur në Paris në 8 mars 1936 Shqipërinë deri ato çaste ajo e pati një rrëfenjë folklori, pak a shumë një përrallë të treguar me mall prej prindërve të saj, sidomos ëmbëlsisht si të qe një ninullë, nga e jëma, Advija.
Sapo u takua me pjesëtarë të familjes, sidomos me xhaxhanë kryesor, të fundmit bej pushtetushtrues që do të kishte oxhaku Këlcyra, Muhamet beun, Hana e vogël kërkoi të shihej me “vëllanë”, gomarin i cili kishte lindur në Këlcyrë në po atë vit, ditë dhe orë të daljes së saj në jetë.
Ky takim në kujtesën e të voglës, ende i ruajtur sot, kur është një tetëdhjetë vjeçare, pa humbur nëpër kohë asnjë detaj emocionues, është përshkruar me fjalë të tilla: Për autorin e këtij cikli shkrimesh “Zbrita poshtë. Kërkesa e parë: “Dua të shoh vëllanë!” Ma sollën. Ishte shumë i bukur, me dy gri. Doja ta puthja”. Për shtypin Hana ka përshkruar: “Me të vërtetë më deshi përnjëherë. Unë i bleva xhufka që të dallohej nga të tjerët. Çuditshmërisht më donte, më mbante përmbi samarët, ndërsa rrëzonte çdo njeri që donte t’i hipte. Dhe e kishin mësuar të mbante pesha të rënda si material ndërtimi. Dy herë ditën shkonte tek “Syri i kaltër” për të marrë ujë të ftohtë që e pinim me shtëmba”.
Ndërkaq veprimi kryesor që në ditët e para të mbërritjes në Këlcyrë kreu Aliu, tashmë mashkulli i fundit i dinastisë, pasi vërejti administrimin e shkëlqyer të pronave prej qehajait Muhamet Poli, qe dhënia e pagës. Ia ktheu trefish. Nga gjashtë paga vjetore i numëroi në dorë plot tetëmbëdhjetë të tilla.
Muhamet Poli këtë nuk do t’ja harronte për tërë jetën.
Udhëtimi konspirativ i Ali Këlcyrës nëpër Shqipëri
Sapo qenë mbushur dy javë qëndrim në Këlcyrë, kur Aliu tha se më në fund qe çmallur me të vetët, me të njohurit në krahinë si edhe me gurët e vendlindjes. Shtoi se tani i binte për detyrë t’i njihte bashkëshortes, Advije Dudush hanëmit, Shqipërinë dhe qytetet e saj kryesore, të cilat ajo nuk i kish parë dhe vizituar ndonjëherë.
Kur tha kështu edhe vrionasja e bukur që e shihte gjithnjë në sy të shoqin, bëri me kokë një shenjë pohimi.
Hana e vogël brofi nga gëzimi, sepse do të qe edhe ajo me këtë shëtitje të këndshme të dy prindërve të saj, por mbeti e shtangur kur ata i thanë se do të iknin vetëm të dy. Sidoqoftë e qetësuan se do të riktheheshin mjaft shpejt.
E vogla tre vjeç e gjysmë u mbush me zëmërim, por nuk e shfryu.
Ali Këlcyra dhe Advije hanëmi ikën. Kaloi java e parë dhe nuk u rikthyen. Kapërceu edhe një muaj i tërë dhe sërish ata dy nuk u shfaqën.
Ndërkaq xhaxhallarët dhe veçanërisht Muhamet beu, të cilin Hana nisi ta thërrasë “gjygjysh”, nisën t’i shpjegojnë të voglës se cila qe familja e tyre, çfarë detyrash kishin përballë krahinës dhe vendit, ajo që populli priste prej oxhakut të Këlcyrajve. Çfarë thoshin ata ndryshonte disi prej asaj që Hëna pati dëgjuar nga e ëma, e cila e romantizonte gjithçka vetëm e vetëm që çdo skaj i Shqipërisë t’i dukej të bijës toka më e bukur dhe më pa probleme në të tërë globin.
Xhaxhallarët e sidomos Muhamet beu, qenë më konkretë, madje edhe se vetë i ati, Aliu, që ta merrte mendjen me talentin e tij të gojëtarisë. Gjygjyshi në bisedat e organizuara posaçërisht me të voglën e porsaardhur prej Parisit, ngulte këmbë se qeverisja e familjes, e prestigjit dhe e pronave të saj, duhej të mbeste në një dorë dhe ky doemos do të ishte vëllai i saj, Sipas tij, Aliu ashtu edhe Advija po përpiqeshin ta lindnin sa më shpejt.
Djalin po e prisnin ata dy, por edhe tërë familja Këlcyra në vendlindje.
Hana nuk qe kurioze ta pyeste përse nuk mund të ishte, si trashëgimtare dhe vazhduese, një nga vajzat, për shembull Shega, e bija e vetë Muhamet beut. Ishte xhaxhai i duruar që i shpjegonte Hanës se ajo dhe Shega do të merrnin vetëm pronat e nënave të tyre, kurse Këlcyra do t’i mbetej djalit.
Hanës kujdeseshin ta formonin me shpirtin e biografisë së dëgjuar të oxhakut të tyre, patjetër edhe me cilësinë e përkatësisë dhe të kryelartësisë kombëtare. Dy herë në javë e dërgonin lart, tek sarajet e djegura prej grekëve, por që nuk e kishin humbur siluetën e madhështisë.
Ishte një piknik i organizuar qëllimisht, ku bashkë me ushqimin e bollshëm e të shijshëm dhe një tavoline portative që i vendosej përpara, Hanën e shoqëronin edhe Minushja, Popa dhe Vefi, tre vajza të cilat qenë jetime dhe rriteshin tek familja Këlcyra. Popa ishte nga Zhepova, dy-tre vjeçe më e madhe. Qe me mjaft fantazi, shpesh me to ia tralliste gëzueshëm mendjen Hanës. Minushja ishte me flokë të kuqe dhe gësheta të gjata. Qe shume e urtë. Vefi ishte tre vjeçe dhe qe mbesa e Tikës, një gruaje që merrej vetëm me bulmetin. Ajo kujdesej edhe për shpendët e shtëpisë, pulat dhe patat. Tika dy herë në ditë bënte edhe bukën, e cila ishte e zezë dhe plot aromë gruri të freskët.
Vinte në këtë piknik të gëzueshëm dy herë në javë edhe Astriti, i biri i adoptuar i qehajait Muhamet Poli.
Kështu, pak nga pak, Hana u bë një këlcyriote shtatë karatësh. Çdo gjë në ato thepa malesh e deri poshtë në luginë, gjithçka që prej sarajeve të djegura lart e deri në shtëpitë e mëdha të Muhamet beut, i dukeshin magjepse.
E linin gojëhapur veshjet prej argjendi të kuajve, kostumet popullore shqiptarçe të truprojave vullnetare, ai korridori i ngushtë nga ku, mbi bedena, si në kështjellat angleze, ata kalonin për të ruajtur dhe mbrojtur vendbanimin e familjes Këlcyra.
Nga tre oborret e brendshme të sarajeve tek kasollet e popullit
Hanës ia ngacmonin fantazinë tre oborret e brendshme të kompleksit të sarajeve të tyre të mëparshme, të ndërtuara në një mënyrë të tillë që askush brenda kalasë nuk mund të vritej nga jashtë, madje edhe duke ja dalë të kacavirrej deri lart mbi mure.
Këlcyra po bëhej përditë e më shumë imazhi më shkëlqyes i jetës së saj të porsanisur, guri i çmuar i dekadave të mëpasshme. Themeli i identitetit të Hana Klissurës. Parisi qe tepër larg atyre maleve dhe asaj lugine lumi që buçiste dhe ta mbushte kraharorin me gjëmim e forcë.
Ndërkohë gjygjyshi kujdesej që Hana këlcyriotja pak vjeçare të takohej me njerës të popullit kudo nëpër fshatrat përreth, veçanërisht bujq të çifliqeve të tyre. Edhe në këtë përpjekje edukimi dhe argëtimi të së voglës përdorte formën joshëse të piknikut. Gjithsesi Hana shkonte vetë me qejf tek njerëzit e popullit të thjeshtë sepse shpëtonte, më së pari, nga shtrëngimet e rënda të protokollit të sjelljes që kishte dinastia: Mos fol në tavolinë kur flasin të mëdhenjtë, të hash çfarë të vënë në pjatë, t’i mbash duart drejt në tavolinë dhe rrylat poshtë, mos qesh dhe mos e ngri zërin!
Së dyti, liria e vizitave tek familjet e bujqve i jepte kënaqësinë të shijonte gjellët e tyre, të varfëra por shumë ndryshe nga ato që i shtroheshin në shtëpinë e vet: çorba me trahana të bardhë, qepa, dhalla, buka e misrit.
Hana i gëzohej këtyre vizitave tek bujqërit sepse kur hynte nëpër shtëpitë e tyre ata e puthnin dhe i thoshin me gëzim “Kush na erdhi!” Kishte plaka që e shtrëngonin fort në gji.
Madje pas këtij veprimi ato, me Hanën në krahë, nisnin të qanin. E vogla, në pamundësi ta shpjegonte pse ndodhte kështu, hutohej. Prandaj një ditë pyeti gjygjyshin.
Muhamet beu i tha se plakat qanin nga pikëllimi që ajo nuk ishte djalë dhe për pasojë familja Këlcyra do të mbyllej, duke rënë më pas prona kush e di në cilat duar të huaja.
Hana pati mbetur e habitur prej shpjegimit të gjygjyshit dhe madje pati thirrur penguar: “Ama, për këtë gjë qajnë!”
Të nesërmen me kokë të vet shkoi tek berberi i Këlcyrës dhe i kërkoi ta qethte si djalë. Ky në fillim e pati vështruar i çuditur, por pastaj nuk qe vonuar asnjë grimë. I kishte futur gërshërët mbi flokë dhe sa hap e mbyll sytë Hana Klissura në pamje qe shndërruar në çun.
U rikthye në shtëpi dhe i doli përpara Muhamet beut. Ishte buzagaz dhe e sigurt se kështu më në fund e kishte zgjidhur çështjen e trashëgimtarit të oxhakut Këlcyra.
Tjetri, doemos, pati qeshur me të madhe.
Me Mit’hat Frashërin: krijohet në fshehtësi organizata “Nacionalizma Shqiptare”
Pas largimit të prindërve kaloi edhe muaji i dytë dhe i treti i bëri ditët e para, për Hanën në pritje, tepër pikëlluese. Më në fund i mbushi ditët e mungesës edhe muaji i tretë. Nisja e të katërtit për të voglën qe vetëm ankth, ditënatë. Ishte mbushur plot me maraz. Tashmë qe bindur se prindërit e saj e patën braktisur.
Por, tepër e vogël për t’i kuptuar të gjitha punët e të rriturve, ajo nuk e dinte se i ati nuk po bënte ndonjë shëtitje turistike nëpër Shqipëri, por po merrej me pasionin dhe huqin e tij të vjetër: politikën. Bashkë me të shoqen dhe i maskuar prej pranisë së saj, kishin qëndruar për ditë të tëra në qytetet e jugut, Vlorë, Gjirokastër dhe Vlorë. Pastaj qenë ngjitur në Elbasan, Durrës dhe në Tiranë, për të shkuar edhe më lart, në Shkodër. Në vijim ishin rikthyer në kryeqytet.
Në të gjithë këtë “shëtitje njohëse” Ali Këlcyra qe takuar me nacionalistë të ndryshëm, kish biseduar dhe shkëmbyer mendim se si duhej vepruar më mirë për të bërë qëndresë ndaj fashizmit. Ai disa herë ishte takuar me Mehdi Frashërin, kushëririn e tij dhe këtë e pati kryer edhe gjatë kohës kur ishte kryeministri i Ahmet Zogut. Deri edhe në Gjenevë qenë riparë, kur vinte të merrte pjesë në mbledhjet e Lidhjes së Kombeve.
Për ta takuar e biseduar me të Ali Këlcyra nisej posaçërisht nga Parisi. Pikëtakimet i kishin të rregulluara larg vështrimit të informatorëve të Ahmet Zogut, i cili me siguri i dinte, por do të inatosej shumë në rast se ato do të bëheshin hapur dhe me krekosje sfide ndaj tij.
Ali Këlcyra ato muaj të “shëtitjes” nëpër Shqipëri ishte takuar edhe me Mit’hat Frashërin, të cilin deri atëherë e njihte, por nuk qenë bërë kurrë miq apo bashkëpunëtorë. Kjo më shumë për shkak të distancës së moshave të tyre. I biri i Abdyl Frashërit qe njëzetë vite më i madh.
Ambasadori italian në Paris, Raffaele Guariglia, pati shpresuar se Këlcyra do të rikthehej në marrjen me politikë, por në favor të një bashkëpunimi me ta, aspak në të kundërt. Me çfarë po bënte gjatë fundvjeshtës 1939 dhe tashmë edhe përgjatë janarit 1940, Ali Këlcyra nuk e kish mbajtur premtimin as ndaj tij personalisht dhe as për qeverinë në Romë.
Siç edhe ia pohon në raportimin me shkrim oficerit britanik të zbulimit politik në 23 shkurt 1945, i takon kësaj periudhe të largimit të tij të zgjatur nga Këlcyra, tërë procesi dhe momenti kur është kryer në sekret krijimi i organizatës “Nacionalizma Shqiptare”, “Balli Kombëtar” i mëpasshëm.
Nervozohet mëkëmbësi Françesko Jakomoni
Pikërisht kur Ali Këlcyra, i larguar nga vendlindja bashkë me bashkëshorten Advije, ndodhej në Tiranë, përjetoi edhe një ngjarje që do të ndikonte në veprimet e tij të mëpasshme.
Mëkëmbësi në Shqipëri i mbretit Viktor Emanueli III, Françesko Jakomoni, dëshiroi një bisedë me intelektualë të spikatur të vendit. Autoritetet shqiptare që ishin në qeverinë dhe administratën e gjendjes së pushtimit, morën të gjitha masat për organizimin dhe mbarëvajtjen e saj.
Ftuan edhe Ali Këlcyrën.
Pasi Jakomoni ua përcolli pjesëmarrësve idetë e veta, shtoi se qe mjaft i gatshëm t’i dëgjonte. Mes atyre që u shprehën, gjeti kohën e përshtatshme për ta marrë fjalën edhe Aliu.
Se çfarë Këlcyra ka thënë konkretisht nuk është gjetur e shkruar, madje as Françesko Jakomoni në librin e tij për vitet shqiptare. nuk e përmend. Kjo, sidoqoftë, nuk do të thotë se ngjarja nuk ka ndodhur.
Aliu në diskutimin e vet, me gjuhën brisk, siç e kishte, u shpreh në thelb se pushtimi ushtarak i Shqipërisë kishte qenë një veprim i gabuar i Italisë, gjest i tepruar, i cili i krijonte probleme jo vetëm shqiptarëve, të cilët historikisht asnjëherë nuk kanë qenë antiitalianë, por edhe vetë asaj.
Ali Këlcyra gjatë fjalës së vet nuk qendroi gjatë tek ideja e tij, e cila qe edhe e jo pak të tjerëve të sërës së lartë. Sipas saj Italia e kishte të kontrolluar Shqipërinë me mjete paqësore, ekonomike veçanërisht, dhe nuk duhej të kishte përdorur forcën e kryqëzorëve, të avionëve, tankeve dhe njerëzit me helmeta.
Gjatë tërë ligjërimit të Ali Këlcyrës mëkëmbësi i Viktor Emanuelit III e dëgjoi me durim, por u duk qartë se i qe prishur humori. Politikani shqiptar i ngjau me një llafazan egocentrik, që i pëlqen të bluajë fjalë pa pushim.
Pas takimit me intelektualët shqiptarë Françesko Jakomoni gjeti një rast dhe i pyeti disa prej organizatorëve se cili e kishte ftuar folësin e mësipërm. Përgjigjen e dha ministri i Arsimit, Anton Koliqi. Ali Këlcyrën e pati ftuar ai.
Jakomoni heshti, por u zemërua ca më tepër prej asaj që ndodhi. Kur të ftuarit më në fund qenë larguar dhe ai u rikthye në zyrën e vet, tashmë e kishte marrë një vendim. Ali Këlcyrës do t’i tregonte një kërcëllitje dhëmbësh. Politikani shqiptar i ardhur nga Parisi me zotimin se në atdheun e tij do të merrej vetëm me punët e veta private, e kishte kapërcyer “vijën e kuqe” të mirëbesimit.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com