Alibeaj: Durim Bami qarkullon
me armë pa leje, e mbron Tahiri

Partia Demokratike akuzoi sot ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se ka garantuar paprekshmëri për Durim Bamin, i cili qarkullonte me armë pa leje. Përmes një deklarate për mediat, kreu i Departamentit për Rendin e Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se Bami u denoncua nga qytetarët se qarkullon me armë pa leje. Sipas tij, Durim Bami ka thyer vendimin e arrestit shtëpiak nga gjykata.  
 
"Saimir Tahiri është kapur në një tjetër aferë kriminale. Duke ofruar shërbimin e tij, ka garantuar paprekshmëri për Durim Bamin, i cili u denoncua nga qytetarët pasi me 21 maj, në orën 17.00, ky i fundit ishte në një lokal në qendër të Niklës, i pajisur me armë pa leje e me veshje antiplumb, edhe pse gjendet nën masën e sigurisë arrest shtëpie dhe e ka të ndaluar me vendim gjykate të dalë nga banesa. Dhe është pikërisht policia e Tahirit që duhet të garantojë zbatimin e këtij vendimi gjykate", u shpreh Alibeaj.
 
Sipas tij, me ndihmën e shefit të komisariatit, Erjon Ismaili, pjesë e grupit të besuar Shullazi-Tahiri, Bamit i janë ofruar lehtësi.
 
"Një nga ushtarët e tij është paraqitur dhe është lejuar ta marrë përsipër ai, përgjegjësinë për armët dhe pajisjet e tjera të paligjshme. Kështu Bami i shpëtoi procedimit, me një ndërhyrje të kontrolluar nga fillimi deri në fund prej Saimir Tahirit", tha Alibeaj.
 
Duke u kthyer në kohë, kreu i Departamentit të Sigurisë në PD, tha se Bami është një njohje e vjetër e Tahirit, njohje kjo e cila sipas tij nisi që nga ngritja e akuzave ndaj kryetarit të Kuvendit Ilir Meta si porositës i vrasjes së dy deputetëve.
 
"I akuzuari si vrasës me pagesë nga vetë radhët e mazhorancës, i dyshuari për vepra të rënda penale, është një njohje e vjetër e Saimir Tahirit. Saimir Tahiri ka ndërmjetësuar e ka kuvenduar me të privatisht në zyrën e Ministrit të Brendshëm, në plazhe e rezidenca qeveritare. Bami mbajti qëndrimin e duhur në kohën kur u akuzua se ishte pajtuar nga Meta për të vrarë dy deputetë, qendrim që solli mbylljen e çështjes dhe ndihmoi Ramën për të kapërcyer krizën e madhe politike, ndaj sot shpërblehet nga Saimir Tahiri me paprekshmëri e me leje për të qarkulluar i armatosur. Kjo është një tjetër dëshmi e lidhjes së Saimir Tahirit me krimin. Dëshmi e marrëdhënies së ngushtë që ai ka me banditë, trafikantë e vrasës".​

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump