TIRANË - Moderatorja, Alketa Vejsiu, ka bërë një reagim të radhës në lidhje me polemikat që shoqëruan Festivalin e 58 të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, e veçanërisht mbi disa kritika të ardhur nga personazhe të ndryshëm në rrjetet sociale në lidhje me prezantimin e saj dhe faktin që u përfshi në Festival duke kënduar disa herë edhe vetë. 

Alketa Vejsiu e quan prezantimin e këtij Festivali ëndrrën e saj të bërë realitet tashmë, ndërsa thotë se është me këmbë në tokë dhe vijon ende përpjekjet për të realizuar synimet e radhës. Ajo thotë se askush nuk do të ndalë punën e saj, veçanërisht - thekson ajo - nuk mund të hidhet baltë mbi festivalin ku ajo dhe një ekip profesionistësh sollën një sërë idesh që i dhanë një frymë të re Festivalit të 58 të Këngës. Përuljen e ka përballë publikut që e mbështeti, ndërsa atyre që i quan "parazitë dixhital", u thotë se nuk është "stereotip i Vajzës Kukull që nuk ka ç'të bëjë perveçse të përplasë qerpikët në skenë!"

Festivali i 58 i Këngës u fitua nga Arilena Ara ndërsa vendin e dytë e mori Elvana Gjata, e cila përflitej dhe ishte pretendente për vendin e parë. Pikët e dhëna nga juria, një pjesë e huaj dhe një pjesë shqiptare, patën disbalancë mes tyre, ndërsa edhe për këtë fakt, Alketa është shprehur më herët se Elvana ishte fituesja e ndërkombëtareve, referuar faktit që mori pikët maksimale të jurisë së huaj. Arilena Ara shkon në Holandë për të përfaqësuar Shqipërinë me këngën "Shaj" në kompeticionin më të madh të muzikës evropiane, "Eurosong".

Më poshtë reagimi i plotë

"Këto kanë qenë ndër ditët më të bukura të jetës time në ekran! Mund të kisha bërë disa gjëra më mirë! Disa gjëra mund të kishin shkuar më mirë! Gjithmonë ka hapësira për më mirë!
Por kam e kam marrë atë kënaqësi të madhe në një frazë të përsëritur disa herë; “Solle një frymë të re në këtë Festival”! Ky ishte Festivali i Shqiptarëve, por në këtë edicion ishte edhe pak ”Festivali Im” në sensin e ideve jo të përkatësisë! Bashkë me një skuadër të paparë profesionistësh ndërtuam këtë projekt të bukur!

Ne që dalim në ekran marrim kënaqësitë, por edhe goditjet! Thjesht kam arritur në një stad që në këto momente lumturie askush s’më lëndon dot kaq thjeshtë! Kam qenë dhe do të mbetem parimore dhe do të luftoj fort për vlerat përmes modelit tim!

Këtë punë nuk e bëj për çmime, trofe, brohoritje, e bëj sepse zemra më drejton tek gjërat që dua fort. Thembrën e Akilit nuk e prekni dot! Prezantimi mund të kishte disa gjëra më mirë, But I Did it! Në mënyrën më origjinale dhe të sinqertë. Dhe u argëtova shumë! Po, ndërsa unë realizoja ëndrrën për të cilën kam punuar 20 vjet rresht, disa parazit dixhital kruanin kokën për të gjetur ndonjë frazë që do mund të më çorientonte! Nuk ja dolën dot! Do të mbetem një entuziaste e jetës! I kam këmbët e vendosura fort në tokë, por jam konfidente!
Jam e thjeshtë, por nuk lejoj askënd të kuotojë punën time! Jam e drejtë dhe me integritet dhe nuk merrem me individët por me parimet! Jam këtu ku jam sepse E MERITOJ! Dhe nuk më intereson mendimi i atyre që s’duan ta shohin dhe përqafojnë progresin! Festivali suksesin dhe punën e të gjithëve e tregoi me rezultat!

Nuk mund të rri pa ju shprehur mirënjohjen time të thellë, përunjësine përpara publikut. Me krenari mund të them që, Po ishte dhe pak Recitali Im sepse unë nuk jam stereotip i Vajzës Kukull që nuk ka ç'të bëjë perveçse të përplasë qerpikët në skenë! Në pritje të realizimit të ëndrrës së radhës... Deri atëherë le të shpresojmë që qielli do të jetë i pastër dhe me yje si kjo mbrëmje sonte në Tiranë", shkruan Alketa Vejsiu.