Alteo Hysi: Kremlini flet shqip, por me gënjeshtra!

Alteo Hysi: Kremlini flet shqip, por me gënjeshtra!

Ambasadori rus në Tiranë, Vladimir Putin dhe intervista për Ria Novosti

Propaganda e shfrenuar dhe dezinformimi i publikut me qëllim justifikimin e makinerisë së paligjshme të dhunës mbeten ndër tiparet themelore që shoqërojnë agresionin hibrid rus, teksa Kremlini e trajton haptazi informacionin si armë, një armë si çdo armë tjetër lufte. Në zemër të këtij sistemi propagandistik qëndron “përsëritja e një grushti mesazhesh bazë si për audiencën vendase ashtu edhe për audiencën ndërkombëtare”, vlerëson platforma “EUvsDisinfo”.

Përsëritja i bën gënjeshtrat të shfaqen më të besueshme dhe sipas ekspertëve, kanalet dezinformuese pro-Kremlinit e arrijnë këtë duke i qëndruar besnike “një seti narrativash të përsëritura pa fund që funksionojnë si modele të gatshme për të trilluar histori të veçanta” rreth luftës në Ukrainë, rreth "rrezikut nga perëndimi", rreth "egos ekspansioniste të NATO-s".

E ndërsa të gjitha këto narrativa, të ekspozuara nga ekspertët e EUvsDisInfo janë tashmë pjesë e karakterit të pushtetit politik në Rusi, në anën tjetër, mënyra se si prej tyre gjenerohen fabrikime mediatike dhe se si këto fabrikime mbërrijnë te audienca të ndryshme përmes kanaleve të shumëllojshme, mbetet një rast unik studimor.

Në raportin me titull “Shtyllat e Ekosistemit të Propagandës dhe Dezinformimit Rus”, Departamenti Amerikan i Shtetit ekzaminon në mënyrë kapilare ekosistemin që Rusia ka ndërtuar për të amplifikuar narrativat e rreme mbi 5 shtylla kryesore si:

1-Komunikimet zyrtare qeveritare – deklaratat, postimet zyrtare në rrjete sociale.

2-Mesazhet ndërkombëtare të mediave shtetërore + institucionet socio-kulturore ruse.

3-Kultivimi i burimeve / faqeve proxy pas të cilave fshihen individë që përfitojnë nga lidhjet me Kremlinin.

4-Instrumentalizimi i medias sociale për përmbajtje që minojnë besimin në institucionet demokratike.

5- Aktivitetet kibernetike si hakerimi, websajte të klonuara, mbyllja e faqeve objektive, etj.

Një nga shtyllat e këtij ekosistemi, e riaktivizuar së fundmi edhe në gjuhën shqipe, është ajo e “Komunikimeve Zyrtare”, përmes postimeve në llogarinë facebook të ambasadës ruse në Tiranë.  Kjo faqe, siç do të shohim më poshtë, nuk shpërndan thjesht përmbajtje të aktivitetit diplomatik, por është kthyer defakto në një degë të ekosistemit të madh të propagandës ruse, duke amplifikuar në gjuhën shqipe modelet e narrativave që fluturojnë nga Kremlini në Ballkan.

Më tepër se sa kaq, ambasada ruse në Tiranë vepron përmes postimeve në rrjetet sociale si agjent aktiv i dezinformimit, madje edhe duke etiketuar si rusofobë gazetarë apo autorë që shkruajnë për aktualitetin rreth Rusisë pa iu përshtatur më parë kornizës dritëshkurtër të pikëpamjeve të Kremlinit.

Më tej, në një postim të datës 19 shtator, ambasada komenton edhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut që zhvillohej në Tiranë, duke deklaruar se aty po shpreheshin akuza të pabaza ndaj Rusisë për kryerjen e “mizorive” kundër popullsisë civile në zonën e “operacionit special ushtarak”. Ky postim sollli reagimin e drejtorit të festivalit, Kujtim Çashku, sipas të cilit, nuk mund të heshtet per atë që ndodh në Europë dhe se festivali ka sjellë ndër vite, filma e dokumentarë që kanë hulumtuar, shkelje të të drejtave të njeriut, cënim të demokracive, vrasje masive, përdhunime…

Por le të kthehemi te një intervistë e ambasadorit të ri rus në Tiranë, Alexey Zaitsev, për agjencinë shtetërore të lajmeve, “Ria Novosti”, ku ai potencon narrativat e gënjeshtërta të Rusisë për perëndimin, Ballkanin, Shqipërinë dhe Ukrainën.

Duke marrë me radhë tezat e ambasadorit rus, të përkthyera dhe të postuara në gjuhën shqipe në faqen zyrtare të ambasadës, do të kuptojmë se si ato burojnë nga ekosistemi i propagandës dhe se si në fund, roli i ambasadorit ngjason identikisht me rolin e gazetarëve të përunjur të mediave shtetërore ruse, apo me trollet e Kremlinit që tentojnë të deformojnë opinionin publik në mjedisin digjital.

Shpërndarja e këtyre narrativave online në gjuhën shqipe tregon gjithashtu se roli i ambasadës së Rusisë në Tiranë, si agjent aktiv i dezinformimit rus, nuk ndryshon shumë nga roli i drejtuesve të aparatit burokratik të “Ria Novostit”, agjencisë ku ambasadori jep intervistën e cila para pak ditësh u vendos bashkë me "RT" nën sanksione nga SHBA pasi rezultojnë të jenë pjesë integrale e aparatit të zbulimit rus.

 

* Verifikimi i tezave të ambasadorit në gjuhën shqipe:

1.            • Ambasadori deklaron se: Ballkani Perëndimor është ndoshta një shembull i qartë i shfaqjes së ambicieve neokoloniale të SHBA-së dhe BE-së, të cilat përdorin rajonin në lojërat e tyre gjeopolitike dhe promovojnë në mënyrë aktive ideologjinë e NATO-centrizmit, të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin rajonal, kërkojnë të nënshtrojnë elitat lokale, duke shkatërruar sovranitetin e shteteve ballkanike.

E vërteta: Në botëkuptimin e Kremlinit, Ballkani shihet gjithmonë nga lentja e marrëdhënieve të Rusisë me perëndimin, në ndërkohë që propaganda ruse në Ballkan, kryesisht përmes “Sputnik Serbia”, demonizon vazhdimisht SHBA-të dhe BE-në, ndërsa vendet e rajonit i trajton si të dobëta, të korruptuara, të varura politikisht nga perëndimi.

Në fakt, SHBA dhe BE mbeten aleatë dhe partnerë për progresin e vazhdueshëm të vendeve të Ballkanit, të cilat vazhdimisht inkurajojnë, nxisin e mbështesin fuqizimin e demokracive në shtetet e ballkanit perëndimor, përfshirë këtu shtetin e së drejtës si garant i demokracisë. Partneriteti i vendeve si Shqipëria me BE dhe SHBA është para së gjithash një lidhje e frymëzuar nga të njejtat vlera si liria, barazia dhe drejtësia që për Rusinë dhe zyrtarët e saj konsiderohen elementë sfidues të sistemit putinist “one man show”.

Fabula e Ballkanit si kukull në duart e përëndimit është një fenomen i vjetër dhe tanimë i rëndomtë në burimet ruse apo në faqet proxy, të cilat nuk kursejnë as aleancën e NATO-s me pseudo-historitë:

“NATO luftënxitëse”, “NATO shfrytëzon Ukrainën”, “NATO centrizmi”, “NATO skllavëron Finlandën” etj.

Analiza e përmbajtjeve mediatike, kryer periodikisht nga “EuVsDinfo” tregon se Rusia e trajton rritjen e aleancës së NATO si ekspansion, madje duke ia "atribuar anëtarësimet e reja të Finlandës dhe Suedisë në aleancë, jo dëshirës së këtyre dy vendeve për t'u anëtarësuar, por vendosmërisë së NATO-s për të rrethuar Rusinë." (Shih: https://euvsdisinfo.eu/three-kremlin-disinformation-narratives-about-nato-enlargement/)

Në fakt, qëllimi i alenacës nuk është të rrethojë Rusinë apo të cënojë rusët.  Fakti është se  “edhe pas anëtarësimit të Finlandës, vetëm 11% e kufirit tokësor të Rusisë ndahet me vendet e NATO-s.” (shih: https://www.nato.int/cps/en/natohq/115204.htm)

NATO nuk kërkon konfrontim me Rusinë. Teksa pretendon për një natocentrizëm që sipas saj redukton garancitë ligjore të sigurisë jashtë perimetrit të aleancës, Rusia vetë nuk duket të dëshmojë me veprimet e saj se dëshiron realisht të jetë një kontributore e sigurisë europiane. Të vrasësh fëmijë të pafajshëm në këndin e lojrave, apo të bombardosh spitale ditën për diell, nuk tregon as dëshirën më minimaliste për të kontribuar në sigurinë e kontinentit.

2.            Ambasadori deklaron për Ria Novosti dhe më pas në facebook se: Me fillimin e operacionit special ushtarak në Ukrainë dhe bashkimin e Shqipërisë me sanksionet e paligjshme anti-ruse, bashkëpunimi kulturor dhe humanitar ka arritur nivelin zero.

E vërteta: Në Ukrainë nuk kemi të bëjmë me një operacion special por me një agresion të hapur, të dhunshëm dhe të paligjshëm ndaj një vendi të lirë. Sjellja e Rusisë shkel nenin 2, pika 4 të Kartës së OKB-së, që kërkon nga shtetet anëtare të OKB-së të përmbahen nga "përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti".

Ambasadori deklaron se Shqipëria i është bashkuar sanksioneve të paligjshme anti-ruse, por të gjitha sanksionet e BE-së janë plotësisht në përputhje me detyrimet e ligjit ndërkombëtar, duke respektuar të drejtat e njeriut.

Ndër narrativat më të përhapura rreth sanksioneve janë ato se “sanksionet evropiane kundër Rusisë nuk funksionojnë”, se “sanksionet i kushtojnë Evropës më shumë sesa i kushtojnë Rusisë” dhe “se ekonomia evropiane humbet miliarda dollarë për shkak të sanksioneve”.

Në shkurt të 2022, Ministrja e Jashtme shqiptare njoftoi se vendi iu bashkua sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve te individëve dhe sanksioneve ekonomike me masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji. Asokohe, Ministrja Olta Xhacka sqaroi edhe pse Shqipëria mbëshet sanksionet:

“Agresioni rus kundër Ukrainës është i paprovokuar. Kjo nuk është një luftë mbrojtëse dhe nuk është një luftë që bëhet në emër të interesave legjitime të sigurisë të Rusisë apo të popullit rus. Përgjegjësia për këtë luftë është e Vladimir Putin, e udhëheqjes ruse dhe e askujt tjetër.”

Pra përkundër nga sa propaganda ruse pretendon, perëndimi dhe Shqipëria nuk kanë asnjë interes për të dëmtuar popullin rus. Ato vetëm po mbështesin një vend të lirë të botës nga kërcënimi i një dore të vetme, Vladimir Putin, që në fakt ka marrë peng edhe të ardhmen e njerëzve të tij.

“Buxheti i shtetit rus ka humbur triliona rubla (për shkak të masave kufizuese në tregti që kanë goditur të ardhurat nga nafta dhe gazi, dy shtyllat kryesore të ekonomisë ruse). Kjo është arsyeja pse rrjeti i tij i dezinformimit prodhon gënjeshtra dhe teori konspirative rreth sankioneve”, shkruan “EUvsDisinfo”. (Shih: https://euvsdisinfo.eu/sanctions-do-not-work-russian-disinfo/)

3- Ambasadori pretendon se “ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane, rusofobia në Shqipëri nuk është aq e theksuar, edhe pse ambasada është në dijeni të rasteve kur qytetarëve rusë iu mohuan këtu shërbimet bankare dhe shërbime të tjera vetëm në bazë të kombësisë”.

Për këtë pretendim, ambasadori nuk jep asnjë të dhënë, asnjë fakt, asnjë provë. Madje as ndonjë sqarim shtesë nëse për këtë problem janë kontaktuar autoritetet shqiptare.

“Diskriminimi i rusëve” ashtu sikurse “rusofobia” janë tradicionalisht pjesë qendrore e fjalorit të dezinformimit. Fjala vjen, radioja shtetërore ruse Vesti FM sugjeron se “rusët janë hebrenjtë e kohës sonë” - "një komb i persekutuar".

(shih: https://euvsdisinfo.eu/the-terrible-russophobia/).

Pra edhe në këtë pikë, ambasadori si protagonist aktiv brenda ekosistemit të propagandës nuk dallon nga "ushtarët" e medias “Vesti FM”.

4-  Për ambasadorin, Tirana zyrtare mbështet vazhdimisht formatet e ndryshme anti-ruse të regjimit të Kievit si Platforma e Krimesë dhe Shqipëria sipas tij, ndërmerr shpesh iniciativa për të përballur “kërcënimin rus” në organizatat ndërkombëtare si UN, OSCE etj.

Sërish ambasadori kthen prozhektorët e Kremlinit nga këndi i tyre i preferuar.  Platforma e Krimesë nuk është një platformë anti-ruse, por një format që synon të rrisë ndërgjegjësimin ndërkombëtar ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Krime.

Lidhur me çështjen e Krimesë, Kryeministri shqiptar Edi Rama si Kryetar i OSBE për 2020, mbështeti nevojën për dialog si mënyra më e mirë për të arritur drejt paqes. Së fundmi, në asamblenë e përgjithshme të OKB, Kryeministri shqiptar apeloi për një paqe të drejtë, që i jep fund padrejtësive dhe mizorive kundër popullit të Ukrainës.  Por janë pikërisht fjalët “dialog” dhe “paqe e drejtë” ato që Rusia përçmon dhe refuzon!

Kështu, pasi kontribuon për të ushqyer direkt nga zyra e tij në Tiranë një nga gjymtyrët e monstrës propagandistike, mediat shtetërore ruse, ambasadori e kthen megafonin nga audienca shqiptare, duke riktivizuar rrjetet sociale në gjuhën shqipe, por me gënjeshtra të mëdha që kanë vlerë vetëm brenda uniformitetit të pushtetit putinist, por jo në dritaren e botës së lirë dhe demokratike.

Kontrolli i fakteve dhe demaskimi i gënjeshtrave është thelbësor për t’i prerë rrugën së keqes që vjen prej tyre. Kompani si META nuk kanë qendruar indiferente përballë përmbajtjes malinje që vjen edhe përmes kanaleve zyrtare të Rusisë. Një nga rastet më të njohura është ai i vitit 2022 ku facebook dhe twitter fshinë një postim të ambasadës ruse në Britaninë e Madhe, pasi imazhet e bombardimit të një spitali në Mariupol të Ukrainës konsideroheshin nga ambasada si inskenim.

Gjatë muajit shtator të 2024, “META”, kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp, njoftoi se po ndalon mediat shtetërore ruse të aksesojnë platformat për të shmangur ndërhyrjet e huaja.

Edhe platforma TikTok deklaroi se ka ndaluar llogaritë e lidhura me mediat shtetërore ruse për "angazhim në operacione të ndikimit të fshehtë". Llogaritë e mbyllura janë ato nga grupi mediatik Rossiya Segodnya, i cili zotëron shërbimet e lajmeve RIA Novosti dhe Sputnik.

Në vitin 2022, kompania META çaktivizoi një rrjet dezinformimi me origjinë nga Rusia që përdorte qindra llogari të rreme në mediat sociale dhe dhjetëra faqe interneti lajmesh të rreme për të përhapur narrativat e gatshme të Kremlinit në audiencën e shteteve europiane. Sipas Facebook, kjo ishte përpjekja më e madhe dhe më komplekse e propagandës ruse që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tarrasi: 30/09/2024 13:51

    Ali zoti tē bekoft pēr komentin tēnd. Shum e drejt por me Putinin perēndimi i ka punēt keq se Putini i ka bo me fol me vete. Me Putinin i kan shancet 0. Po i shofim qē Rusi çdo dit po pērparon e Ukrainēn po e pushton. Kur Amerika ēshtē kaq e fuqishme pse se provon ta sulmoi putinin por pshuret nē brek. Amerika meret me shtete tē mbaruara se me shtete si Rusi , Kina bēn mutin nē brek.

    Përgjigju
  • Aliu: 29/09/2024 17:10

    Pervec se mediave perendimore nuk kemi lidhje me ato Ruse por problemi qendron qe dezinformimin jane keta qe po e bejne duke mashtruar dhe duke penalizuar kedo qe nuk i nenshtrohet perendimit , bota duket qarte tani sesi funksionon . Ukrainen po e mbeshtesin se kane interesat e veta perendimoret duke mashtruar qe kush sulmohet duhet ndihmuar , po vende si Pakestina apo Libani perse po liben ne meshire te fatit te masakrohen nga cifutet pa asnje lloj ndihme nga vendet perendimore ? Kjo eshte “demokracia “ qe ata mbrojne duke vendosur ligje te ndryshme sipas interesit te tyre dhe jo ligje njesoj per te gjithe dhe kjo quhet ipokrizi dhe mashtrim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Plagosje me thikë, një person i lënduar

Plagosje me thikë, një person i lënduar