Alternativa e VETËVENDOSJE!s për Veriun

Alternativa e VETËVENDOSJE!s për Veriun
Historia e Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh në themelim të saj në vitin 2005, lidhet ngushtë me kundërshtimin e negociatave: duke pasur pikënisje të drejtën për vetëvendosje e cila ishte përjashtuese e çfarëdolloj negociatash, që atëbotë po planifikoheshin nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo rrugë e kundërshtimit të negociatave u shtrua me shumë argumente, aksione demonstrata të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e që kulmoi me gjakun e derdhur të dy dëshmorëve, Arben Xheladinit e Mon Balajt, në një protestë paqësore kundër Pakos së Ahtisaarit në Prishtinë.

Tani jemi në vitin 2012 dhe as negociatat por ama as kundërshtimi i tyre nuk kanë të ndalur.
Secili raund i bisedimeve, në Kosovë ka prodhuar ndryshim faktik, për shkak të zbatimit të përpiktë nga pala shqiptare dhe nga ana tjetër, ka rezultuar me mosndryshim të qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, sukseset e vazhdueshme të Serbisë me një qëndrim të tillë, vetëm sa ia kanë shtuar apetitet.

Duhet pasur parasysh një fakt i rëndësishëm, Serbia shkon në negociata sa herë që ka nevojë të realizojë ndonjë interes të saj, qoftë për copëtimin e mëtejmë të brendshëm të Kosovës, qoftë kur i nevojitet t’i hapet rruga për të fituar statusin e kandidatit në BE. Secilën herë, faturën e paguan Kosova, duke bërë koncesione të vazhdueshme në dëm të vetin. Këto koncesione shkojnë deri në atë masë që luhet edhe me shtetësinë e Kosovës.
Mos harroni që procesi i decentralizimit etnik, edhe pse s’u realizua për Mitrovicën apo për veriun në përgjithësi i hapi rrugë dalëngadalë idesë së ka ardhur koha të flitet për më shumë autonomi dhe të drejta administrative për Veriun e Mitrovicën. Dikur Lëvizja VETËVENDOSJE! këmbëngulte që “Decentralizim – Ndarje ; Ndarja – Luftë”. Tani jemi pikërisht në atë pikë. Veçse luftën që shumë prej jush e ka përfytyruar si betejë tani po e provojmë në kurriz si luftë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe si luftë ndaj sigurisë së secilit prej jush pikërisht në shtëpitë tuaja.

Pranimi i fusnotës ishte një kthim në pikën zero: veprim i cili konteston edhe aktin formal të pavarësisë, duke krijuar ambiguitet rreth statusit. Mos harroni, edhe Maqedonisë kështu i thanë se është çështje kohe footnota për emrin e kontestuar nga Greqia, por ende sot nuk po mundet ta zgjidhë atë, e për më tepër i kushtëzohet anëtarësimi në NATO. Është rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare që marrëveshjet e tilla të bëra midis një shteti të cili i kontestohet sovraniteti dhe një tjetri që nuk i kontestohet të shkojnë në favor të këtij të fundit.
Çdo dobësim i shtetësisë qoftë dhe formale të Kosovës shkon në radhë të parë në dëm të pjesës veriore, aty ku shfaqet haptazi dobësia. E dëme të tilla japin si efekt vështirësi në sigurinë tuaj të përditshme. Në një vend pa siguri, nuk do të mund të ketë prosperitet ekonomik e social.

Në vend të shtetndërtimit, sovranitetit e integritetit territorial, kjo qeveri preferon zhbërjen, shthurjen dhe zmbrapsjen, si rrjedhim kjo do të thotë për jetën e secilit pasiguri ekonomike e sociale.
Qysh në vitin 2006, me gjithë paralajmërimin tonë të vazhdueshëm për dëmet që do t’i sillnin këto negociata, i ashtuquajturi Grupi i Unitetit shkonte në Vjenë me duar në xhepa dhe para nisjes, paturpësisht deklaronin edhe atëherë sikur tani, se po bisedonin vetëm për çështje teknike. Ndërkohë që Serbia kishte diktuar agjendën e këtyre bisedimeve, përmes të cilës arriti t’i realizojë dy qëllime kapitale: ndarjen e brendshme të Kosovës në vija etnike përmes decentralizimit, me mundësi të rritjes së vazhdueshme të komunave serbe dhe ndërtimin e të drejtës historike mbi këtë tokë, përmes përvetësimit të monumenteve ortodokse mesjetare të Kosovës. Thjesht, pamundësimin e pavarësisë.

Pakoja e Ahtisaarit, u bë baza ligjore e shtetit të Kosovës, të shpallur në letër. Pra, qysh në zanafillë, pavarësia kishte elementin zhbërës të saj: Pakon e Ahtisaarit. Sot, ky dokument bazë i shtetit të Kosovës, i dizajnuar në atë mënyrë që të jetë universal në interpretim, si të ishte Bibël apo Kuran, mund të ndryshojë në çdo moment rregullimin e brendshëm të Kosovës. Sa më shumë zbatohet Pakoja, e pamundëson shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Pakoja e Ahtisarit është antipodi i pavarësisë. Për më tepër, kjo Pako mundëson negociata të pafundme me Serbinë.

Kur u shpall pavarësia e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! paralajmëroi opinionin se Deklarata përmban Pakon e Ahtisaarit e cila do të krijojë Republikë Serbe brenda Kosovës (ngjashëm me Bosnjën). Lidhjet horizontale të komunave serbe dhe vertikale me Beogradin të parapara në Pakon e Ahtisarit, janë bazamenti i saj.

Pakoja e Ahtisarit shumë herë ishte krahasuar me kutinë e Pandorës; prej saj dalin gjithë të këqijat e në fund mbetet vetëm shpresa. E shpresa siç më tha dje një mik i imi nuk është asgjë tjetër veçse një iluzion. Andaj, nevojitet të zgjohemi dhe të veprojmë. Ky është interes i përbashkët dhe kërkon angazhimin e secilit. Vetëm veprimi konkret mund të prodhojë ndryshim por, paraprakisht kërkon një plan.

Lëvizja VETËVENDOSJE! këtë plan ia ka propozuar edhe Kuvendit të Kosovës, të cilin e ka përmbledhur në 13 pika:

1. FSK duhet të shpallet dhe bëhet ushtri. Pastaj, menjëherë të iniciohet marrëveshja SOFA me NATO-n.
2. Në veri duhet të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje. Një bazë e njësisë speciale të policisë së Kosovës duhet të jetë e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve, në ish bazën e KFOR-it, përkatësisht ish remontin ushtarak. Dy baza të tjera të njësisë speciale së bashku edhe me forcat ushtarake duhet të jenë në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31.
3. Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të fuqishme bilaterale me shtetet e veçanta që na e kanë njohur pavarësinë, e posaçërisht me Shqipërinë, ShBA-të, shtetet kryesore të BE-së, Turqinë.
4. Duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht këto bisedime që po zhvillohen në Bruksel me Serbinë, e të cilat, siç e dimë, janë bisedime pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Me këto bisedime nuk forcohet pavarësia e Kosovës prej Serbisë, por pavarësia e veriut të Kosovës prej Kosovës.
5. Duhet të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë. Duhet gjurmuar dhe duhet prerë financimi i tyre nga Serbia dhe nga krimi i organizuar e bizneset informale.
6. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet e simetri të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Serbi. Shqipëria dhe Kosova bashkërisht duhet të angazhohen për shqiptarët kudo që ata janë e posaçërisht për ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Arsyeja kryesore pse Serbia e ka synuar decentralizimin në Anamoravë është që ta hedhë farën e ndarjes dhe izolimit të asaj pjese nga Kosova.
7. Qeveritë dhe kryeministrat e pasluftës, janë munduar t’i integrojnë serbët duke iu dhënë ose premtuar mijëra euro kesh, duke iu falur traktorë apo duke ua ruajtur pagat edhe kur ata punonin për Serbinë. Zgjidhja është krejtësisht ndryshe. Jo para e privilegje, por zhvillim arsimor e ekonomik dhe barazi para ligjit. Jo bisedime me Serbinë e strukturat e saj, por integritet territorial për vendin e sovranitet për shtetin.
8. Rivitalizimi i Trepçës, funksionalizimi i saj që do të rezultonte me punësimin e rreth 8.000 vetave. Kjo do të kontribuonte në bashkimin e qytetit sepse ndarja në Ibër e ka lënë minierën e Stantërgut në njërën anë, ndërsa shkritoren në anën tjetër (Zveçan). Kështu, Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër, dhe ajo është i vetmi qytet në Kosovë të cilit i është zvogëluar popullsia përgjatë viteve.
9. Ofrimi i bursave për shqiptarët dhe serbët nga veriu për në shkollat e mesme dhe Universitetin në Prishtinë.
10. Investim në spitalin e Prishtinës dhe atë në jug të Mitrovicës në mënyrë që aty të ofrohen shërbime më të mira.
11. Forcimi i fshatrave të shqiptarëve dhe lagjeve të Mitrovicës të banuara me shqiptarë në veri duke ofruar mjete për rindërtimin e shtëpive, infrastrukturë të mirë, transport publik falas për në jug të Mitrovicës dhe anasjelltas tri herë në ditë, lehtësim në punësim, lehtësim për regjistrim në universitet.
12. Vetëm me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose lënduar ndërsa 1.564 familje me 11.364 anëtarë janë dëbuar. Secili shqiptar i dëbuar duhet të kërkojë të kthehet në pronën e vet në veri. Dhe njëkohësisht të organizohen dhe mobilizohen për këtë. Ata që nuk duan, duhet ta thonë hapur këtë dhe t’ua shesin të tjerëve pasurinë, atyre që duan të kthehen atje. Qeveria duhet ta ndihmojë dhe mbështesë këtë me një program të veçantë.
13. Nuk duhet lejuar që Qeveria e Serbisë t’i blejë pronat e shqiptarëve në veri. Të gjithë shqiptarët që janë detyruar t’i shesin pronat e tyre, Qeveria e Kosovës t’ua blejë ato.
Unë si aktiviste e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe si ish luftëtare e UÇK-së, ftoj secilin prej shqiptarëve që beson se ne të gjithë mund ta zgjidhim çështjen tonë kolektive duke u përpjekur secili në pozicionin që është pro Kosovës, më shumë sesa pro Qeverisë negociatore, t’i bashkohet bashkërendimit të veprimeve e reagimeve. 

Mitrovicë, 28 gusht 2012


*Autorja është nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!


  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Nuk ka plane për një takim mes Putin dhe Trump

Kremlini: Nuk ka plane për një takim mes Putin dhe Trump