Altin Hazizaj, drejtor i CRCA:
Politika mbeti te fjalët

Altin Hazizaj, drejtor i CRCA:<br />Politika mbeti te fjalët
TIRANE - Për Koalicionin  për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve 8 marsi është dita e goditur për të protestuar mbi mosrespektimin e kuotës gjinore në politikë. Aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë me pankarta dhe bilbila janë ftuar në një protestë pranë KQZ-së duke kërkuar respektimin e kuotës 30% nga gjinia më pak e përfaqësuar në listat e cdo partie politike.

Vendim që nëse nuk zbatohet  vetëm gjobitet me 10 milionë lekë të vjetra dhe mund të regjistrojë në KQZ çdo listë shumë emërore rajonale, pavarësisht nëse ajo nuk e plotëson kriterin e përfaqësimit gjinor. Për këtë të drejtë të gruas do të bien bilbilat sot.

Z. Hazizaj është folur kaq shumë për barazinë gjinore në parlament, por duket se gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet. Ndaj ju protestoni sot…
Politika në Shqipëri ka treguar se fjalët nuk i kthen në vepra dhe kjo është arsyeja se pse ne protestojmë. Të dy liderat politikë kryesorë, ashtu edhe partitë më të vogla mundohen që të shfrytëzojnë kartën e grave në jetën politike publike, por kur vjen puna për t’i dhënë hapësirën e merituar grave në vendim-marrje aty burrat e politikës nuk janë gati të bëjnë kompromise.

Politika mashkullore e ka kuptuar vlerën e votës femërore, por jo vlerën se pse gruaja duhet të jetë domosdoshmërisht dhe në mënyrë të barabartë në politikë. Kodi i ri Elektoral është treguesi më i qartë i këtij qëndrimi ndaj grave dhe vajzave, duke lejuar që partitë politike ta “shesin” barazinë gjinore në politikë për 10 milionë lek, nëse ato nuk arrijnë të kenë në listat e tyre të kandidatëve për deputetë 30 përqind gra. Është një qendrim i turpshëm dhe diskriminues, pasi parlamenti me shumicë burrash iu ka thënë të gjitha grave në Shqipëri që ju vleni 10 milionë lekë!

Keni ndonjë informacion sesa parti mund të preferojnë gjobat në vend të kandidateve gra?
Mënyra sesi është ndërtuar sistemi elektoral në Shqipëri favorizon daljen e më shumë deputetëve nga dy partitë më të mëdha, ndaj pritshmëria është që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike të jenë dy partitë me tendencën më të madhe për të mos respektuar kuotën gjinore.

Fakti që KQZ, që kontrollohet nga këto dy parti, pranoi që të zbatoj gjobën 10 milionë lek në rast të mos-respektimit të kuotës gjinore, pa asnjë lloj kontrolli rigoroz të shkaqeve se pse nuk ka barazi gjinore në lista, është tregues se të dyja partitë po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje “teknike” për këtë çështje.

Mund të pranohet përgjigja e partive “Nuk ka kandidate gra”?

Kur e kam dëgjuar për herë të parë argumentin se “nuk ka gra në politikë” një miku im humorist shkodran me shaka më pati thënë: “Po këta me burra flenë në krevat?” Për mua ky është qëndrimi më i hapur diskriminues që burrat e politikës mbajnë ndaj grave, sepse është e vetmja mënyrë për të mbajtur nën kontroll pushtetin dhe pa e ndarë atë me gratë.

Këta burra kanë nëna, bashkëshorte, mikesha e të dashura dhe t’iu thuash atyre se nuk janë të denja për në politikë ështe sa poshtëruese aq edhe diskriminuese. Pushteti nëse vërtetë kërkon të jetë demokratik, nuk mund të jetë i tillë pa pjesmarrjen e grave dhe vajzave.

Në këtë protestë prisni që të keni në krah vetëm gratë?

Protesta nesër është një manifestim civil i shoqërisë civile përpara KQZ për t’iu kërkuar publikisht që të tregohet rigoroze në zbatimin e kodit dhe veçanërisht të kuotës gjinore. Ata nuk duhet thjesht të bien dakord që në listat e kandidatëve edhe po nuk pati gra është e pranueshme, por e kanë për detyrë ndaj taksapaguesve gra dhe atyre që besojnë zhvillimi, që t’i kërkojnë llogari partive se pse në listat e tyre nuk është zbatuar kuota gjinore.

Pas protestës cili do të jetë hapi juaj kundër kësaj gjobe që zëvendëson gratë?
Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë po përgatit ankimin për tek Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për diskriminim të hapur të grave dhe vajzave për shkak të gjinisë nga partitë politike. Nëse puna do të shkonte deri këtu, kjo do të tregonte se partitë politike nuk janë të afta të ndërtojnë politika gjinore dhe një Shqipëri të barabartë dhe të ndershme për të gjithë.

Shkrimi u botua sot Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Rezoluta për Srebenicën dërgohet në asamblenë e OKB-së

Rezoluta për Srebenicën dërgohet në asamblenë e OKB-së