I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka ishte nutricionisti Altin Joka, i cili foli për zbokthin, nga se shkaktohet dhe si mund të eliminohet.
”Njerëzit duhet të skalisin në mendjet e tyre dy elemente që kanë lidhje me shëndetin, e para duhet vigjilencë për çdo të dhënë që trupi shfaq dhe e dyta duhet këmbëngulur për të gjendur shkaqet e problematikave kryesore” tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se zbokthi nuk është thjesht një problem estetik, por është një pasojë e shumë elementëve, është një sinjal i një çrregullimi që ndodh brenda trupit tonë.
Por cilët janë shkaktarët kryesorë të zbokthit, cilat sëmundje ‘fshihen’ pas tij?
“Së pari duhet të shohim marrëdhëniet që kemi me zorrën tonë. Në përgjithësi personat që kanë parazitë, kanë edhe zbokth. Është parë që personat që kanë zbokth, kanë kandita, sikurse rritja e histaminës në zorrën tonë është tregues” theksoi Altini, duke nënvizuar se rritja e histaminës krijon një koktejl alergjish. Një anë tjetër është disbalancimi hormonal, sikurse psoriasis, dermatitet, të gjitha problematika që vijnë nga brenda trupit.
Stresi dhe ankthi kronik është një tjetër element që mund të krijojë zbokth. Nuk duhen harruar dhe faktorët gjenetik apo përdorimi i kimikateve të ndryshme, por faktor kryesor është dhe mungesa e elementëve ushqimor, si makro dhe mikro elementëve. Zbokthi shfaqet edhe para një çregullimi metabolik të diabetit, pra është parë që personat që kanë zbokth janë në fillim të prediabetit.
”Larja e shpeshtë do të ulë yndyrshmërinë e flokut dhe do të ulë nivelin e pehashit” tha Altini, duke shtuar se nuk rekomandohet më shumë se një apo dy larje në javë për flokët.
Cilat janë disa trajtime natyrale për të larguar zbokthin sipas Altinit?
Së pari duhet një fuqizim i mikrobiomës tonë të zorrës, për këtë duhet të përdorim shumë fibra dhe nivele të larta të probiotikëve, duhet të shohim ndonjë problematikë që mund të kemi me aneminë, por nga aspekti i jashtëm, mund të përdoret fara fenogreg. Një tjetër element i mirë është dhe soda bukës, që pastron skalpin nga qelizat e vdekura. Përgatitja e sodës me vajin e jojogës është një tjetër kurë efikase. Vaji i kokosit më lëngun e limonit është gjithashtu shumë i mirë. Përdorimi i vajrave esencial është gjithashtu shumë efikas, sidomos ai i avokados, kokosit dhe rozmarinës, të cilët mund të bëjnë një parandalim dhe normalizim të zbokthit. Uthulla e mollës është një tjetër element në rregullimin e skalpit të kokës.
“Personat që kanë përdorur këna kanë patur flokë më të mirë dhe mungesë zbokthi” thekson Joka duke vijuar me përdorimin e lëngut të portokallit në masazhime të skalpit. Thelpinjtë e hudhrës të shtypur në ujë, mund të jenë gjithashtu një kurë efikase.
Në fund të bisedës Joka këshillon që flokët nuk duhen larë me ujë të nxehtë dhe me presion të fortë. Duhet të eliminojmë sheqerin, të shtojmë karbohidratet dhe ushqimet vitaminoze në regjimin tonë dhe të eliminojmë alkoolin për një shëndet të mirë të skalpit dhe të gjithë organizmit.