Dëllinja 'ilaç' për shpirtin dhe shëndetin / Ylli Merja: Ja si ta përdorni mrekullinë kurative të natyrës

Natyra jonë na ka falur një tokë të bekuar me larmishmërinë e bimëve mjekësore, të cilat janë 'aleati' më i mirë i njerëzimit për një jetë të shëndetshme. E tillë është dhe dëllinja, një bimë shumë e përhapur në Shqipëri në zonat malore me veti të fuqishme antibakteriale. Kjo bimë është shëruese nga rrënja deri te fruti, por megjithatë, më së shumti përdoren frutat, të cilat vilen në pjesën e dytë të verës e deri në vjeshtën e vonshme. Frutat mund edhe të thahen, dhe kështu mund të përdoren gjatë gjithë vitit. Veçoritë shëruese të dëllinjës njihen që nga lashtësia, ndërsa me siguri keni dëgjuar apo provuar edhe rakinë e famshme të dëllinjës. Frutat e saj më së shumti janë përdorur për problemet në stomak dhe problemet me kanalet urinare, pasi njihet si një nga diuretikët më të mirë natyrorë. Dëllinja e kuqe dhe e zezë zë një vend nderi në mjekësinë alternative, ndaj në rubrikën 'Bima dhe Shëndeti' në 'Rreze Dielli' me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja flasim për vlerat e jashtëzakonshme të dëllinjës, për gamën e gjerë të problematikave shëndetësore që kuron dhe si ta përdorim atë kombinuar dhe me produkte të tjera për një rezultat sa më efektik në trajtimin natyral të sëmundjeve.

“Dëllinja është një bimë që ne si vend na ka bërë krenar” e nis kështu bisedën specialisti Merja, duke treguar se një grup gazetarësh nga Gjermania dhe Franca vetëm pak ditë më parë teksa vizitonin Shqipërinë kanë treguar një interes shumë të madh për këtë bimë, sa i takon varianteve të dëllinjës që rriten në vendin tonë dhe përdorimet e saj në mjekësinë alternative. 

Populli jonë nga lashtësia ka trashëguar hardiçin, pijen e famshme të dëllinjës, një eliksir sa rifreskues dhe kurativ për problemet e shiatikut, për problemet e pengesave në urinim, për problemet e bronkeve. Uji aromatik i dëllinjës është i mrekullueshëm, thotë Merja për trajtimin e sëmundjeve reumatizmale, mund të themi madje që është shumë herë më i mirë se uji i llixhave, pasi përmban plot mikroelemente që përmirësojnë qarkullimin e gjakut nëpër artikulacione.

Në vendin tonë rriten 6 lloje dëllinjash, më të përdorshmet janë dëllinja e zezë dhe dëllinja e kuqe, antioksidantë të mrekullueshëm, antiviralë dhe antibakterialë me përbërës kimik aktiv, të cilat i japin kësaj bime vlera të mëdha shëndetësore. 

“Duke qenë se vetë dëllinjat kanë përbërës kimikë të ndryshëm nga njëri- tjetri, edhe përfitimet në dobi të shëndetit janë të ndryshme” shprehet Merja. Dëllinja e zezë ul aciditetin e stomakut, qetëson sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, astmën, kataret në bronke, çistet, dhimbjet reumatizmale, aciditetet në zorrë, ekzema, ngërçet muskulare, shton diurezën, qetëson kollën.  

Ndërsa vlerat shëndetësore të dëllinjës së kuqe: qetëson dhimbjet e shiatikut, është antireumatizmale, trajton ftohjet muskulare, përmirëson oreksin dhe diurezën.

“Për personat që vuajnë nga aciditeti i stomakut, dëllinja është një ilaç, mund të përtypin disa kokrre dëllinje (5-6 copë), të cilat ndihmojnë në neutralizimin e aciditetit. Nëse do të përgatisim çaj me dëllinjë duhet të kemi parasysh se duhet t’a vlojmë më shumë se çajrat e tjerë, rreth 8-10 minuta, për shkak të rrëshirës që mbështjell kokrrat e saj”, nënvizon specialisti Merja. Dëllinja ka në brendësi të saj vajra esencial, po ta shikojmë frutin në brendësi ka dhe polifenole, që nëse ne hamë pak do të na japë një rrudhëtirë në gojë, falë dhe tanineve, dhe sidomos për njerëzit që kanë diare apo që kanë katare në rrugët e frymëmarrjes kjo bën jashtëzakonisht mirë.    

Përdorimet e dëllinjës, frutit të vogël me veti të çuditshme terapeutike

  • - Hardiçi, pije tradicionale e lashtësisë, përdorej në raste të temperaturës së lartë, bronkit, astmë, kollë, probleme me stomakun, vështirësi në tretje
  • - Tingtura alkool 70-75 ml alk 70-72° lihet 2 javë dhe pihet 2-3 herë në ditë nga 30 pika, mënjanohet aciditeti i stomakut dhe shfaq veti tretëse
  • - Verë e bardhë 1 litër +  50-70 gr dëllinjë, pihet 150 ml verë në ditë, është një tretës i mrekulleshëm
  • - Çaji i gjetheve të dëllinjës, 80 gr gjethe në 1 litër ujë, përdoret për shplarje të ekzemave apo akneve
  • - Uji aromatik i dëllinjës përdoret për masazhe në këmbë që dhembin, flokët dhe kokën me ekzemë
  • - Për çistet në vezore, në gjoks, për infeksionet urinare dhe reumatizmën pihen 3-4 ditë nga çaji i dëllinjës ose 90-100 pika nga ekstrakti
  • - Për acarime në lëkurë, puçra, plagë bëni shpëlarje me çaj dëllinje. Shtypni dëllinjën në havan, mund të shtoni dhe hudhër dhe vendoseni mbi akne, leza apo mbi lytha
  • - Banjë balsamike, ziejmë në 7-8 litra ujë 200 gr dëllinjë dhe 200 gr rigon për 3-4 minuta. Kullojmë çajin dhe e hedhim në vaskë të ngrohtë
  • - Vaj për kyçet: në vaj sinapi ose në mungesë vaj kokosi 5 cc hedhim 4-5 pika vaj dëllinje dhe masazhojmë kyçet
  • - Krem antireumatizmal: vaj dëllinje, dafinë, proteinë kërmilli i rrahim në havan. Ose mund të bashkojmë vaj sinapi me vaj kokosi, vaj dafine dhe vaj dëllinje nga 6-7 pika. 

 

SHËNIM i REDAKSISË: Çdo i sëmurë ka veçoritë e tij, ndaj për raste të sëmundjeve të rënda, duhet gjithnjë këshillimi me mjekët. Ky artikull nuk mund të përdoret për të sugjeruar një kurim për çdo person.

MC/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pranvera: 29/11/2024 01:30

    Te falenderojme Doktor !!! Dellinja eshte mrekulli per artritin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Era e fortë në Lezhë, mbesin pa energji elektrike disa zona! Mjeteve të vogla të peshkimit iu kërkohet të mos dalin në breg

Era e fortë në Lezhë, mbesin pa energji elektrike disa zona! Mjeteve të vogla të peshkimit iu kërkohet të mos dalin në breg