Vitet e fundit gjithnjë e më shumë kemi dëgjuar të flitet se zorra është ‘truri ynë i dytë’, dhe në fakt jo më kot, pasi shumë studime kanë treguar rëndësinë e këtij organi, si sistemi kyç qendror i organizmit tonë. Jeta sedentare, stresi i shtuar, ushqimet e pashëndetshme apo bakteret e parazitët, na bëjnë që të kemi një mosfunksionim të mirë të aparatit tretës dhe të mirëfunksionimit të zorrëve. Ndaj në emisionin "Rreze Dielli" në Report Tv, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja në 'Bima dhe Shëndeti' ndalemi në një një nga problematikat e zorrëve, siç është sindroma e zorrës së irrituar. Çfarë është zorra e irritueshme, çfarë e shkakton atë dhe cilat janë simptomat tipike të kësaj problematike shëndetësore? Sa zgjat sindroma e zorrës së irrituar, cilat zakone apo ushqime e nxisin atë? Ashtu dhe si çdo problematikë shëndetësore edhe sindroma e zorrës së irrituar ndikon shumë në cilësinë e jetës së përditshme, ndaj nuk duhet neglizhuar.
"Në sindromën e zorrës së irrituar, zorra sillet si e sëmurë, por në fakt nuk është e sëmurë, pra nuk ka dëmtim, por çrregullim funksioni" thekson Merja në fillim të bisedës. Çrregullimi i funksionit të zorrëve do të na japë shenjat e para pas disa ditësh, ku shenja e parë është dhimbja e barkut e cila shoqërohet me spazma, të prera barku apo ngërçe. Shenja e dytë është fryrja e barkut, distendim, kërcitje zorrësh. Më pas kemi shenja të tjera si dhimbje që çlirohen pas defekimit, gazra, zbrazje jo e plotë e zorrës, kapsllëk ose diare.
Shkaktarët e mosfunksionimit të mirë të zorrëve, pra sindromës të zorrës së irrituar sipas specialistit Merja janë: parazitët në zorrë, myku në zorrë, medikamentet e shumta që prishin florën bakteriale, dieta dhe intoleranca ushqimore, çrregullimet në orarin e të ushqyerit, jeta sedentare, çrregullimet hormonale, sidomos gjatë ciklit menstrual.
“Dieta ushqimore ka një rol shumë të rëndësishëm në drejtim të sindromës së zorrës së irrituar. por po kaq rëndësi ka dhe gjendja jonë shpirtërore. Stresi, faktorët emocionalë dëmtojnë florën e mirë bakteriale, pasi në muskulaturën e traktit tretës janë 100 milion qeliza nervore që komandojnë peristaltikën. Pra stresi është i lidhur direkt me funksionin e zorrës së trashë” thekson specialisti Merja.
Për të qetësuar zorrën e trashë, bari i majasëllit është shumë i mirë. Tek ky çaj me bar majasëlli shtojmë mëllagë dhe pak shegë. Në rastet e dhimbjeve të barkut çaji i kamomilit apo çaji i luleve të shtogut si dhe nenexhiku janë shumë qetësuese. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja thekson se zorra e irrituar nuk është një sëmundje, prandaj dhe quhet sindromë, ndaj dhe trajtimi alternativ ndahet sipas simptomave kyçe të kësaj problematike.
Në raste diareje:
- - Konsumoni një ftua të pjekur të lyer me mjaltë dhe rigon (1 ose 2 herë gjithsej)
- - Heqim qumështin dhe bishtajoret nga përdorimi
- - Konsumoni supë pule ku shtoni mendër dhe trumëz ose rigon
- - Pini një gotë çaj aronia ose boronicë në ditë
- - Në 2,5 litra ujë zieni 2 minuta një paketë çaj Kolimer dhe 3 lugë gjelle çaj Kandimer. Pini 3 x 1 gotë në ditë para buke
- - Ekstrakt balsamik, pini 2x1 lugë çaji në ditë para bukе
Në raste kapsllëku:
- - Pini vaj liri 2x1 lugë çaji në ditë para buke
- - Në 2.5 litra ujë zieni 2 minuta një pako çaj Kolimer (ose 7-8 lugë gjelle) dhe nga një lugë gjelle drunakuq, finok dhe ake. Pini 3 x 1 gotë në ditë para buke
- - Konsumoni fibra gjatë ditës, musli, etj
- - Në të dy rastet kur ka parazitë shtoni në mëngjesin tuaj një lugë çaji shege dhe një lugë supe fara kungulli
- - Konsumoni bukë të thekur, mundësisht pak të djegur si karbon
- - Konsumoni në mëngjes dy thelpinj hudhra
Në rastet e dhimbjeve të barkut te fëmijët:
- - Çaj kamomili apo çaj me lule shtogu si dhe nenexhiku janë shumë qetësuese.
- - Në 250 ml ujë zieni 2 minuta një lugë gjelle mendër dhe një lugë finok, ky çaj pihet gjatë ditës
- - Vaj basani ose liri, pihet ose hidhet në gjellë 2x1 lugë kafe në ditë
Në fund të bisedës Merja thekson se është shumë i rëndësishëm regjimi ushqimor dhe ngrënia me orare. Për personat që i kanë zorrët më të ndjeshme kujdes duhet të kenë në konsumimin e fasuleve dhe thjerrëzave, duke i vendosur në ujë të ngrohtë për disa orë dhe më pas t’i ziejnë dhe gatuajnë. Ndërsa kur kemi fryrje zorrësh një zgjidhje efikase është dhe konsumimi i ujit të ngrohtë me 1 lugë sodë buke, e cila do të rregullojë aciditetin e stomakut dhe do të ndihmojë në drejtim të gazrave dhe fryrjeve të zorrëve.