Gushtin e kaluar, në Amazon pati 30.901 shpërthime zjarri, gati tre herë më shumë se një vit më parë (10.421 shpërthime). Zona e djegur në këtë periudhë ishte 29.944 km², e barabartë me 4.2 milion fusha futbolli. Këto janë shifrat alarmante të siguruara nga të dhënat e fundit të mbledhura nga Instituti Brazilian i Kërkimit Hapësinor (INPE).
Zona e djegur në pyjet e Amazonës është katër herë më e madhe se ajo e një vit më pare. Kjo është shifra më alarmante që nga viti 2010, një vit me një thatësirë të rëndë. që nuk ndodhi në vitin 2019.
Të dhënat i referohen tërë zonës së Amazonës prej 5.5 milion km² - nga të cilat 4.19 milion janë në territorin brazilian. Këtë vit ka pasur edhe zjarre në pyjet e shiut të Amazonës në Peru dhe Bolivi.
Drejtoresha shkencore e Institutit të Kërkimeve të Mjedisit në Amazon, Ane Alencar, shpjegoi për Webfaqen UOL se kjo rritje drastike mund të shpjegohet vetëm nga aktiviteti i shpyllëzimit, pasi këtë vit asnjë ngjarje ekstreme e motit nuk mund të justifikojë situatën aktuale.
"Këtë vit nuk kemi pasur thatësirë ekstreme, si në 2015 dhe 2016. Në vitin 2017 dhe 2018 kemi pasur një periudhë me reshje të mjaftueshme. Në vitin 2019, ne nuk kemi regjistruar ngjarje klimatike që shkaktojnë thatësira, siç është El Niño - ose të paktën jo ato ndodhin me intensitet. Klima nuk mund të jetë shpjegimi për këtë rritje të shpërthimeve të zjarrit”.
Duke llogaritur të gjithë territorin brazilian, nga janari deri në gusht, janë regjistruar 46.825 zjarre, shifra më e keqe që nga viti 2010 me 58.476 zjarre.
Pas samitit të G7-ës dhe nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, presidenti Jaïr Bolsonaro, pas disa javësh në të cilat ai vazhdoi të argumentojë se zjarret në Amazon ishin "një çështje e brendshme", vendosi të ndalojë djegien për arsye bujqësore.
Megjithatë, vetëm 48 orë më vonë ai ndryshoi dekretin për të lejuar këtë praktikë jashtë territorit ligjor të Amazonës.
Ndihma e premtuar nga bashkësia ndërkombëtare për të luftuar zjarret në xhunglën e Amazonës është në një vështirësi ligjore pas refuzimit të Bolsonaros. Sipas disa dokumenteve të dalë së fundmi në dritë, ka një plan shfrytëzimit të këtij territori të gjelbër, unik në planet, duke izoluar në mënyrë progresive popullsitë indigjene.
Bolsonaro dje bëri ironi në lidhje me shqetësimin e presidentit francez për xhunglën dhe shpyllëzimin e saj, të paparë për dekada. "Unë i jam mirënjohës Emmanuel-it. Amazona jonë është më e madhe se ajo e vendeve të tjera"
Që kur erdhi në pushtet në janar, Jair Bolsonaro ka inkurajuar fuqimisht zhvillimin e bujqësisë dhe mbarështimit të bagëtive në Amazon dhe ka mbështetur minierat - përfshirë edhe ato ku jetojnë indigjenët.
Shpyllëzimi, i cili po përparon me shpejtësi, gjykohet nga specialistë përgjegjës si Katastrofik.
Përfshirja e ushtrisë braziliane në shuarjen e zjarreve, më shumë se një javë më pare, nuk ka ulur ende numrin e tyre. Më shumë se gjysma e 1.284 zjarreve të reja të regjistruara të hënën nga Instituti INPE në të gjithë Brazilin, janë ndezur në Amazon, megjithë prezencën e 18 avionëve dhe 3.900 trupave.