TIRANË,2 Mars /ATSH-Z.Tosku/-Në një postim në rrjetin social Facebook, Ambasada amerikanë ka mirëpritur sot pasdite vendimin e Partisë Socialiste për të përjashtuar Tom Doshin nga grupi parlamentar socialist.
"Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive', ka komunikuar Ambasada Amerikane në Tiranë.
"Mbështesim me forcë punën e Kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet", shkruhet ne kete njoftim .
/f.n/