Z.Zeneli do ta fillojmë me një pyetje jashtë diplomacisë. Ju jeni anëtar i këshillit Politik të PS dhe maxhoranca e re që do të qeverisë nga shtatori, ka bërë premtime të medha. Cilat mendoni se janë sfidat e qeverisjes së re?
Unë mendoj se sfidat janë të shumta e të gjithëanshme. Natyrisht njerëzit nuk presin që çdo gjë të realizohet menjëherë. Populli ka dhënë një votë të fuqishme për PS-në, LSI-në dhe aleatët e saj të majtë dhe e ka dhënë për të qeverisur ndryshe, në të gjitha drejtimet. Unë mendoj se sfida e parë, apo sfida e sfidave është justifikimi i këtij besimi që të ka dhënë populli e vetë besimi, që ai duhet të krijojë, se vërtetë po qeveris ndryshe. Populli do të shohë një frymë të re, një përgjegjësi të re, një raport krejt tjetër të qeveritarëve, politikanëve, zyrtarëve me të. Kjo është kryesorja. Gjithkush e di, e kupton dhe e pranon që asgjë nuk bëhet menjëherë, por gjithkush e do start-in ndryshe, të besueshëm, bindës, të ndershëm e profesional që ditën e parë.
Diplomacia. Është folur e është shkruar shumë kohët e fundit për të, me nota shumë kritike. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë?
Natyrisht kushdo qoftë, diplomat, gazeta apo politikan, është në të drejtën e tij për të dhënë opinione e për të shfaqur mendime, për çka ka ndodhur në diplomaci, e çfarë duhet të ndryshojë.
Megjithatë unë mendoj se, gjërat nuk duhen parë thjesht dhe vetëm bardh e zi, ashtu si dhe nuk do parë si problemi kryesor, shqetësimi kryesor i diplomacisë, nepotizmi, klientelizmi, djali i këtij e mbesa e kësaj. Nuk janë këto problemet më madhore, më shqetësuese të diplomacisë tonë. Diplomacia shqiptare në këto 20 vjet, por dhe në 8 vitet e qeverisjes së PD-së, padyshim që ka arritjet e saj, kontributet e saj, ka marrë vlerësimet e duhura nga partnerët tanë, SHBA e BE sidomos për qëndrimet konstruktive në rajon. Tashmë jemi vend anëtar i NATO-s, kemi detyrime e programe të precizuara në këtë kuadër, janë bërë përparime drejt BE-së dhe presim që duke kryer detyrat e shtëpisë shumë më mirë se deri më sot, pa demagogji, pa llustra, që kanë qënë me tepri, të marrim edhe ftesën për në Bashkimin Europian. Liberalizimi i vizave, ka pasur kërkesa tepër strikte nga BE për t’u plotësuar në mjaft aspekte të veshtira, dhe këto janë plotësuar(Dhe diplomacia ka rolin e vet). Pra nuk jam për të nxirë çdo gjë në fushën e diplomacisë. Politika e jashtme dhe diplomacia janë një aset kombëtar, një vlerë, një pasuri dhe është e padiskutueshme që, pavarësisht kritikave, maxhoranca dhe opozita në këto 20 vite kanë pasur një linjë të përbashkët, mbrojtjen e interesave kombëtare, integrimin Euroatlantik. Kështu mendoj se duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, pavarësisht edhe deklaratave butaforiste që i kemi dëgjuar këto ditë, për lëvizjet diplomatike të maxhorancës së re.
Z.Ambasador, jam dakord me këto që thoni, por ka pasur akuza vazhdimisht nga PS dhe e majta, për nepotizem dhe klientelizëm në diplomaci...?
Jam plotësisht dakord. Konstatimet dhe kritikat e bëra janë të padiskutueshme. Dhe me të drejtë për opinionin, janë bërë shqetësuese, por gjithësesi them përseri se nuk është ky problemi themelor. Ky është një problem. Këto lidhje nepotike apo klienteliste, priten që neser. Kush është marrë në shkelje të ligjit në diplomaci, kush është marrë nga rruga dhe nga komuna x, kush është bërë nga refugjat diplomat, hiqet që neser. Ligji i Shërbimit Diplomatik është shumë i qartë. Po të ishte zbatuar drejt, nuk do të kishte asnjë shteg për abuzime.
Kryeministri i ardhshëm Z.Edi Rama ka deklaruar para zgjedhjeve, se nuk duhet të ketë në diplomaci të afërm me politikanët, deputetët, zyrtarët e lartë etj etj. Cili është komenti juaj?
Une nuk e kam kuptuar aspak kështu zotin Rama, nuk e kam kuptuar kështu…. E kam kuptuar shumë mirë, shumë qartë, për luftën kundër nepotizmit, klientelizmit. E kam kuptuar që ligji duhet të zbatohet deri në një. E kam kuptuar për ato shqetësime të patolerueshme, fyese dhe për diplomatët që punojnë në MPJ, që tjetri pse është i X-it apo i Y-es, merret nga rruga, nga emigrant, në shumë raste dhe me shtetësi joshqiptare, edhe njerëz të skeduar në vende të ndryshme dhe bëhen diplomatë. Dhe këtyre i besohet përfaqësimi i Shqipërisë, imazhi i Shqipërisë. Një djalë apo një vajzë e re, e kulturuar, me gjuhë të huaja, me kapacitet kulturor, kushdo qoftë dhe nga do ardhtë brenda të gjitha normave konkurojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pranohet, e nis punën me gradën minimale dhe vazhdon karrierën normalisht. Këtij apo asaj, nuk i thotë askush gjë, kështu duhet të jetë e kështu duhet të bëhet, kështu ka kërkuar e do kërkojë të bëhet, kështu e kam kuptuar dhe unë zotin Rama, në lidhje me pyetjen që më bëtë. Diplomatët nuk duhet të shohin kush ministër iku e kush ministër erdhi, për t’i gjetur anën. Duhet të jetë fyese dhe për ata diplomatë, që janë firmosur me lopatë ditët e fundit për të shkuar në përfaqësi të ndryshme diplomatike. Kjo praktikë në tërësi i demoralizon shumë diplomatë të zotë e të formuar në MPJ. Karriera ka kërkesat e veta, shkallët e veta dhe performancën profesionale të secilit.
Zoti Zeneli, ku mendoni se duhet të përqëndrohet më shumë reforma në diplomaci, për përvojën e gjërë që ju keni?
Për mua reforma duhet të jetë e gjithëanshme, konceptuale, e plotë, profesionale dhe e qëndrueshme. Ne kemi prioritetet tona politike, ekonomike, publike, punën me dhe për emigracionin, kemi fqinjësinë e mirë. Kemi si një prioritet krejt të veçantë raportet me shtetin e ri të Kosovës, etj. Ne nuk mund të kemi, të njëjtat marrëdhënie, të njëjtat struktura diplomatike, të njejtat koncepte pune me Kosovën, ashtu si 5 vjet më parë, kur Kosova nuk ishte shtet i pavarur. Eshte folur shumë për këtë çështje, por kam përshtypjen se ka qënë një retorike e zvarritur. Ne duhet të kemi marrëdhënie krejt të veçanta me shtetin e ri të Kosovës. Jemi dy shtete por jemi një Komb. Është në dorën tonë, e duhet të punojmë krejt ndryshe në krahasim me vendet e tjera. Janë të turpshme pengesat doganore, fiskale etj., që krijohen se nuk dimë të ulemi e të shohim ndryshe. Ne kemi pasur e duhet të kemi një politikë të hapur, konstruktive, bashkëpunimi, mirëkuptimi e partneriteti, sidomos me fqinjët por edhe sepse si vend i NATO-s kemi obligimet tona dhe si vend aspirant në BE, po kaq, kemi përsëri obligimet tona. Ne përdorim vend e pa vend, terma që kanë ikur nga fjalori diplomatik. Pra, reforma kërkon për mendimin tim dhe modernizimin e aparatit të funksionimit diplomatik. Të pasjes së qëndrimeve të formuluar saktë, të tezave të sakta. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, apo në përfaqësitë diplomatike, ka diplomatë shumë të mirë, me përvojë, me përgjegjësi e të përkushtuar për interesat e vendit. Ata duhet të dëgjohen, të promovohen, të bëjnë karrierë të merituar, pa ia ditur për nder, këtij apo atij. Diplomacia në fillim të fillimit e deri në fund të fundit është profesion. Është e domosdoshme për të krijuar një profil të qartë për profesionin e diplomatit. Ai që përfaqëson vendin duhet t’i nënshtrohet në mënyrë të vazhdueshme një ekspertize të vazhdueshme, një performance të vazhdueshme. Reforma në diplomaci të cilën unë s’do ta ndaja nga modernizimi, nuk do as pritshmëri e vonesa, por as ngut. Pa dashur të zgjatem po sjell një shembull. Në janar të vitit të kaluar qeveria e Hollandës, krijoi një Komitet Këshëllimor për Modernizimin e Shërbimit Diplomatik. Komiteti ka në përbërje të tij 130 specialistë të fushave të ndryshme. Këtij Komiteti i është lënë për të punuar një afat 2-vjeçar, pra deri në janar të vitit 2014. Ndërkohë në çështje të veçanta Komiteti ka paraqitur për konsultë edhe progres-raporte. Pra dhe njëherë mendoj se reforma dhe modernizimi, në shërbimin e jashtëm duhet të jenë sa më të kualifikuara, jo spontane, jo të pjesshme dhe as të sipërfaqshme. Një vend të rëndësishëm, pa dashur të zgjatem në këtë reformë, duhet të zërë Shërbimi Konsullor jashtë. Konsullatat e përgjithshme janë kthyer thjesht dhe vetëm në vendosje vulash dhe marrje certifikatash. Ata s’kanë asnjë koncept për veprimtarinë politike, ekonomike e kulturore në juridiksionin që përfaqësojnë.
Z.Zeneli, Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, ka premtuar nje diplomaci krejt ndryshe e aktive. Mendoni se mund të përballohet një projekt i tillë dhe ambicioz me këtë buxhet të varfër që ka shërbimi Diplomatik?
Natyrisht që buxheti është shumë i rëndësishëm për një përfaqësi diplomatike. Dhe sidomos për ato vende ku interesat tona janë prioritare. Lidhur me këtë pa diskutim që kërkohet një vëmendje dhe vlerësim më i madh. Pa buxhet normal, diplomati nuk del dot nga zyra, kufizon aktivitetet, takimet, veprimtari të domosdoshme etj. Më mirë 2 km asfalt më pak se një Ambasadë e papërfaqësuar. Megjithatë atë që kërkohet për një diplomaci aktive, më shumë krahas buxhetit, pa asnjë dyshim e shoh te reforma, te modernizimi i aparatit diplomatik, në MPJ apo dhe në përfaqësi. Aty ku ka prioritete të veçanta e të rëndësishme politike, ekonomike, interesa për investime, vëmendje ndaj emigracionit, pa dyshim që duhet të ketë dhe buxhet më të madh dhe staf më të madh dhe të kualifikuar. Buxheti është reduktuar vitet e fundit thuajse në të gjitha vendet. Edhe ato të zhvilluara, për shkak të krizës, por shumë vende kanë përvojë pozitive me sistemin e ambasadorëve të ambasadave rajonale, atyre të mesme, të vogla dhe atyre me staf minimal. Rëndesi ka të ketë efektivitet dhe këto struktura të jenë dinamike. Sot ka dhe forma të “Ambasadorëve bilateralë” apo “diplomatëve lap-top”. Struktura e buxheti duhet të synojë për herë vetëm për impakt pozitiv. Shumë vende të zhvilluara operojnë dhe me stafe jodiplomatike, lokale në vendet ku shërbejnë. Shërbimi i jashtëm britanik, me një staf prej 16 mijë vetash në botë, 10500 i ka stafe lokale. Natyrisht jo diplomatë e të testuar më parë me konkurrim në Londër.
Në vazhdim të kësaj mendoni se buxheti mund të ‘rregullohet’ me ndonjë mbyllje Ambasade në ndonjë vend të caktuar...?
Natyrisht një Ambasadë dhe mbyllet por më mirë është të mendohesh mirë përse duhet hapur, çfarë interesash ke në atë vend. Disa ambasada ne i mbajmë të hapura pa asnjë interes politik, ekonomik, kulturor por vetëm e vetëm se vendi pritës na paguan qeranë e apartamentit. Unë mendoj se kjo është një çështje që duhet parë. Gjithnjë në kuadër të reformës dhe prioriteteve që kemi. Ne kemi Përfaqësi Diplomatike në vende që dy kryeqytetet s’janë më shumë se 60-100 km si Pragë-Bratislavë, Madrid-Lisbonë etj. Kemi në 400 km vije ajrorë nga Tirana në Slloveni, 4 përfaqësi diplomatike. Unë nuk mendoj se ne kemi një luks të tillë. Pa dashur të ndalem një për një, kemi në mjaft vende të botës Arabe, apo edhe në Europë që mund të shihen me kujdes. Nuk mund të quhet Përfaqësi Diplomatike ajo nga ku nuk ka ardhur për shumë vite një Ministër i Jashtëm, i Ekonomisë, nga ku nuk kemi asnjë investim, asnjë aktivitet kulturor, asnjë promovim. Për çfarë duhet përfaqësia. Nuk i them këto që deri nesër të nisë mbyllja e Përfaqësive nga qeveria e re. Por vende shumë të fuqishme psh, e mbulojnë Shqipërinë, nga Italia apo Greqia. Dhe këto janë mbi 30. Ne kemi Ambasadë në Indi, ndërsa India na mbulon prej dekadash nga Ambasadori i saj në Bukuresht. Natyrisht këto duhen parë të lidhura ngushtë, por dhe meqënëse më pyetët për buxhetin. Këtu do të sjell një shembull: Në vitin 1998 qeveria e kancelarit Schrodër në Gjermani, menjëherë pas fitores së zgjedhjeve mbylli 20 Përfaqësi e Konsullata të Përgjithshme të saj nëpër botë. Por me vendim të Parlamentit, buxheti i këtyre përfaqësive nuk u ‘ruajt’ si kursim por i kaloi Institutit ‘Gëte’ për promovimin e kulturës, gjuhës gjermane nëpër botë, në një farë mënyre Diplomacisë kulturore.
Mendoni se duhet ligj i ri në Diplomaci apo duhet të zbatohet ky që është?
Nuk mund të jap një përgjigje të plotë për këtë. Kjo varet nga reforma që do të ndërmerret, nga prioritet që do të vendosen. Do parë me shumë kujdes. Është bërë një përpjekje për të hartuar një ligj të ri, por projekti i tij ka qënë i dobët. Mendoj se ligji egzistues është i mirë në tërësinë e tij, por ai s’është zbatuar dhe është shkelur në mënyrë arbitrare. Natyrisht, ka nevojë edhe për ndryshime dhe për përmirësime, në përshtatje me projektet që kanë dalë. Ato mund të bëhen e duhet të bëhen. Ligji është shkelur dhe nga disa Vendime Qeverie(?), që kanë dalë mbi të, psh për sistemin e gradave të Diplomatit. Ka diplomatë që mbeten vite të tëra pa u promovuar dhe ka diplomatë që marrin 2 grada në një vit dhe një të 3-të si bonus nga Ministri. Ky aspekt ka degraduar keq pikërisht nga moszbatimi i ligjit. Apo për shkak të një vendimi të qeverisë, s’zbatohet ligji për njohjen e kontributeve për vjetërsinë në punë, të bashkëshorteve të diplomatëve dhe asnjë nuk është vënë përpara përgjegjësisë. Ka probleme të sigurimeve shoqërore të diplomatëve që duhen rregulluar me ligj, e jo të ndryshohen disa herë me vendime të brendshme në ministri. Shteti duhet ta prezantojë diplomatin e vet si dinjitoz, të qetë e jo si hallexhi, që nuk dinë ku të gjejnë mjek për t’u mjekuar, dhe ku duhet t’i lindë gruaja…!
Është folur shumë për shkelje në raportet e përfaqësimit të titullareve që vijnë nga politika e atyre nga karriera…?
Edhe në këtë pikë ligji ka përcaktime të qarta, por ato janë shkelur. Megjithatë unë jam shprehur dhe më parë në gazetën tuaj, se nuk e shoh tepër strikt këtë raport. S’duhen matur me pikatore këto raporte. Por që të mos shkelet as ligji unë mendoj se me korrigjimet përkatese, ai duhet të jetë më fleksibël. Natyrisht baza duhet të jetë promovimi e përzgjedhja e titullarëve nga karriera diplomatike. Por për momente të caktuara, vende të caktuara, apo interesa të caktuara natyrisht që emerimet nga radhët e politikës, me përfaqësues të zgjedhur dhe të aftë, janë të domosdoshme. Me njohjet që kam ka ambasadorë mjaft të mirë, ashtu si edhe nga radhët e atyre nga politika. Por ka nga të dy krahët, karrierë, politikë, ambasadorë që nuk dinë pse janë atje. Si mundet psh një Ambasador karriere, që pas 4-5 vjetësh ambasador në një vend të rëndësishëm të Evropës, t’i kërkojë Ministrisë së Jashtme, se me kë duhet të takohet në vendin që shërben, për të organizuar vizitën etj., apo një tjetër që kur paraqet letër-kredencialet para katër viteve, informon MPJ-në, se “u sqarua shumë mire nga ana ime, për Kosovën dhe ai u habit(!) se nuk e njihte ashtu problemin dhe se tani qe ia shpjegova unë do të bisedojë që ta njohim edhe ne sa më shpejt”. Ai shtet nuk e njeh edhe sot Kosoven, mbas 4 vjetësh, pavarësisht nga “sqarimi” i ambasadorit.
Në vazhdim të kësaj zoti Zeneli, pas formimit të kabinetit të ri, PS do mbledhë aleatët për bashkëqeverisjen. Duhet të përfshihet edhe këtu Diplomacia...?
Jo jo. Nuk e mendoj aspak kështu. Nuk mundet e nuk duhet që një parti ka marrë kaq apo aq vota të të thotë: Sa Ambasadorë do të kem unë? Natyrisht kur flasim për titullarë nga politika, mund të jenë dhe nga Aleatët, por jo ndarje torte.
Z.Zeneli. Vazhdimisht flitet për Diplomaci Ekonomike, si po ecet në këtë drejtim? Si e mendoni ju Diplomacinë ekonomike...?
Diplomacia ekonomike është pjesë shumë e rëndësishme e shërbimit të jashtëm. Ka vite e vite që flitet për të, por ka mbetur një nga pikat më të dobëta të sistemit të shërbimit tonë të jashtëm. Kjo në radhë të parë, sepse ka një perceptim tepër të ngushtë për diplomacinë ekonomike, nuk ka një vizion të qartë çfarë është Diplomacia Ekonomike, ç’rol duhet të kryejë. Diplomacia Ekonomike duhet të jetë një koncept shumë më i gjerë se “Diplomacia tregtare”, apo “promovimi i eksporteve”. Pra duhet një konceptim krejt i ri. Duhen instrumenta por edhe mekanizma ligjore dhe koordinuese me ministritë e tjera dhe botën e biznesit. Qeveritë perëndimore i kushtojnë një rëndësi shumë të madhe diplomacisë ekonomike. Britania, Gjermania, Danimarka etj, kanë vite që kanë shkurtuar stafet e mirëfillta politike në përfaqësi dhe i kanë kushtuar rëndësi Diplomacisë Ekonomike në vende të ndryshme, ku kanë interesa e shkëmbime ekonomike. Koreja e Jugut psh ka kohë që e ka fokusuar vëmendjen mirëfilli në Diplomacinë Ekonomike. Në përfaqësitë e saj jashtë vendit, 60% e kohës dhe veprimtarisë i kushtohet problemeve ekonomike. 20% diplomacisë kulturore e publike, 10% asaj politike dhe 10% aktivitetit konsullor. Pra në shërbim të prioriteteve, të vendeve, të interesave ekonomike, të thithjes së investimeve, duhet të strukturohet edhe koncepti i Diplomacisë Ekonomike dhe veprimtaria e saj. Megjithatë unë mendoj, këto e probleme të tjera duhen parë me një ekspertizë gjithëpërfshirëse të kualifikuar, pa u nxituar por dhe pa u vonuar, për t’i vënë gjërat që të ecin në shinat e duhura.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.08.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)