ELBASAN – “Dielli dhe vera do të vijnë edhe për Shqipërinë”. Kështu u shpreh sot ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Karsten Jensen, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës së BE-së, ndërsa festoi Ditën e Verës në Elbasan. “Nisur dhe nga koha e bukur që kemi sot, shpresojmë se politika shqiptare do të gjejë bashkëpunim. Në Ditën e Verës dielli gjithmonë ka mbajtur premtimin dhe ka qenë i pranishëm. Besoj që dielli dhe vera do të vijnë edhe për Shqipërinë dhe mendoj se do të vijnë shumë më shpejt se sa e presin shqiptarët”, tha ambasadori Jensen.

Shqiptarët kanë gjithçka që duhet që të përparojën, tha ai, “dhe mendoj se është një shenjë shumë e mirë që edhe Kryeministri dhe kryetari i opozitës kanë zgjedhur të vijnë këtu të festojnë Ditën e Verës dhe shpresoj se ata do ta vazhdojnë këtë”.

Ambasadori deklaroi se të vetmit që e kanë në dorë fatin e Shqipërisë janë politikanët dhe gjithçka varet nga vullneti i tyre. “Gjithçka mund të arrihet nëse ekziston vullneti. Mendoj se do të ishte e mrekullueshme që Shqipëria në 100 vjetorin e Pavarësisë të merrte statusin e [vendit kandidat të] BE-së dhe kjo është vetëm në dorën e politikanëve, të cilët duhet të tregojnë vullnetin e tyre dhe të bëjnë atë që është e nevojshme”, përfundoi ambasadori Jensen.

(im/shqiptarja.com)