Ambasadori i OSBE-së ën Tiranë, Borshard u kërkon të gjitha partive që të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

"Ne u kemi bërë thirrje të gjitha partive të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, gjë që është një proces normal në një sistem demokratik. Lidhur me mosregjistrimin, dje u kemi bërë një thirrje partive që të dorëzojnë kandidaturat e tyre për anëtarë", tha ai.

Dje kryetari i grupit socialist Taulant Balla tha që për reformën zgjedhore do të nisim diskutimet me deputetë të rinj, por a është kjo mënyra e duhur për të miratuar reformën zgjedhore? Ambasadori Borchardt përgjigjet: Ligjërisht, po. Pastaj, sikurse e kam thënë më parë, a është ky një vendim i pjekur politikisht, kjo është çështje tjetër. Ne nxisim dialogun e vazhdueshëm lidhur me reformën zgjedhore". 

Ambasadori argumenton se pse ndërkombëtarët nuk mbështesin djegien e mandateve dhe kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

"Tani, shohim një veprim në parlament, i cili nuk ka precedentë. Është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet është sepse ndez fitilin që i vë flakën sistemit të demokracisë parlamentare. Pyetja e radhës do të ishte: kur do ta kemi sërish atë parlamentin që e ka mandatin për katër vjet dhe e bën të plotë? Kësaj radhe, politikanët pas dy vitesh patën idenë të digjnin mandatet e tyre. Radhës tjetër, ata mund të gjejnë argumente për ta bërë këtë pas tetë muajsh, dhjetë muajsh apo një viti. Ky do të ishte, gjithashtu, edhe një shembull shumë i keq për të tërë rajonin. Ju e dini që në disa shtete ka opozita që bojkotojnë parlamentin. Një gjë e tillë nuk mund të funksionojë. Ky nuk është thelbi i demokracisë parlamentare", tha kryediplomati.

Nëse opozita do të bojkotojë zgjedhjet lokale, a do t’i njohë OSBE-ja këto zgjedhje si të ligjshme?

Ambasadori Borchardt përgjigjet: "Kjo varet nga mënyra se si zhvillohen zgjedhjet dhe nga gjetjet e vëzhguesve tanë. Kjo është diçka që unë nuk e parashikoj dot. Në përgjithësi, mund të them se ne, pikësëpari, i shkurajojmë bojkotet e zgjedhjeve. Për shumë kohë, Shqipëria ka qenë shtyllë e stabilitetit në rajon". 

Menjëherë nga PD ka reaguar anëtari i kryesisë Bylykbashi duke mos i kursyer akuzat ndaj ambasadorit. 

Nga Shkodra, Monika Kryemadhi refuzoi ftesën e ambasadorit.

Ndërkohë në Tiranë ka mbërritur misioni i OSBE ODIHR që do të monitorojë lokalet e 30 qershorit, i cili do të takojë të gjitha palët politike dhe aktorët pjesëmarrës në zgjedhje.