Ambasadori i Polonisë në Tiranë, Marek Jeziorski dha  të mërkurën në mbrëmje  një pritje në Hotel Tirana International,  me rastin e  3 majit, Festës Kombëtare të Republikës së Polonisë. Në ceremoninë e organizuar me ketë rast ishte i pranishëm Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli,  deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe figura të artit dhe kulturës.

Data 3 Maj u vendos si Festë Kombëtare e Republikës së Polonisë në vitin 1919 për të shenjuar dhe festuar përvjetorin e miratimit të Kushtetutës së parë të Polonisë më 3 maj të vitit 1791. Ajo ishte kushtetuta e parë moderne e Evropës dhe e dyta në botë pas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i saj ishte krijimi i sistemit modern kushtetues për menaxhimin e çështjeve shtetërore dhe të marrëdhënieve mes shtetit dhe qytetarëve të tij. Miratimi i saj konfirmoi forcat vitale të shoqërisë polake dhe të elitës së saj politike në periudhën më të vështirë të historisë së Polonisë, kur vendet fqinje u përpoqën të grabisnin pjesë nga territoret e saj. Kështu, Kushtetuta e 3 Majit u shndërrua në simbol të një Polonie të pavarur dhe si e tillë ajo festohet edhe sot. Kjo është një Festë Kombëtare tepër e gëzueshme që bashkon gjithë njerëzit e vendit tonë në admirimin dhe respektin për tokën e tyre.
Ambasadori i Polonisë në Tiranë, Marek Jeziorski në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare është shprehur se "marrëdhëniet polako-shqiptare janë të shkëlqyera. Dialogu politik, përfshirë atë të nivelit më të lartë, është zhvilluar prej vitesh".
Gjithashtu ambasadori Jeziorski ka shtuar se, "marrëdhëniet ekonomike polako-shqiptare ecin mirë. Që nga fillimi i vitit 2012 shkëmbimet tona tregtare janë rritur rreth 140 për qind, ku eksportet polake në Shqipëri përbëjnë më shumë se 80 për qind të volumit të përgjithshëm tregtar. Në Shqipëri është shtuar numri i kompanive polake. Ndërmjet tyre ka kompani nga sektorë të ndryshëm, IT, makineri për industrinë minerare, pajisje elektrike dhe kozmetikë. Ka interes në vendosjen e bashkëpunimit në industritë tekstile dhe atë të përpunimit të ushqimeve. Zhvillimi i fundit më i rëndësishëm ishte pjesëmarrja e një përfaqësimi të konsiderueshëm shqiptar në Kongresin Ekonomik Evropian në Katovicë, Poloni, nga data 20 deri më 22 prill të këtij viti". Ambasadori Jeziorski ka thënë se përvoja e Polonisë nga periudha e anëtarësimit në Bashkimin Evropian vlerësohet shumë në Shqipëri. "Ne jemi gati të vazhdojmë me asistencën tonë, si në nivel dypalësh ashtu edhe brenda strukturës së projekteve ndërkombëtare. Në pikëpamjen time, me rëndësi të jashtëzakonshme janë edhe kontaktet e afërta dhe bashkëpunimi mes institucioneve të pavarura publike shqiptare dhe polake", është shprehur Jeziorski.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë, gjatë viteve të fundit kanë njohur rritje. Në vitin 2014, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vizituan Poloninë. Ministrat e Jashtëm nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në Fushën e Integrimit Evropian. Brenda strukturës së zbatimit të tij, Ambasada e Polonisë në Tiranë ka organizuar dy seminare në Tiranë, në dhjetor 2014 dhe në mars 2015, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrinë e Integrimit Evropian, me pjesëmarrjen e ekspertëve polakë. Çështjet e diskutuara në këto seminare u shtrinë që nga koordinimi i politikës evropiane në nivelin e qeverisjes, nëpërmjet praktikave më të mira për thithjen e fondeve të Bashkimit Evropian, vlerësimi i ndikimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian deri te Politika e Përbashkët Evropiane për Sigurinë dhe Mbrojtjen.
/atsh/