Ambasadori rus në OKB, Vasili Nebenzia, ka thënë se Serbia do të kërkojë sërish kthimin e ushtrisë së saj në Kosovë, dhe për këtë ka mbështetjen e Moskës.
Sipas Nebenzia, Beogradi do të kërkojë rikthimin e rreth 1 mijë ushtarëve e policëve në Kosovë, kërkesë e bërë nga presidenti Aleksandër Vuçiç në vitin 2022, por e refuzuar nga NATO.
“Ne besojmë se është e justifikuar që Beogradi planifikon të kërkojë edhe një herë kthimin në Kosovë të deri në 1000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në përputhje me Rezolutën 1244”, tha Nebenzia.
Ambasadori rus e justifikoi një lëvizje të tille me faktin se NATO po armatos edhe më shumë Prishtinën.
Përfaqësuesi rus shtoi se brenda tre viteve Prishtina pritet të vërë në përdorim mbi 350 automjete të blinduara dhe të blejë flotën e saj të helikopterëve ushtarakë.
“Kjo është një shkelje flagrante e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përcakton kontingjentin ndërkombëtar për Kosovën si të vetmen prani ushtarake që duhet pranuar në atje...”, deklaroi Ambasadori rus në OKB.
Mediat e huaja pretendojnë se ushtria serbe do të shërbente për të siguruar objektet e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, që ruhen nga ushtarët e KFOR dhe po ashtu do të vendosë vendkalimet kufitare.