“Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme. Një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm”.
Me këtë thënie të James Freeman Clarke ka reaguar sot ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në lidhje me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut.
Mesazhi i tij vjen në një moment kur debati atje është intensifikuar, pas qëndrimeve të fundit të qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, si dhe paralajmërimit për protestë nga studentët shqiptarë më 6 prill.
Pas peticionit të nënshkruar nga qindra studentë, Mickoski fillimisht deklaroi se “studentët kanë të drejtë”, por vetëm një ditë më vonë ndryshoi qëndrim duke theksuar se “ligji nuk e lejon një gjë të tillë”.
Linjë të ngjashme ndoqën edhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN, të cilët në fillim pranuan kërkesën e studentëve, por më pas theksuan se nevojiten ndryshime ligjore.
Studentët kanë paralajmëruar një protestë më 6 prill, ndërsa si përgjigje institucionale është përmendur ngritja e një grupi pune në qeveri për trajtimin e çështjes.
Provimi i jurisprudencës është i domosdoshëm për ushtrimin e profesioneve juridike si avokat, gjyqtar apo prokuror, por në praktikë zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse shqipja ka status zyrtar.
Sipas studentëve, kjo situatë krijon pabarazi dhe kufizon mundësitë e tyre profesionale, duke ndikuar edhe në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit.
Komente












