FIER- Nga qyteti i Fierit ambasadori Serb në vendin tonë, Miroljub Zaric, ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të pakicave. Zaric, ishte i pranishëm në hapjen e zyrës së komunitetit serb ne Libofsh.

Sipas ambasadorit çelja e kësaj zyre do të çojë më tej marrëdhëniet e mira midis dy vendeve. Gjatë një prononcimi për shtyp ai u shpreh se Serbia po përpiqet të avancojë në respektimin e të drejtave të pakicave në territorin e saj.

Ai shtoi se edhe vëndet fqinje duhet të bëjnë të nëjtën gjë, ndërsa theksoi së pakicat kombëtare duhet të shërbejnë si urë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.
“Anëtarët e komunitetit serb në Shqipëri si dhe pakicës shqiptare në Serbi, sipas mendimit tonë duhet të jenë një urë bashkëpunimi mes republikës së Shqipërisë e Serbisë, ndërmjet dy popujve tanë. Serbia është shumë e interesuar të avancojë të drejtat e të gjithë pakicave që jetojnë në territorin e saj. “

Sa i përket dekleratës së qeverisë shqiptare pas incidentit të Preshevës për rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë, ambasadori u shpreh në të njëjtën linjë me dekleratën e ministrisë së Jashtme që “Serbia është e interesuar për marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Unë duhet të theksoj se qeveria republikes serbe është për përparimin e marrëdhënieve me të gjithë komshinjtë e saj që ka rëndësi edhe për marrëdhëiniet bileterale dhe për avancimin dhe stbilizimin e marrëdhënieve në rajon.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast veç përfaqësuesve të shoqatë së këtij komuniteti "Jedinstvo", merrnin pjesë përfaqësuesi i ministrisë së Diasporës.

Me pas ambasadori dhe përfaqësuesi i ministrisë së Diasporës vizituan pjesëtarët e komunitetit serb në fshatin Rreth-Libofshë të Fierit. Ata u shoqëruan edhe nga kryetari i shoqatës serbe, "Jedinstvo", Libofshë, Muharem Dulevic.

Vizita e ambasadorit serb ndodh në një moment kur në Preshevë, në Serbinë jugore ku banojnë shqiptarët, xhandarmëria serbe hoqi lapidarin e UÇPMB. Një akt i tillë u dënua si s shkelje e të drejtave nga qeveria shqiptare. Pak ditë më parë kryeministri Berisha deklaroi se do të rishikoheshin marrëdhëniet diplomatike me shtetin fqinj. Ndërkohë që ndërkombëtarët bëjnë apel për qetësi dhe për dialog.

(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)