Besimi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë është thelbësor për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Këtë mesazh e ndau sot ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, pas takimit që zhvilloi me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.

Në një postim në rrjetin social X, diplomatja bëri të ditur se me Gogun diskutoi për vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe për përqendrimin te prioritetet e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ajo tha se pret të bashkëpunojë me institucionet shqiptare për të mbështetur përparimin e mëtejshëm në procesin e integrimit.

Takimi me ministrin e Drejtësisë vjen vetëm një ditë pasi ambasadorja e re e BE-së zhvilloi një takim edhe me ministrin e Financave, Petrit Malaj. Edhe aty fokusi ishte te integrimi europian. Sipas saj, Ministria e Financave ka një rol kyç në negociatat e anëtarësimit, pasi administron fondet e Bashkimit Europian dhe përgatit vendin për detyrimet financiare që sjell anëtarësimi në bllok.

Me dy takimet me ministra të kabinetit, ambasadorja e re e BE-së ka vendosur theksin te dy fusha që Brukseli i konsideron vendimtare për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit: reforma në drejtësi dhe përgatitja financiare për standardet e Bashkimit Europian.