PD 500 mijë $ nga Moska/ Kim mbi 1 orë takim me Celibashin, Kryemadhin, Tabakun e Gjiknurin në KQZ: Financimi rus rrezik për demokracinë (VIDEO)

TIRANË- Një ditë pas raportit të SHBA ku provohej se Partia Demokratike në vitin 2017 ka marrë 500 mijë dollarë nga Rusia, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka mbledhur me urgjencë përfaqësuesit e partive politike dhe kreun e KQZ për të shprehur shqetësimin lidhur me financimet e huaja. 

Kim thirri në takim kreun e KQZ, Ilirjan Celibashin, sekretari i përgjithshëm të PS, Damian Gjiknurin, deputeten e PD Jorida Tabakun dhe deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhin për t’i bërë të qartë se partitë politike duhet të qëndrojnë larg influencave që vijnë nga vende jo aleate të SHBA.  

Ilirjan Celibashi kërkon ndërhyrje ligjore dhe u shpreh se është e nevojshme që KQZ të hetojë më thellë sasinë e parave dhe burimin e tyre në mënyrë që të mos ketë më diskutime.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri tha se partitë politike duhet të bëjnë kujdes dhe të parandalojnë cdo lloj financimi që përbën rrezik për interesat e vendit apo aleatëve të Shqipërisë. Gjithashtoi shtoi se Komisioni i Reformës Zgjedhore mund të forcojë dispozitat për fushatën e ardhshme zgjedhore.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se në takim, fokusi i bisedës ishte qëndrimi i partive politike larg influencave ruse, kineze, por jo vetëm.  Ndërsa Monika Kryemadhi u shpreh se financimet duhet të bëhen publike, ndaj kërkon rishikim dhe rishqyrtim të ligjit. Duke iu referuar financimit rus për Partinë Demokratike, Kryemadhi u shpreh se është proces që duhet të hetohet dhe me bindje shtoi se asgjë nuk do të mbetet pa u zbuluar.

Që nga viti 2014, Rusia ka financuar partitë politike në mbi 20 vende me 300 milionë dollarë për të rritur ndikimin e saj dhe presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Pretendimi i Departamentit të Shtetit bazohet në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane të publikuar të martën.

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë për 24 vende të botës, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën. Shqipëria është një nga këto vende. Ndonëse nuk u dhanë detaje nga zyrtari i lartë amerikan, në vitin 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Por kush fshihet pas kompanisë “Biniatta Trade”, që rezulton fantazmë e regjistruar në parajsat fiskale dhe çfarë e lidh me rusët? Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë. (lexo ketu). 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:05
Takimi në KQZ, Kim: Diskutuam kërcënimin serioz të financimit të fshehtë politik rus

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar për takimin në KQZ. Ky takim erdhi pas raportit që SHBA publikoi se Rusia kishte financuar PD me 500 milionë dollarë. Kim shkruan se në takim është diskutuar për kërcënimin serioz që paraqet financimi i fshehtë rus për demokracinë.

"Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve", shkruan ambasada.

Ora 14:29
Ambasadorja Kim thërret në takim Ballën dhe Alibeajn! Nesër do të mblidhen në Kryesinë e Kuvendit

1662551028_kim.jpg

Pas takimit me përfaqësuesit politikë, me të cilët foli për financimin e partive politike, ambasadorja amerikane Yuri Kim do të takohet ditën e nesërme me kryetarët e grupeve parlamentare të PS dhe PD. Në Kryesinë e Kuvendit, do të zhvillojë takim me Taulant Ballën dhe Enkelejd Alibeajn. 

Ora 13:30
Celibashi: SHBA-të të shqetësuara për paratë ruse, duhet përmirësuar kuadri ligjor për financimet

 

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi është shprehur se në takimin e sotëm SHBA ka shprehur mbi financimet e huaja të partive politike.

“Përcollën shqetësim që të rrisin vëmendjen dhe çfarë është në fuqinë e tyre për të bërë më mirë që paratë dhe financimet e huaja dhe jo vetëm ato ruse të mos kenë ndikim në politikën shqiptare. Ajo që mund të thuhet është se ka nevojë të kuadrit ligjor që KQZ t’i japin mundësi praktike të hetojnë m thellë me sasinë e parave nga pikëpamja administrative, nga i marrin, si i përdorin, kjo është evidente ndoshta. Një lloj informimi dhe përcjellja e një shqetësimi, nuk u bën diskutime, ata si përfaqësues të PD konfirmojnë nevojën për ta qasur nga pikëpamja rregullatore, në vijim do ketë ndryshime”, tha Celibashi.

Ora 13:22
Kryemadhi: Takimi s’përmendi emra por do hetohet, kush ka gëlltitur lugën e çorbës të prishur do vjellë gjithë jetën

 

Ish kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka komentuar takimin me ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim dhe kreut të KQZ Celibashi në shoqërinë e Gjiknurit dhe Tabakut.  Kryemadhi tha se në takim nuk u përmendën emra sa i takon financimit rus në PD në vitin 2017 ndërsa komunikoi se do të hetohet.

‘Financimet ruse në të gjithë jetën politike dhe ekonomike sidomos në rajon normal që është bërë emergjente ngritja e barierave e këtyre financimeve ruse. Mendoj që kjo gjë është ajo që ne kemi ngritur me kohë unë kam 6 vite që e them për prezencën ruse në Shqipëri. Megjithatë më mirë vonë sesa kurrë, sa i përket financimeve mendoj se ka ardhur koha që të marrin eksperiencën e LSI—së të dalin nëpër media e të bëhen publike. Ligji për financimin e  partive politike ka nevojë për rishikim dhe rishqyrtim. Sepse duke e bërë burokratike stimulojmë paratë e pista që vijnë në mënyrë të fshehur. E përgëzoj takimin me ambasadoren e SHBA-ve, mendoj se bashkëpunimi ynë të vazhdojë më tutje.  

Takimi nuk përmendi emra, di të them që ka një proces që  duhet të hetohet, të dini që asgjë nuk rri pa dalë, kush e ka gëlltitur lugën e çorbës të prishur ka për të vjellë gjithë jetën’- tha Kryemadhi.

Ora 13:17
Gjiknuri pas takimit në KQZ: Në fokus ishte parandalimi i financimit të paligjshëm të partive politike! SHBA e shqetësuar për influencat e huaja

 

Sekretari i përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri foli në përfundim të takimit në KQZ duke thënë se në fokus të diskutimit ishte financimi i partive politike nga burime të paligjshme që përbëjnë rrezik për interesat e vendit.

“Potencialin e financimeve te shteteve të huaja, në këtë rast ishte fokusi tek Rusia dhe masat që duhet të marrin institucionet shqiptare dhe partitë politike për të parandaluar çdo lloj financimi të paligjshëm në rrezik dhe për interesat.

Shqipëria ka një kuadër shumë të mirë ligjor dhe instrumentet për të parandaluar financime të panevojshme apo që nuk i dihet mirë burimi. Duhet parandaluar tashmë çdo lloj akti. Ky është një shembull për tu marrë parasysh se si partitë politike që të mos përfshihen në financime që nuk i bëjnë mirë vendit.

Kemi komision të reformës zgjedhore që mund të forcojë dispozitat për fushatën zgjedhore por fokusi ishte për shqetësimin e SHBA për përfshirjen e influencave të huaja dhe dëmtimin e interesave të këtij vendi. Biseda nuk ishte teknike apo çfarë masash do të merren. U bë, u transmetua shqetësimi nisur dhe nga raporti i fundit. Partitë kryesore të marrin masat që të mos përsëriten”, tha Gjiknuri.

Ora 12:57
Tabaku pas takimit me Kim: Folëm për financimin e partive politike dhe qëndrimin larg influencave ruse e kineze

 

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka bërë me dije se në takimin me ambasadoren Yuri Kim kanë folur për raportin e SHBA në lidhje me financimin e PD me 500 mijë dollarë nga Rusia dhe qëndrimin larg influencave ruse dhe kineze.

“U diskutua për partitë politike, financimin e tyre dhe qëndrimin larg influencave ruse, kineze, me tepër do ju informoje ambasada”, tha Tabaku pas takimit.

G.MO/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • row: 15/09/2022 18:30

    mos merrni para nga rusi por vetem nga amerika

    Përgjigju
  • Adrian: 15/09/2022 16:12

    Patjatër që që do ketë pasur financime të fshehta edhe nga vende të tjera përveç Rusisë. Kjo është e rëndësishme që të bllokohet kjo metodë pune antishqiptare sepse falsifikon edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Amb Kim ka meritën ndryshe nga paraardhësit e saj që të marrë pozicione të qarta për problemet shqiptare.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 15/09/2022 14:11

    Gjiknuri ps "i pastër-qelibar",Mona e LSI-PL po dihet se ja kalon edhe Gjiknurit,ÇELIBASHI KUNATI Fatmir Medihoxhës dhe zonja ambasadore amerikane lau leshin e zi dhe e beri te bardhe sot në kqz,e morët vesh mor pallavesha????? Përtypni barë se jini mire,ka edhe me keq,skini pare gje akoma....

    Përgjigju
    • Fëjte ortoj: 15/09/2022 19:24

      Or tej,t'baj majër safllaqja Rilindja,knaçu ortëj knaçu fort

    • Or tej: 15/09/2022 14:39

      Ik mor palle, or tej

  • F-35: 15/09/2022 13:42

    Zonja Kim! Suporti juaj per Bashen na eshte dukur i pakuptimte, dhe kemi shprehur pakenaqesine tone per kete. Ju lutemi t'mos operoni ne te ardhmen me parimin e te keqes me te vogel! Boll ka pesuar ky popull nga eksperimentet e fuqive te medha!

    Përgjigju
  • Alo: 15/09/2022 13:34

    Kjo eshte nje ndihme e vyer per ne. Ne kembim, do te thoja qe edhe ne, pra shteti, Rama, te dergoje ambasadorin tone ne Vashington te takohet me PD dhe PR amerikane si Celibashin amerikan qe tu jape ndonje keshille apo eksperience qe te mos influencohen nga Rusia. Sic bene ne rastin e Trump.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic